BANKA E SHQIPËRISË
NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë
Data e publikimit: 17.11.2022
I nderuar zoti President i Dhomës Amerikane të Tregtisë,
E nderuar zonja Ministre,
E nderuar zonja Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
E prita me kënaqësi ftesën tuaj për të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Po ashtu, vlerësoj mundësinë që më jepni, për ta përshëndetur këtë Asamble dhe për të ndarë me ju disa opinione mbi stadin aktual dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik të vendit.
Përpara se të filloj, më lejoni të shpreh konsideratën time për Dhomën Amerikane të Tregtisë, e cila numëron mbi 200 kompani anëtare dhe përbën një nga komunitetet më të rëndësishme të biznesit në Shqipëri. Nëpërmjet aktiviteteve trajnuese, promovimit të Shqipërisë si destinacion biznesi, si dhe përfshirjes aktive në diskutimet mbi politikat e zhvillimit, ajo kontribuon në përmirësimin e klimës dhe modelit të biznesit, në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe në forcimin e lidhjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Ky bashkëpunim është akoma më i rëndësishëm sot, kur bizneset në të dy anët e oqeanit po përballen me sfida komplekse dhe të paprecedenta. Pas dy vitesh nën kthetrat e pandemisë, ne e gjejmë veten përballë një realiteti të ri ekonomik, të shkaktuar nga konflikti ushtarak në Ukrainë. Përtej humbjes së pazëvendësueshme të jetëve njerëzore, ky konflikt solli pasoja në tregjet globale të mallrave dhe në zinxhirët globalë të furnizimit. Si rezultat, inflacioni dhe pasiguria përjetuan një rritje të shpejtë anembanë globit, me kosto të mëdha për shtresat në nevojë dhe me pasoja negative për rritjen globale.
Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria nuk mund ta izolojë veten nga këto ngjarje madhore. Rritja e çmimeve në tregjet globale solli një rritje progresive të inflacionit në vend, i cili kulmoi në 8.3% në muajin tetor. Në gjykimin tonë, ky inflacion i lartë është sfida kryesore e politikave ekonomike dhe e operatorëve të sektorit privat.
Të gjithë i njohim dëmet që sjell inflacioni i lartë mbi familjet, bizneset dhe ekonominë. Ai redukton fuqinë blerëse të të ardhurave tona, zhvlerëson kursimet, shton pasigurinë për të ardhmen dhe zbeh rolin informues të çmimeve në ekonomi. Kjo rrit koston financiare dhe dëmton aftësinë e biznesit dhe të familjeve për të marrë vendime të mirinformuara për konsum, kursim dhe investime në të ardhmen.
Nisur nga sa më sipër, prioriteti i Bankës së Shqipërisë është kthimi i inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një cikël normalizues të qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit nga niveli 0.5% në nivelin 2.75% gjatë vitit 2022. Ky normalizim synon të vendosë një ekuilibër më të mirë midis kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime për to, duke ofruar stimujt e duhur për stabilitetin monetar e financiar të vendit. Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, ky stabilitet mbetet një parakusht i pazëvendësueshëm jo vetëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë, por edhe për mirëqenien e barazinë sociale.
Duke parë nga e ardhmja, projeksionet e skenarit tonë bazë sugjerojnë se inflacioni do të reduktohet gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektivin tonë prej 3% në vitin 2024. Po ashtu, këto parashikime sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim. Ndonëse ritmi i rritjes do të ngadalësohet disi në afatin e shkurtër, stabilizimi i ambientit monetar dhe reduktimi i pasigurisë do t’i hapin rrugë një rritjeje më të shpejtë ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë. Së fundi, por po aq e rëndësishme, parashikimet tona sugjerojnë se tregjet financiare do të vazhdojnë të jenë të qeta, kursi i këmbimit relativisht i qëndrueshëm dhe shëndeti i ndërmjetësve financiarë, përfshirë dhe sektorin bankar, i pacenuar.
Më lejoni të theksoj se kjo prognozë ekonomike pasqyron, në radhë të parë, shëndetin e sektorit privat të ekonomisë shqiptare. Ky sektor ka bërë një progres të admirueshëm gjatë viteve të fundit, në drejtim të gjetjes së tregjeve të reja, të rritjes së eficiencës operacionale, të përmirësimit të shëndetit financiar, si dhe të rritjes së vizionit të tij strategjik. Dëshmia më e mirë e këtij progresi ishte rimëkëmbja e shpejtë që përjetoi ekonomia shqiptare pas goditjes së pandemisë. Besoj se ato cilësi që ndihmuan sektorin privat në atë periudhë: kujdesi për punëmarrësit, bashkëpunimi midis bizneseve, si në planin horizontal dhe atë vertikal, ndarja e drejtë e kostove në të gjithë zinxhirin e prodhimit, si dhe fleksibiliteti operacional e financiar, do të jenë elemente të rëndësishme në përballimin e inflacionit të lartë.
Paralelisht me të, jam i bindur se sektori bankar do të vazhdojë të mbështesë financiarisht biznesin, duke orientuar fondet drejt projekteve rentabël dhe sektorëve më produktivë.
Së fundi, detyra jonë prioritare si vendimmarrës publikë, është të marrim masat e duhura për të mos lejuar që goditja e ofertës të shkaktojë pasoja afatgjata në shëndetin e ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë tërësisht e përkushtuar për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar të vendit.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ndërsa goditjet e njëpasnjëshme kanë marrë – me të drejtë – kohën dhe vëmendjen tonë, dëshiroj ta mbyll fjalën time duke theksuar se si politikëbërësit ashtu edhe operatorët e sektorit privat nuk duhet të harrojnë se reformat strukturore janë një instrument i pazëvendësueshëm për rritjen e potencialit prodhues të vendit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania”.
Këto reforma marrin një rëndësi të madhe ndërsa hedhim hapa përpara në rrugën tonë të integrimit me Bashkimin Evropian.
Duke i uruar Asamblesë punime të mbara,
Ju faleminderit!