BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në Seminarin Rajonal të Statistikave, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Evropiane, 13 qershor 2018

Data e publikimit: 13.06.2018

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Është një kënaqësi e veçantë për mua të hap punimet e këtij seminari rajonal në fushën e statistikave të bankës qendrore.

Në emër të Bankës së Shqipërisë, i shpreh mirënjohjen Bankës Qendrore Evropiane për bashkë-organizimin e këtij seminari në Tiranë. Gjithashtu, përshëndes përzemërsisht përfaqësuesit nga bankat qendrore në rajon e më gjerë dhe të gjithë të pranishmit në këtë seminar.

Seria e seminareve rajonale mbi statistikat, organizuar nga BQE-ja, siguron një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi kërkesat statistikore, si dhe për hartimin e politikave dhe diskutimin e risive më të fundit në lidhje me çështjet statistikore të bankingut qendror.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se të dhënat e besueshme, të mjaftueshme dhe të ofruara në kohë, janë element i domosdoshëm për vendimmarrje sa më të mirë.

Për më se 10 vjet, pas krizës së fundit financiare, bazat e ekonomisë globale, arkitektura e sistemit financiar botëror si dhe procesi i vendimmarrjes janë në një proces të vazhdueshëm ristrukturimi. Edhe funksioni statistikor përballet me sfida të ngjashme. Me zhvillimin e ekonomive, tregjeve dhe institucioneve, rritet edhe presioni mbi statistikat për të "ndjekur kahun dhe ritmin" e këtij zhvillimi. Shfaqja e të ashtuquajturit "hendek informacioni" është e pashmangshme në një botë që ndryshon me ritme të shpejta; megjithatë, detyra jonë si agjenci statistikore është të rrisim përpjekjet për ta mbyllur atë sa më shpejt.

***

Në vijim, do të doja të përqendrohesha te sfidat kryesore në fushën e statistikave, veçanërisht te ato më të rëndësishmet për përmbushjen me sukses të funksionit të bankave qendrore. Në terma të përgjithshëm, kriza nxori në pah domosdoshmërinë që statistikat të jenë më të pasura dhe më efektive, dhe t’i shërbejnë njëherazi edhe politikës monetare edhe politikës makroprudenciale.

Tashmë, si asnjëherë më parë, nevojitet që të jemi të informuar dhe t’i analizojmë të dhënat ekonomike në dimensione të ndryshme dhe në shkallë granulare.

Rritja dhe kompleksiteti i aktivitetit të sistemit financiar ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit të këtij sistemi si një element thelbësor i funksionit të bankave qendrore. Sigurisht, si objektiv, stabiliteti financiar ka ekzistuar që me krijimin e bankës qendrore. Por, në dekadën e fundit, vërehet fokus më i qartë në identifikimin e kërcënimeve të mundshme ndaj stabilitetit të sistemit financiar dhe vëmendje e vazhdueshme për minimizimin e tyre.

Po ashtu, arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve nëpërmjet politikës monetare ka ndryshuar. Analizat ekonomike dhe financiare të bankave qendrore po mbështeten gjithnjë e më shumë te modelet komplekse, të cilat mundësojnë analizën e njëkohshme të ekonomisë reale, tregjeve financiare dhe ndërlidhjeve me partnerët e huaj tregtarë e financiarë. Për këtë arsye, cilësia dhe besueshmëria e informacionit statistikor ka rëndësi të veçantë.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka punuar në disa dimensione për pasurimin dhe përmirësimin e informacionit statistikor.

Që prej qershorit 2017, Shqipëria zbaton Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme të FMN-së (eGDDS[1]) dhe u angazhua në përmbushjen e disa kërkesave të rrepta për prodhimin, shpërndarjen dhe dokumentimin e të dhënave statistikore.

Gjithashtu, në kuadër të procesit të integrimit evropian, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për përafrimin metodologjik të statistikave me standardet ndërkombëtare dhe harmonizimin e tyre sipas acquis communautaire. Më konkretisht, Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloren mbi raportimin e statistikave të normave të interesit, ka miratuar për herë të parë “Kodin e praktikave për statistikat në Bankën e Shqipërisë”, si dhe ka filluar punën për harmonizimin e standardeve në raportimin e statistikave monetare dhe financiare.

Statistikat moderne nuk perceptohen pa mbështetjen e fuqishme të teknologjisë së informacionit për mbledhjen, hartimin dhe shpërndarjen e tyre. Në  këtë drejtim, Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2017 ka përfunduar përfshirjen e të gjitha subjekteve raportuese pranë BSH në Sistemin Elektronik të Raportimit Rregullator. Gjithashtu, ka filluar projekti i “Automatizimit të procesit të hartimit dhe shpërndarjes së statistikave të sektorit të jashtëm”. Ky projekt përbën një themel të rëndësishëm për të ndërtuar një arkitekturë solide për zhvillimin e mëtejshëm të blloqeve të tjera statistikore.

***

Të nderuar pjesëmarrës,

Të dhënat ekonomike po studiohen dhe po shqyrtohen gjithnjë e më shumë nga politikëbërësit dhe pjesëmarrësit e tregut financiar. Mekanizmat e vendosur nga Komisioni Evropian po e shtojnë presionin mbi statistikat për të ofruar të dhëna me cilësi të lartë.

Nga ana tjetër, bashkërendimi ndërinstitucional është çelësi i suksesit për prodhimin e të dhënave statistikore shumë-dimensionale. Në këtë kontekst, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it. Ky bashkëpunim deri tani ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe jam i sigurt se do të vazhdojë i tillë edhe në të ardhmen.

Duke mbyllur fjalën, dëshiroj t’i përcjell mirënjohjen time të sinqertë të gjithë lektorëve dhe kontribuuesve që do të ndajnë me ne eksperiencat e tyre. Shpresoj që gjithë secili të përfitojë sa më shumë nga ky seminar nëpërmjet diskutimeve konstruktive.

[1] Enhanced General Data Dissemination System e-GDDS

 

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu