BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjalim përshëndetës i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në seminarin teknik Sistemet e Mbikëqyrjes për Vlerësimin dhe Monitorimin e Stabilitetit Ekonomik dhe Financiar

Data e publikimit: 24.07.2006

 


Të nderuar pjesëmarrës,

Do të dëshiroja t'ju falenderoja që keni gjetur pak kohë për të marrë pjesë në këtë seminar mjaft të rëndësishëm për ne. Më lejoni fillimisht ti uroj mirëseardhjen znj. Alvarez-Plata dhe z. Kholodilin, dy ekspertëve nga instituti i mirënjohur gjerman për kërkime ekonomike DIW, të cilët gjatë këtyre dy ditëve do të mbajnë disa prezantime dhe do të diskutojnë në lidhje me futjen dhe zbatimin e sistemeve të sinjalizimit të hershëm për stabilitetin e tregjeve financiare dhe të kursit të këmbimit.

Tashmë është e dukshme që Banka e Shqipërisë prej disa vitesh po punon ngushtë me partnerë të rëndësishëm ndërkombëtarë si GTZ, në projekte të ndryshme të cilat kanë si qëllim përmirësimin dhe konsolidimin e punës së bankës në arritjen e objektivave tanë kryesorë. Përfitoj nga rasti që të falenderoj Prof. Bolle, i cili prej disa kohësh po koordinon bashkëpunimin tonë me GTZ dhe znj. Guda, koordinatoren lokale të GTZ për mundësimin e këtij seminari që është në vazhdën e një serie aktivitetesh që po organizojmë me GTZ.

Seminari i sotëm përqendrohet në një çështje për të cilën puna jonë ka filluar prej disa kohësh. Kështu, vitin e kaluar në prill, në Tiranë u organizua seminari rajonal me temë "Stress-Testing" ose "Prova e Vështirësisë", ku u diskutuan mënyrat për identifikimin në kohë të pikave të dobëta të sistemit financiar, të cilat mund të rrezikojnë ruajtjen e stabilitetit të tij, në rast se kushtet makro dhe mikroekonomike përkeqësohen papritur.

Seminari i sotëm për nga tematika është i ngjashëm por sjell metoda më të përparuara për sa i përket sistemeve të hershme të paralajmërimit. Ndërkohë që këto metoda dhe diskutime përmbajnë një shkallë të lartë teknikaliteti, më lejoni të shpjegoj shkurt dhe disi më thjesht, çfarë synohet me implementimin e tyre.

Javën e kaluar Banka e Shqipërisë ndryshoi normën e saj bazë të interesit. Siç mund të na keni ndjekur dhe në prononcimet tona, rritja e normës së interesit erdhi si rrjedhojë e pritshmërive për efektin në të ardhmen, të faktorëve të ndryshëm që kanë lidhje me inflacionin. Pra, e rëndësishme për politikat që ne zbatojmë është paraprirja dhe shmangia e presioneve destabilizuese përpara, dhe jo korrigjimi i tyre pasi ato kanë ndodhur. Pritja për marrjen e masave pasi sinjalet bëhen fakt mund të jetë e kushtueshme në dy aspekte. Së pari, ruajtja e stabilitetit nuk është e qëndrueshme, duke qenë se nuk merret asnjë masë deri sa gjendja makroekonomike përkeqësohet. Së dyti, - masat që merren pas destabilizimit zakonisht e japin ndikimin e tyre me një vonesë kohore mbi një vit - ndaj, jo vetëm që janë të pafuqishme për të zbutur gjendjen aktuale, por dhe mund të shkaktojnë efekte përkeqësuese të panevojshme në të ardhmen, kur ekonomia mund të ketë rikuperuar gjendjen e saj normale.

Sigurimi i stabiliteti financiar nuk ndryshon shumë nga logjika e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik. Në këtë rast, motoja "parandalim më mirë se sa shërim" merr një rëndësi të veçantë, duke patur parasysh kostot e mëdha që shoqërojnë krizat financiare. Zgjerimi i vrullshëm i aktivitetit kreditor dhe financiar të sektorit bankar vitet e fundit, megjithë aspektin pozitiv të tij në nxitjen e rritjes ekonomike, duhet thënë që ka rritur gjithashtu dhe presionin për të qenë më vigjilente në monitorimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar. Zhvillimi dhe zgjerimi i shpejtë, pavarësisht zbatimit me rigorozitet të praktikave më të mira të monitorimit, gjithmonë karakterizohet nga elemente rreziku, të cilat në situata normale tentohet të nënvleftësohen ose të kalojnë të pavëzhguara sidomos në nivel sistemi. Janë pikërisht metodologjitë që do të diskutohen gjatë këtyre ditëve, të cilat vijnë në ndihmë të identifikimit të këtyre rreziqeve dhe marrjes së masave të nevojshme në kohë.

Metodat që do të prezantohen dhe diskutohen në këtë seminar janë të ndryshme, nga ato joparametrike deri te ato që përdorin metoda të sofistikuara modelimi dhe ekonometrie. Pavarësisht kompleksitetit të tyre, secila metodë ka të mirat dhe kufizimet e saj. Qëllimi ynë është të krijojmë dhe të zbatojmë një paketë sa më të gjerë instrumentesh paralajmëruese në mënyrë që të minimizohet gabimi që mund të vijë nga supozimet dhe metodologjitë e përdorura nga metodat e ndryshme. Vetë kjo paketë do të jetë plotësuese e masave më të gjera të përmirësimit të mbikëqyrjes, që ne po konsiderojmë për të mos i lënë asgjë rastësisë në lidhje me ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit financiar.

Duke mos dashur t'ju marr më shumë kohë, ju uroj punë të mbarë!