BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, zj. Milena Harito, në aktivitetin “Inovacioni në sektorin bankar”, 14 maj 2015

Data e publikimit: 14.05.2015

 

Znj. Zv.Guvernatore e Bankës së Shqipërisë, z. Kryetar i Bordit të Shoqatës së Bankave, të nderuar drejtorë të bankave, të nderuar pjesëmarrës, ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj në këtë aktivitet!

Kam kënaqësinë që ky event është pjesë e Javës së Inovacionit, e cila organizohet për herë të dytë në Shqipëri dhe ka për qëllim të përmbledhë energjitë e të gjithë sektorëve që kanë lidhje me përpjekjen tonë të vazhdueshme për modernizimin e shtetit. Inovacioni, në thelb, është një mënyrë për t’u modernizuar më shpejt.

Pra, përqafimi i të rejave të fundit na lejon që të avancojmë në rrugën e modernizimit të shtetit. Sigurisht, modernizimi ka shumë aspekte që shkojnë që nga politikat, ligjet, masat, reformat etj. Teknologjia është një pjesë e infrastrukturës mbështetëse të këtij modernizimi, por, duke mbledhur këtu sektorin bankar, dëshira jonë ështe të vlerësojmë në mënyrë shumë të qartë gjithë atë çka sektori bankar ka sjellë për modernizimin e shtetit shqiptar.

Në këtë pikë, jo vetëm sektori ynë bankar ka pasur një rol kyç, por në të gjithë botën, sektori bankar është ai që bën dallimin midis një ekonomie primitive dhe një ekonomie moderne. Duke filluar nga gjëra shumë të thjeshta, siç është formalizimi, duke filluar nga vitet 2000, nëpërmjet futjes së një sistemi bankar modern, nëpërmjet automatëve bankarë, nëpërmjet kartave bankare. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se sa e vështirë ka qenë kjo rrugë në fillim. Të mësosh një popullsi, e cila kalon nga paraja likuide cash në përdorimin e kartave, nuk është e lehtë dhe ende ndoshta i kemi në shtëpi prindërit që kanë barriera në këtë pikë dhe të njëjtën përpjekje bëjmë ne për të futur të gjitha risitë e tjera teknologjike.

Ndërkohë, sistemi bankar është ai që kthen ekonominë në formalitet. Dhe, pikërisht për këtë arsye, në kemi pasur në muajt e fundit një bashkëpunim të vazhdueshëm me sektorin bankar, me Bankën e Shqipërisë dhe me ndërmjetës të sektorit që ndihmojnë për të futur sa më shumë pagesa me të gjitha format në sistemin e formalizuar.

Një nga përpjekjet tona në këtë drejtim ishte përfshirja e pagesës së faturave të energjisë nëpërmjet celularit. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse celularët janë ato që ka çdo shqiptar në dorë; mjeti teknologjik më i avancuar që kemi të gjithë në duart tona. Faturat e energjisë janë ato që duhet të paguajmë të gjithë, por jo të gjithë i paguanim. Për këtë arsye, ky ka qenë një nga objektivat tona kryesore që në ditët e para të qeverisjes, shumë më parë nga nisja e aksionit masiv kundër abuzuesve me energjinë elektrike. Dhe, me një farë suksesi, u bë kjo përpjekje në mënyrë që njerëzit të futen dhe të përdorin pagesat nga celulari.

Një nga çështjet që shtrohet zakonisht kur flasim për teknologjinë është nëse ajo adoptohet më shpejt në zonat më të zhvilluara ekonomike. Pyetja jonë ishte, a zhvillohet më shpejt në Tiranë – Durrës dhe zonën bregdetare? Të dhënat që merrnim nga operatorët e pagesave të energjisë nëpërmjet celularit na treguan se kjo teknologji ishte e shpërndarë gjerësisht në gjithë Shqipërinë dhe në zonat më pak të zhvilluara ekonomikisht; në zona më të thella, njerëzit përdorin pagesat nëpërmjet celularit. Për shumë arsye. Ndoshta sepse kanë edhe më pak akses në pikat ku duhet të paguajnë, por fakti është që e përdorin dhe e adoptojnë shumë shpejt teknologjinë.

Tani këto lloj pagesash mund të kryhen edhe nëpërmjet portalit unik qeveritar. Kemi një portal unik të shërbimeve publike dhe përsëri aty mund të kryhen pagesat, sigurisht të ndërlidhura me sistemin bankar dhe me kartat bankare. Pra le të themi, ky ishte niveli bazik.

Kishim një sfidë tjetër që e përballuam bashkë me Bankën e Shqipërisë, futja në sistemin e formalizuar përsëri nëpërmjet celularëve të personave që nuk kanë këtë herë llogari bankare. Kjo ishte një sfidë e re për të gjithë, ishte një sfidë e re për bankën, sepse duhet të rregullonte kuadrin rregullator për të mundësuar këtë gjë, një plan rregullator që nuk ekzistonte në Shqipëri. Ishte një përpjekje e gjatë me disa takime, me mbështetjen e partnerëve strategjikë, si USAID dhe para pak ditësh edhe kjo gjë është bërë e mundur. Tashmë edhe ata që nuk kanë llogari bankare, sepse realisht ka një pjesë të popullsisë që nuk ka një të tillë, e kanë të mundur pagesën përmes celularit, që do të thotë se fillojnë dhe bëhen pjesë e një ekonomie formale dhe sigurisht hapi tjetër i pritshëm është që ata të vijnë në sistemin bankar.

Në një sërë zhvillimesh teknologjike, sistemi bankar, si një ndër sistemet më të strukturuara praktikisht, me korporata të mëdha që ofrojnë kushte të mira punësimi për rininë tonë, ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e vazhdueshëm të Qeverisë në këtë përpjekje modernizuese; sigurisht duke modernizuar edhe veten në të njëjtën kohë.

Sfida e fundit, projekti më i ri i ndërmarrë prej nesh është përdorimi i dokumentit elektronik. Çfarë është dokumenti elektronik? Është një dokument që qarkullon vetëm në mënyrë elektronike, por nuk është një email i thjeshtë që përdorim në te gjithë, është një dokument, i cili, duke u nënshkruar në mënyrë elektronike, ka të njëjtën vlerë si një dokument letër e kësisoj të njëjtën vlerë ligjore. Në këtë mënyrë ne nuk kemi më nevojë të transferojmë dokumente nga njëra zyrë në tjetrën, por këto qarkullojnë në mënyrë elektronike, duke lehtësuar jetën e të gjithëve.

Shteti ka dhënë shembullin në këtë pikë, sepse ka qenë i pari që e ka adoptuar dhe një nga institucionet tona më të përparuara në këtë pikë është qendra e regjistrimit të biznesit, që tashmë e përdor qarkullimin elektronik të dokumenteve dhe kjo bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, që e kanë në dorë të gjithë shqiptarët.

Por dëshira jonë është të prekim atë që është më e lehtë për t’u arrirë. U shpreha për celularët, sepse celularët i ka kushdo. E njëjta gjë me kartat e identitetit, sepse kartën e identitetit, për fat të mirë, e ka çdo shqiptar. 98% e popullsisë në moshë madhore është e pajisur me kartë. Dhe përsëri duhet të përdorim këtë kartë identiteti, që është diçka e sofistikuar, ndoshta ndër më të përparuarat në botë sot. Kjo kartë identiteti ka bërë të mundur që, në radhë të parë, në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, me mijëra biznese të përdorin tashmë nënshkrimin elektronik nëpërmjet kartës dhe shpresojmë që sektori bankar ta adaptojë shumë shpejt këtë gjë. Ky sektor e prek gjerësisht popullsinë dhe, nëse sektori bankar e përqafon, edhe shteti e ka më të lehtë të përdorë të njëjtat forma për shërbimet e veta publike.

Kjo është një sinergji që na ndihmon të gjithëve dhe është një situatë ku të gjithë përfitojnë.

Nuk do të doja të zgjatesha për të tjera inovacione të sektorit bankar, që ju i njihni ndoshta edhe më mirë se unë, që kanë të bëjnë me rritjen e likuiditetit të tregut të aksioneve, që kanë të bëjnë me hapjen e tregut tonë financiar ndaj botës shumë më tepër se sa është sot, sepse izolimi i trashëguar në të gjithë sektorët ka nevojë për instrumente financiare më të sofistikuar, për zhvillim më global të tregut tonë financiar etj.

Ajo për të cilën unë mund t’ju nxis është që të shikoni atë që pritet të vijë nesër në fushën e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit dhe ajo që pritet ekziston sot në botë dhe do të vijë shumë shpejt edhe këtu. Ka një sërë nismash të konsiderueshme, jo anekdotike, në botë për të përdorur paranë digjitale, që është jashtë sistemit të tregut bankar ekzistues botëror dhe ky fenomen, me zhvillimin e botës digjitale, mund të bëhet një fenomen me vlerë dhe nuk duhet lënë që të jetë tërësisht jashtë strukturave apo institucioneve që rregullojnë tregun financiar. Mendoj se është një nga sfidat e rëndësishme në nivel botëror që e prek gjithë sistemin financiar.

Do të doja ta mbyll këtu për t’u lënë vendin diskutimeve që, padyshim, do të jenë shumë interesante. Duke falënderuar Bankën e Shqipërisë për organizimin e këtij eventi të përbashkët dhe duke falënderuar të gjithë sponsorët e Javës së Inovacionit që u treguan shumë të gatshëm për të mbështetur këtë iniciativë për këtë vit të dytë, Societe Generale, në veçanti, shpresoj që vitin e ardhshëm të jetë edhe më e organizuar edhe me më shumë pjesëmarrje.

Ajo që ndiejmë ne që organizuam këtë Javë, duke e krahasuar vetëm me një vit më parë, është që shoqëria ecën gjithmonë, ndoshta më shpejt se ç’e perceptojmë ne. Organizuam për herë të parë një panair të teknologjisë, ku pati një lëvizje shumë aktive të shumë të rinjve dhe shumë universiteteve që janë dinamikë, shumë të ftuar nga Kosova, kishte disa konferenca me qindra të rinj të ardhur nga gjithë rajoni. Kjo mori aktivitetesh na tregon se ndjesia e inovacionit dhe nevojës së tij për të rritur produktivitetin e ekonomisë sonë dhe për të përmirësuar e modernizuar shoqërinë tonë është diçka që po ndodh dhe që të gjithë ne duhet të drejtojmë, ta udhëheqim, por edhe ta përqafojmë.
 
Ju falemnderit!”