BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjalim përshëndetës i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në seminarin teknik - Zhvillimi dhe zbatimi i Indeksit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit në Shqipëri - Hotel Tirana International, 3 korrik 2006

Data e publikimit: 03.07.2006

 

Informacioni mbi tregjet dhe zhvillimet më të fundit ekonomike mund të konsiderohet si çelësi i suksesit për bizneset në kohët moderne të zhvillimeve të vrullshme të teknologjisë dhe informacionit ( mjafton t'i hedhësh një sy të shpejtë faqeve të pafundme të Reuters apo të vendit që zënë lajmet e biznesit për të kuptuar këto zhvillime). Megjithëse në pamje të parë mund të mos duket problemi më akut që bizneset shqiptare po hasin aktualisht si energjia, informaliteti etj., jo shumë larg prej tani do të lindë nevoja e njohjes dhe e analizave të tregut në kohë reale, për t'u përballur me sfidat e globalizimit. Parë në një aspekt më të gjerë, ekonomia e një vendi nuk mund të arrijë një konkurrueshmëri ndërkombëtare nëse politikat e zhvillimit mbështeten në një bazë të dobët informacioni real.

seminari IBB 1089 0

Për Bankën e Shqipërisë informacioni mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe pritshmëritë është i pazëvendësueshëm për vendimmarrjen e politikës monetare. Prej kohësh është bërë e qartë që procesi i ruajtjes së stabilitetit të çmimeve - objektivit tonë kryesor - është një proces që duhet të shikojë përpara në kohë. Me gjendjen aktuale të statistikave kombëtare, të cilat dalin me vonesa ndonjëherë dhe deri në dy vjet, kuptohet që detyra jonë bëhet mjaft e vështirë.

Progresi në fushën e statistikave si në shumë fusha të tjera, mund të kërkojë një kohë relativisht të gjatë. Ndërkohë, vendimet tona duhet të mbështeten mbi baza sa më të shëndosha. Në këtë boshllëk informacioni, një nga zgjidhjet tona ka qenë anketimi i agjentëve të ndryshëm ekonomikë. Prej katër vjetësh, Banka e Shqipërisë ka filluar vlerësimin e indeksit të besimit të bizneseve dhe të indeksit të besimit të konsumatorëve. Këto anketime që bëhen çdo tremujor me ndihmën e INSTAT-it, përfshijnë mbi 600 biznese të sektorëve të prodhimit, të ndërtimit dhe të shërbimeve dhe 1500 konsumatorë. Informacioni i mbledhur lidhet me ecurinë e çmimeve, të konsumit, të të ardhurave, të prodhimit, të punësimit, të investimeve e të shumë treguesve të tjerë, të cilët na ndihmojnë mjaft në vendimmarrjen e politikave monetare.

Gjatë kësaj kohe janë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke synuar përmirësime të vazhdueshme metodologjike të indekseve. Për këtë qëllim, janë organizuar takime dhe diskutime në nivel teknik me pjesëmarrje edhe të ekspertëve të huaj, janë prezantuar rezultate e analiza të vrojtimeve si edhe probleme të dala, janë organizuar takime trainuese me INSTAT dhe intervistuesit e tyre, me synimin e arritjes së një shkalle të lartë konfidence në tregues të tillë të rëndësishëm.

Që prej fillimit, në këtë proces të rëndësishëm Banka është asistuar nga ekspertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike IFO, me reputacion ndërkombëtar në fushën e indekseve të besimit të biznesit. Kjo asistencë është mundësuar nga zyra e GTZ-së në Tiranë. GTZ ka ndërmjetësuar dhe mbështetur, ardhjen e disa ekspertëve gjermanë në Bankën e Shqipërisë, siç është rasti i sotëm kur kemi kënaqësinë që midis nesh të kemi z. Gernot Nerb (IFO) një ndër ekspertët kryesorë të institutit IFO për llogaritjen e indeksit të besimit të biznesit në Gjermani. Ai do të zhvillojë disa prezantime në lidhje me përdorimin e indekseve të llogaritura nëpërmjet anketimeve, për të analizuar zhvillimet reale të ekonomisë dhe ato financiare.

Megjithëse deri më sot rezultatet e pyetësorëve tanë janë pasqyruar indirekt në analizat dhe raportet tona periodike dhe në studime të ndryshme të Bankës, shumë shpejt Banka mendon të fillojë publikimin e rregullt të këtyre rezultateve. Një hap paraprak i rëndësishëm në këtë drejtim, të cilit i shërben dhe ardhja e z. Nerb, është dhe konsolidimi i metodologjisë së zbatuar në llogaritjen e këtyre indekseve, nëpërmjet një ekspertize profesionale si ajo e IFO-s. Në një fazë të dytë, kemi menduar të zhvillojmë disa takime me biznese dhe akademikë në bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe universitetet, ku do të mund të marrim sugjerime mbi vlefshmërinë e këtyre pyetësorëve.

Përgjatë të njëjtës linjë të përmirësimit të burimeve të informacionit ekonomik, një tjetër iniciativë e ndërmarrë prej nesh ka të bëjë me aktivizimin e degëve të Bankës së Shqipërisë në mbledhjen dhe analizimin e zhvillimeve ekonomike në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Deri më tani janë realizuar disa anketime që kanë dhënë rezultate mjaft interesante. Në dallim nga IBB, këta pyetësorë synojnë të marrin një informacion sasior më të plotë dhe të vazhdueshëm në kohë mbi gjendjen e tregut të punës, ecurinë e çmimeve, prodhimin dhe mbi marrëdhëniet e bizneseve me bankat. Ky informacion do të përdoret për të llogaritur disa tregues të rëndësishëm si produktiviteti, kosto për njësi e punës etj., të cilët janë shpesh mjaft të nevojshëm në punët studimore të Bankës së Shqipërisë. Aktualisht, këta tregues nuk ofrohen nga statistikat aktuale zyrtare.

Gjithashtu, dëshiroja t'ju thoja se të dhënat që ne kemi deri më sot tregojnë për një rritje të presioneve inflacioniste, gjë që duhet ta keni vënë re edhe në deklaratën e disa ditëve më parë të Këshillit Mbikëqyrës, dhe Banka e Shqipërisë po përgatitet për një rritje të normës bazë të interesit në një kohë të afërt. Uroj që informacioni i marrë nga Banka e Shqipërisë, dhe komunikimi ynë me publikun nëpërmjet medias të jetë sa më i frytshëm. Ne gjithnjë përpiqemi të përmirësojmë kanalet e komunikimit me publikun.

Duke ju uruar për një ditë produktive pune.

Faleminderit