BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, mbajtur në seminarin mbi Stress Testing, organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Shqipërisë, Hotel Tirana, 5 prill 2005

Data e publikimit: 05.04.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës dhe të ftuar,

Pranova me kënaqësi ftesën për të hapur këtë seminar mbi "Testimin e sistemit bankar mbi situatat ekstreme të riskut" (Stress-Testing), duke patur parasysh se tema rreth së cilës ju do të diskutoni gjatë këtyre tre ditëve është një çështje e rëndëdsishme për pasurimin e instrumenteve të institucionit mbikëqyrës, për të identifikuar paraprakisht fushat ose zhvillimet që mund të jenë të brishta dhe për të vepruar siç duhet për të parandaluar situatat e pafavorshme për institucionet e liçensuara.

Jeta na tregon se rreziku është i pranishëm kudo. Disa gjëra nuk janë aspak të sigurta që ndodhin, disa të tjera që do të ndodhin nuk dihet me siguri se kur do të ndodhin ose ku. Aktiviteti i individëve, i familjeve, i bizneseve, i qeverisë ndikohet në mënyrë të ndjeshme nga ajo që do të ndodhë në një moment, nesër, pasnesër dhe kështu me radhë. A ka ndonjë mënyrë për të shmangur plotësisht rrezikun, në jetën tonë, në aktivitetin tonë? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është një nga të paktat deklarata absolute: jo, nuk ekziston asnjë mënyrë. Atëherë është e pashmangshme të jetosh me rrezikun, ta kuptosh dhe ta pranosh, me qëllim që ta administrosh atë.

Bankingu është një aktivitet biznesi kur rreziku është i pandarë. Kjo është e qartë kur mendohet për përbërjen normale të një bilanci banke, ose kur dikush fillon të llogarisë disa raporte të caktuara gjatë vlerësimit të pozicionit të tyre të likuiditetit. Bankat ndërmjetësojnë midis subjekteve që zotërojnë likuiditetet e tyre për një periudhë të caktuar kohe dhe të tjerëve që kanë nevojë për likuiditet për të vijuar ekzistencën dhe për të ofruar shërbimet dhe veprimtaritë e tyre. Këto grupe kanë një qëndrim të ndryshëm ndaj rrezikut, i cili formohet si pjesë e përvojës së tyre të mëparshme. Ata e shprehin këtë qëndrim përmes zgjedhjes që i bëjnë një banke të caktuar, një produkti të caktuar, një strukture maturimi të caktuar, një monedhe të caktuar, ose duke qëndruar tërësisht larg bankave. Për shumë nga ne, në rastin e tregjeve financiare dhe të sistemeve bankare të pazhvilluara, këto zgjedhje mund të mos jenë të logjikshme. Ato vijnë më tepër si rrjedhojë e një zgjedhjeje të kufizuar, dhe në shumë raste, e njohurive të kufizuara. Si të tilla, ato nënkuptojnë pak vetëdije ndaj rrezikut nga ana e klientëve, dhe për pasojë, motivim të pakët nga vetë bankat për të monitoruar rreziqet e tyre në mënyrë të kujdesshme.

Për këtë arsye, është e rëndësishme që bankat (dhe institucionet e tjera financiare) të ndërtojnë sistemet e tyre për të identifikuar, për të matur, për të monitoruar dhe për të administruar rreziqet. Me sisteme këtu kuptojmë para së gjithash ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ndërtimin e procedurave të cilat janë një tregues se sa mirë administratorët e bankës, përfshirë dhe bordin e drejtorëve, i kuptojnë rreziqet që lidhen me natyrën dhe shkallën e biznesit të tyre. Sigurisht, kjo punë bëhet më efikase nëse mbështetet nga teknologjia e informacionit, në një shkallë të mjaftueshme për madhësinë dhe kompleksitetin e biznesit bankar. Nga pikëpamja praktike, në sistemet financiare ku madhësia e disa institucioneve financiare është e një rëndësie sistemike, zhvillimi i një programi të administrimit të rrezikut është parësor. Përveç drejtuesve të bankave, përgjegjësia e të cilëve, e përsëris, është e një natyre parësore, autoriteti mbikëqyrës ka një interes dhe përgjegjësi të qartë për të siguruar që bankat individuale (dhe institucione të tjera financiare) kuptojnë atë çfarë bëjnë. Ky interes rrjedh jo vetëm nga obligimi ligjor, por është gjithashtu një instrument për të siguruar publikun që institucionet financiare drejtohen në mënyrë të sigurtë. Në fund, e gjithë kjo jep një kontribut themelor drejt realizimit të objektivit për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Historia dhe praktika kanë treguar se të kesh një mirëfunksionim të mbikëqyrjes është e rëndësishme, por jo e mjaftueshme. Është tregu ai që mund të zbulojë shumë mirë dhe në kohën e duhur qëndrimet që tregojnë një sipërmarrje rreziku të pakujdesshme nga ana e institucioneve financiare. Në një treg që funksionon në kushte normale, faktorët konkurrues i detyrojnë aktorët të vështrojnë tek njëri-tjetri për të identifikuar se çfarë mund të bëhet më mirë. Ky element forcohet ndjeshëm nëse shoqërohet nga kërkesat për një transparencë dhe përgjegjshmëri më të lartë. Në kushtet e një tregu të zhvilluar, puna e mbikëqyrësve, nga pikëpamja e identifikimit në kohë të sipërmarrjeve të pakujdesshme të rreziqeve nga ana e institucioneve financiare, bëhet më e lehtë. Nga ana tjetër, tregjet e hapura dhe të zhvilluara, zakonisht nënkuptojnë më shumë produkte të reja me karakteristika rreziku komplekse, që kërkojnë sisteme po të tilla për t'i mbështetur dhe për t'i monitoruar ato. Sigurisht, kjo kërkon një mbikëqyrje më të aftë dhe më të zhdërvjellët.

