BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Forumi IV Financiar

Data e publikimit: 23.06.2016

 

Në datë 23 qershor 2016 zhvilloi punimet Forumi IV Financiar, organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nën kujdesin e veçantë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko. Këtë vit, diskutimet e këtij forumi u fokusuan në çështjen e rigjallërimit të kreditimit, në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme.

Në forum morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ministri dhe Zëvendësministri i Financave, Ministrja dhe Zëvendësministri i Ekonomisë, drejtues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, drejtuesit ekzekutivë të bankave kryesore që operojnë në Shqipëri dhe përfaqësues nga bankat mëma, drejtuesit e misioneve dhe përfaqësuesit vendorë të FMN-së dhe Bankës Botërore, përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Autoritetit Bankar Evropian (EBA), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), etj.

forumi iv financiar dsc9111 1 copy 1 8560 0

Ky forum, i kthyer tashmë në traditë, shërben si një platformë për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur qëndrime në lidhje me problemet e ndryshme që lidhen me sektorin bankar e financiar në vend. Pjesëmarrja e gjerë reflektoi objektivin e organizatorëve për të nxitur diskutime aktive midis palëve të pranishme dhe për të ndihmuar në një qasje të shumanshme dhe të hollësishme ndaj tematikës së forumit.

Në prezantimin e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, fillimisht u ndal në perspektivën ekonomike të Shqipërisë, ku evidentoi faktin se rimëkëmbja ekonomike e vendit vazhdon sipas parashikimeve të bëra dhe se pritshmëritë për vitet 2016 dhe 2017 janë për ritme më të larta rritjeje. Më konkretisht ai theksoi se: “....në afatin e shkurtër dhe në atë të mesëm, rimëkëmbja ekonomike pritet të forcohet nga rritja e kërkesës private për tu ndjekur në periudhën afatgjatë nga një stimul i mëtejshëm i gjeneruar nga rritja e eksporteve.”

forumi iv financiar dsc9152 copy 8561 0

Megjithatë, që rritja të jetë e qëndrueshme, ajo duhet të gjejë mbështetjen e nevojshme nga kreditimi i mjaftueshëm i sektorit bankar, përndryshe rimëkëmbja ekonomike nuk mund të gëzojë një qëndrueshmëri afatgjatë. Në fjalën e tij, Guvernatori evidentoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të krijuar një ambient sa më favorizues për nxitjen e kreditimit të ekonomisë. “ Për të mbështetur rritjen e kreditimit, - nënvizoi ai - ne si bankë qendrore jemi përpjekur që të ndikojmë të dy drejtimet: si kahun e kërkesës ashtu dhe atë të ofertës për kredi.

Nga ana e kërkesës, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në vazhdimësi një politikë monetare lehtësuese, e cila sipas analizave të saj është transmetuar në mënyrë të vazhdueshme në ekonomi. Për rrjedhim, kreditimi në monedhën vendase, si rezultat i reduktimit të dukshëm të përqindjes së interesit, ka shënuar rritje të dukshme ndër vite.

forumi iv financiar dsc9141 2 8562 0

Ndërkohë, nga ana e ofertës, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë veprimesh rregullatore që kanë synuar ristrukturimin e kredisë, nxjerrjen e kredive këqija jashtë bilancit, zgjatjen e afatit të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në bilancet e bankave, etj. Gjithashtu, janë ndërmarrë masa kundër ciklike lidhur me nxitjen e kreditimit, duke kërkuar kapital shtesë për bankat që rrisnin investimet e fondeve jashtë vendit dhe duke lehtësuar kërkesat për kapital për bankat që kanë rritje më të lartë të kreditimit.

Përsa më sipër, Guvernatori kërkoi që sistemi bankar të jetë më largpamës dhe më elastik në politikat e kreditimit. “Ju duhet të forconi bashkëpunimin dhe të përmirësoni partneritetin me bizneset lokale, të kërkoni në mënyrë aktive raste të mundshme të kreditimit të shëndetshëm, t’i përshtatni produktet e kredidhënies sipas profilit specifik të rrezikut të biznesit/sektorit/vendit, të nxisni ristrukturimin e hershëm për bizneset produktive, mbështetur në udhëzime të qarta dhe transparente.” – tha Guvernatori.

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori i bëri thirrje pjesëmarrësve ta promovojnë në mënyrë aktive Shqipërinë, pasi perceptimi është më negativ krahasuar me realitetin në Shqipëri. Promovimi i Shqipërisë dhe pasqyrimi i realitetit, ndikon pozitivisht në uljen e rrezikut të perceptuar të vendit, duke lehtësuar punën e bankave në veprimtarinë e kreditimit.

Gjatë punimeve të forumit, të gjithë pjesëmarrësit diskutuan gjerësisht në lidhje me problematikat dhe çështjet e tjera që vlerësohen si pengesa për rigjallërimin e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë, ndërkohë që në përfundim të tij u hartuan edhe konkluzionet përkatëse.

Më konkretisht, konkluzioni i parë lidhet me domosdoshmërinë e stabilitetit ekonomik dhe atij financiar të vendit. Forcimi i ekuilibrave makro-financiarë është garant për rritje të qëndrueshme, e për rrjedhim krijon premisat e domosdoshme për një rritje të kredisë bankare në të ardhmen e afërt.

Një rëndësi të veçantë, autoritetet e vendit duhet t’i kushtojnë përmbushjes së gjithë pikave të përcaktuar në planin ndërinstitucional për uljen e kredive me probleme. Pas përmbushjes me sukses të të gjithë masave që lidhen me aktet rregullatore, është e rëndësishme të përparohet me shpejtësi në miratimin përfundimtar të paketës ligjore pjesë e këtij plani.

Përmirësimi i mëtejshëm i klimës së biznesit, vlerësohet si një drejtim tjetër i rëndësishëm ku duhen përqendruar përpjekjet në të ardhmen. Megjithë progresin e arritur, në periudhën në vijim, autoritetet janë të angazhuara për të ndërmarrë veprime të mëtejshme në këtë drejtim.

Niveli i lartë i kredive me probleme u pranua si një nga faktorët e rëndësishëm që ndikon negativisht ofertën e sistemit bankar për kredi. Për këtë arsye, një theks i veçantë ju vu studimit të hollësishëm të praktikave bashkëkohore ndërkombëtare, të cilat në shumë vende kanë rezultuar të suksesshme në nxitjen e kredisë bankare.

Një konkluzion tjetër i rëndësishëm lidhet me nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të strategjisë së komunikimit nga ana e të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, me qëllim promovimin e nismave të ndërmarra dhe potencialeve që ofron vendi.

Në përfundim të forumit, në emër të Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Guvernatori Sejko falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre dhe nënvizoi edhe një herë rolin vital që luan kreditimi në zhvillimin ekonomik të vendit.

Prezantimi i Guvernatorit Sejko

Fjala e Ministrit Ahmetaj

Prezantimi i Shefes së Misionit të FMN-së Tuladhar