BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj në hapjen e aktivitetit "Kuriozitete nga thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare"

Data e publikimit: 19.05.2017

 

Të nderuar miq e të ftuar,

Sot ju kemi ftuar në ambientet e Bankës së Shqipërisë jo në atributin që ky vend ka si shtëpia e parasë, në kuptimin figurativ, por edhe fizik të fjalës (duke qenë se ndodhemi pranë dhomës së vjetër të thesarit).

Sot ju kemi ftuar t'i gëzohemi një tjetër dimensioni të parasë, atij të një vepre autentike arti. Një vepër arti flet gjithmonë shumë më gjerë dhe më thellë se dimensioni fizik që zë.

 dsc5806

Ne sot ndodhemi në një muze veprash arti. Muzetë kanë epërsi ndaj një ekspozimi çfarëdo. Kur ti lëviz nga një stendë tek tjetra nuk përshkon thjesht disa centimetra rrugë. Përkundrazi, ti përshkon shekuj histori. Në ato pak centimetra shkëmbehen epoka të zhvillimit shoqëror. Askund nuk e ke këtë përjetim siç e ke në muze. Një kopsht zoologjik apo botanik sjell botën e gjallë në miniaturë. Ama atë aktuale. Ndërsa, një muze bashkon epokat, të shkuarat dhe të tashmen. Këtë e bën veçanërisht një muze i kartëmonedhave të një vendi. E bën këtë modestisht edhe muzeu ynë, i themeluar vetëm një vit më parë e që besojmë se do të vazhdojë të zhvillohet e plotësohet si një pasuri e kujtesës tonë kombëtare.

Në mesin e viteve 1800, duke shpallur konkursin e dizenjimit për kartëmonedhën amerikane, ministri i thesarit të SHBA-ve të asaj kohe përcaktonte dy kërkesa të detyrueshme për pjesëmarrësit:

  • dizenjimi të ishte punë origjinale, e papublikuar më parë,
  • të kishte karakter kombëtar.

Sepse që në gjenezë, kartëmonedha është konceptuar jo vetëm si mjet këmbimi. Por si një mjet edukues për publikun e si i tillë, duhet të mbartë mbi vete një skenë të rëndësishme të historisë së vendit. Ama, këtë duhet ta bënte me një teknikë të tillë të komplikuar linjash të imëta, sa të ishte tepër e vështirë të riprodhohej. Kjo e fundit i atribuohej elementëve të sigurisë si bartës vlere.

Ne i kalojmë shpesh nëpër duar këto letra me vlerë, por shumë rrallë i japim vetes kënaqësinë e përqendrimit për pak minuta mbi artin e trupëzuar në to. Fare rrallë përqendrohemi të këqyrim si ndërthuren në atë kanavacë në miniaturë puna e një piktori të talentuar me atë të një gdhendësi të talentuar, duke e kthyer atë copë letre në një shprehje elegante të artit kreativ. Imazhi na duket familjar, por ama nuk do ta besojmë kur të dëgjojmë se vetëm 14% e të intervistuarve në vendet e zhvilluara janë në gjendje të kujtojnë se çfarë figure është dizenjuar mbi secilën kartëmonedhë. Akoma më pak mund të përgjigjen se cili portret gjendet mbi 2-mijë lekëshin shqiptar apo kujt i përket portreti mbi 1- mijë lekësh.

Pikërisht për të ndryshuar këtë kumtim të dobët të mesazhit e për të edukuar publikun përmes veprave të artit që dëshmojnë pjesë të identitetit tonë kombëtar, shërbejnë muzetë, shërbejnë aktivitete si ky, shërben misioni i forcimit të ndërgjegjes kombëtare përmes artit të kartëmonedhës shqiptare.

Jo më kot numizmatët i shijojnë imazhet dhe ngjyrat e kartëmonedhave. Sepse mbi ato copëza letre ata janë në gjendje të dallojnë edhe epokat, edhe shkallën e lirisë sociale. Sepse, shpesh, sidomos në diktatura, imazhet mbi kartëmonedha manifestojnë ndikimet e qeverive mbi tregjet. Mungesa e këtyre ndikimeve është një dimension i lirisë sociale.

Por mbi kartëmonedhë lexohet edhe shqetësimi i një shoqërie. Natyrisht, kur artisti ka mundur ta lexojë mirë këtë shqetësim. Kështu, jeshilja e dollarit amerikan u zgjodh si nevojë e simbolikës së stabilitetit në epokën e luftës civile. Seria e vitit 2017 e parasë norvegjeze dëshmon shqetësimin e asaj shoqërie për rikthim në vlerat bazë humane që digjitalizimi po i zbeh. Dhe në reflektim të këtij shqetësimi kemi zëvendësimin e portreteve të figurave të shquara të artit e shkencës me simbolikat e burimeve natyrore të lidhura fort me identitetin e popullit norvegjez, të tilla si anija vikinge, peshku apo fari.

Të gjitha këto tregojnë se asgjë nuk e ka cënuar misionin edukues e kombëtar të kartëmonedhës. Ajo vazhdon ta mbartë atë duke i rezistuar edhe për këtë arsye formave virtuale të parasë. Madje, siç thotë një studiues i Harvardit, më parë do të zhduket karta nga ekzistenca sesa kartëmonedha.

Të dashur pjesëmarrës,

18 Maji është caktuar si Dita Ndërkombëtare e Muzeve në vitin 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, i themeluar në vitin 1946. Por, është prej 1992 që po ky Këshill vendosi që çdo vit në këtë ditë të celebrohet një tematikë e caktuar.

Për këtë vit, tematika e përzgjedhur është "Muzetë dhe historitë e diskutueshme: të shprehësh të pathënat në muze".

Duke dashur të jemi pjesë e kësaj fryme mbarëbotërore, por në truallin e muzeut tonë, ne kemi e formuluar në "Kuriozitete nga thesari: Arti i kartëmonedhës shqiptare".

Dhe për të shprehur të pathënat tona, na vjen sot në ndihmë z. Mark Bundy, mjeshtër dizenjimi prej mbi 40 vjetësh pranë kompanisë De La Rue, pionierët e printimit të kartëmonedhës në botë. Ky emër bëhet shpejt familjar për këdo që viziton muzeun tonë, pasi është i lidhur me printuesin e parë të kartëmonedhës shqiptare dhe ndaj shoqëron shpjegimin e ciceronit gjatë turit.

Z. Bundy do të tregojë të pathënat e skicimit, teknikave dhe artin e konceptimit të kartëmonedhës shqiptare, të ilustruar me foto e skica.

Paskëtaj, do të keni mundësi të shihni gjithçka me sytë tuaj në një ekspozitë të përkohshme të ngritur me këtë përmbajtje.