Ndërsa mirëfunksionimi dhe transparenca e tregjeve janë elementë që ndihmojnë mbikëqyrjen, këto elemente nuk e zëvendësojnë atë. Së pari, ndërsa tregjet e zhvilluara nënkuptojmë më shumë kapacitete për të analizuar ngjarje të kaluara dhe të ardhme, rreziku qëndron në mundësinë që ato të humbasin pamjen e përgjithshme globale meqenëse institucionet e veçanta nuk disponojnë të dhëna dhe në mjaft raste nuk e ndiejnë nevojën për të analizuar stabilitetin financiar të sistemit në tërësi. Së dyti, ajo që institucionet financiare individuale analizojnë dhe presin nga zhvillimet e ardhshme, është shpesh ajo që ata duan. Duhet të rikujtojmë gjithashtu se institucionet financiare të një madhësie të rëndësishme që presin zhvillime të ngjashme, e kanë pushtetin për të lëvizuar tregun drejt një drejtimi të caktuar. Mbështetur në elementë specifikë të çdo tregu kombëtar ose rajonal, kjo nuk tregon domosdoshmërisht një reduktim në nivelin e rrezikut. Për më tepër, risku sistemik është ende shumë i lartë në këtë rast.

Në këto kushte, është e rëndësishme të pajisen mbikëqyrësit me mjetet analitike të nevojshme, për të përdorur të dhënat globale të institucioneve financiare të mbikëqyrura, për të ndërtuar modele që do të sigurojnë një analizë globale. Si mbikëqyrës, nëpërmet asaj çfarë bëjmë dhe se kush jemi, ne jemi më të interesuar për atë që do të ndodhë nëse krijohet një situatë ekstreme. Çfarë ndodh nëse kursi i këmbimit lëviz në drejtim të kundërt? Si ndikon kjo mbi portofolin e kredisë së bankës X, e cila krediton kryesisht në valutë? Sa e madhe është kjo çështje për sistemin bankar në tërësi? Cilat janë zhvillimet në kursin e këmbimit që mund të ndikonin negativisht ndaj bilancit të një institucioni financiar dhe ndaj mbarë sistemit? Cili është kombinimi midis rrezikut të kursit të këmbimit dhe rrezikut të përqëndrimit, dhe ndikimi ndaj një institucioni që i mban shumicën e letrave me vlerë të qeverisë në qarkullim?

Të gjitha këto çështje janë të rëndësishme për rastin e Shqipërisë. Tregu financiar është në zhvillim, por kemi rrugë të gjatë për të bërë. Sektori bankar është pjesa më e rëndësishme, me aktivet e tij që llogariten në afërsisht 90 për qind të sistemit financiar. Duke parë madhësinë e bankave, sistemi vazhdon të jetë asimetrik. Megjithatë, kur vërehen produktet dhe shërbimet që bankat ofrojnë për publikun, pamja është më e balancuar. Kreditimi është ende i ulët krahasuar me vende të tjera të rajonit, por është duke u rritur me shpejtësi. Rreth 80 për qind e portofolit të kreditimit është në valutë. Investimet e likuiditetit në letrat me vlerë janë në rritje. Në fund të vitit 2004, kthimi mbi kapitalin qëndronte në nivelin 21.1 për qind, ndërsa kthimi mbi aktivet ishte 1.28 për qind. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit qëndroi në nivelin 21.6 për qind. Që nga fillimi i vitit 2004, shteti nuk ushtron më kontrol mbi kapitalin bankar. Ndonëse ekonomia shqiptare është e vogël, mundësitë për zgjerim janë reale meqenëse ekonomia është shumë e hapur dhe rajoni është duke u integruar gjithnjë e më shumë në zonën ekonomike të Bashkimit Europian. Në kushte të tilla, ne presim zhvillime më pozitive në sektorin financiar dhe sektorin bankar në veçanti. Ndërsa situata për sistemin në tërësi është e kënaqshme, ka disa sfida që duhen përballuar, të cilat kërkojnë nevojën e një ndërgjegjësimi më të madh në industri dhe një monitorim më të kujdesshëm nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Kështu, për shkak të strukturës së sistemit bankar dhe mjedisit të një konkurrence në rritje, pritet që bankat e vogla individuale të kalojnë kohë më të vështira në të ardhmen. Ne parashikojmë të shohim një ulje të kufijve të fitimit të tyre, të cilat mund të pengojnë përpjekjet e tyre për t'u pozicionuar më mirë në treg. Nga ana tjetër, ato do të detyrohen të gjejnë rrugë të reja për të rritur financimet dhe të ardhurat e tyre. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë do t'i kushtojë një vëmendje të veçantë këtyre bankave, meqenëse në këto kohë të vështira, procedurat dhe kontrollet në aktivitetet bankare me normë fitimi të lartë (si kreditimi), synojnë të zbuten. Në të njëjtën kohë, si bankë qendrore, ne besojmë se ka mundësi për konsolidim të sistemit bankar. Ne besojmë se nëpërmjet këtij procesi, bankat me profil të lartë ndërkombëtar mund të hynin në tregun shqiptar në rritje ose bankat ekzistuese të vogla dhe të mëdha mund të pozicionoheshin më mirë në treg.

Banka e Shqipërisë dëshiron të shohë një nivel më të lartë ndërmjetësimi të sistemit bankar dhe një ndikim më të madh mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Ne do të inkurajojmë sistemin bankar për të kredituar më shumë ndaj bizneseve të shëndosha dhe ndaj atyre fushave të ekonomisë që tërheqin me një progres të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm. Megjithatë, në çdo rast, ne do të insistojmë që bankat të ruajnë të forta proceset e garantimit dhe të administrimit të kredisë, në mënyrë që të sigurohet një rritje e balancuar dhe e fortë e aktivitetit. Për shkak të kompozimit monetar të portofolit të kredisë, është e rëndësishme që bankat t'i kushtojnë vëmendje të veçantë hyrjeve në cash të huamarrësve të tyre, meqë këto mund të mos shprehen gjithnjë në të njëjtën monedhë si dhe kredia. Çdo ndryshim i papritur, në kah të kundërt, i kursit të këmbimit mund të nënkuptojë probleme, nëse nuk jemi të përgatitur paraprakisht për t'u bërë ballë atyre. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë dëshiron të shohë nivele më të larta kreditimi në monedhën vendase. Kjo, së bashku me informacione të tjera, do të përmirësojë aftësinë e saj për të parashikuar më mirë zhvillimet në mekanizmin e transmisionit dhe në drejtimin e politikës së saj monetare. Duke parë në një këndvështrim makrofinanciar më të gjerë, Banka e Shqipërisë ka kontribuar për këtë qëllim duke ulur normën e repove në nivele të ulta historike dhe duke mbyllur diferencialin e normës së interesit të kreditimit midis monedhës vendase dhe valutës.

Zhvillimet e reja të sistemit bankar dhe financiar, shtrojnë sfida të reja. Është e rëndësishme që këto sfida të mirëidentifikohen dhe të mirëkuptohen duke vepruar siç duhet ndaj tyre. Ne duam ta bëjmë këtë në bashkëpunim me sistemin bankar. Linjat e hapura të komunikimit dhe diskutimi transparent dhe i frytshëm mbi zhvillimet e reja do të ndihmojnë secilën palë për të kuptuar më mirë problemet dhe për të vepruar sa më shpejt për ndryshimin e situatës, brenda kuadrit rregullator. Ne do të vazhdojmë të përmirësojmë proceset tona mbikëqyrëse, me synimin për ta bërë mbikëqyrjen proaktive dhe tërësisht të orientuar drejt çështjeve të riskut. Ne do të investojmë kohë dhe para të konsiderueshme për të rritur cilësinë e stafit tonë. Ne synojmë ta bëjmë kuadrin tonë rregullator sa më në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare, duke patur në konsideratë edhe kushtet tona specifike.

Të nderuar pjesëmarrës,

Unë besoj se ky seminar do të na ndihmojë për të shtrirë njohjen tonë lidhur me rrezikun në sektorin financiar dhe bankar, si dhe për të promovuar "stress-testing" si një nga teknikat e vlerësimit të tij. "Stress-testing", i përdorur më vete dhe së bashku me teknika të tjera, është një mjet për të verifikuar rezistencën e institucioneve tona financiare dhe të sistemit financiar. Në Bankën e Shqipërisë, ne kemi shumë interes të njohim përvojat tuaja. Prandaj do të doja t'ju inkurajoja për të sjellur në këtë seminar shembujt tuaj realë. Unë besoj se juve gjithashtu do t'ju pëlqejë Tirana, një qytet që po ndryshon me shpejtësi, edhe për ata që jetojnë këtu. Ju do të kuptoni diçka më shumë rreth këtij vendi dhe popullit të tij, dhe kjo mund të jetë aq interesante sa ju mund të dëshironi të vinit përsëri. E fundit por jo më pak e rëndësishme, do të doja të falenderoja Fondin Monetar Ndërkombëtar, Z. Driessen dhe kolegët e tij, për mbështetjen e dhënë për zhvillimin e këtij seminari të përbashkët në Tiranë, si dhe për dhënien e ekspertizës së tyre të çmuar në planin teorik dhe praktik.

Faleminderit dhe suksese.