BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Forumi i II Financiar i Shqipërisë, 26 Mars 2014

Data e publikimit: 26.03.2014

 

Në datën 26 mars 2014, u mbajt në Tiranë mbledhja e dytë e Forumit Financiar  të Shqipërisë,e zhvilluar nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dhe e bashkëorganizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Mbledhja ofroi një  tryezë të përbashkët diskutimi midis grupeve bankare kryesore që veprojnë në Shqipëri e filialeve të tyre,autoriteteve shqiptare që monitorojnë sistemin financiar, përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Autoritetit Evropian të Bankave dhe Bankës Qendrore Evropiane. Në mbledhje morën pjese dhe diskutuan Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj.  

foto forum 6524 0

Diskutimet u përqendruan në analizën e zhvillimeve aktuale dhe vlerësimin mbi  perspektivën e ekonomisë dhe të sistemit financiar  në Shqipëri, sidomos në kuadër të reformave strukturore të ndërmarra nga qeveria  dhe të mbështetura nga programi i ri me FMN-në.

Në këtë kuadër, në mbledhje pjesëmarrësit diskutuan mbi rolin e sistemit financiar dhe posaçërisht të sektorit bankar, në mbështetjen e zhvillimit ekonomik te vendit. Me rëndësi në nxitjen e ndërmjetësimit financiar, u vlerësua nevoja për të vepruar me shpejtësi në drejtim të uljes së kredive me probleme. Pjesëmarrësit theksuan se përpjekjet në këtë drejtim tashmë mbështeten më mirë prej ndryshimeve legjislative që janë kryer lidhur me ekzekutimin e kolateralit,  atyre që do të miratohen së afërmi lidhur me trajtimin tatimor të fshirjes nga bilanci i bankave të kredive të humbura, si edhe nga ekspertiza konkrete që po ofron Banka Botërore. Këto masa, plotësohen nga reformat strukturore të ndërmarra së fundmi nga qeveria, për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Pjesëmarrësit vlerësuan se kredia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri është një fushë që ka potencial rritjeje në të ardhmen.

Më tej, në mbledhje u diskutua mbi çështje që lidhen me strategjitë e veprimtarisë se bankave lokale që janë pjesë e grupeve bankare evropiane, përshtatshmërinë e kuadrit rregullativ dhe ndikimin që kanë mbi to nismat evropiane në fushën bankare. Në këtë drejtim, përfaqësuesit e grupeve bankare evropiane theksuan angazhimin e tyre për të mbështetur veprimtarinë e filialeve të tyre në Shqipëri.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan pozitivisht mundësinë konkrete që ofroi ky forum për një shkëmbim të hapur të pikëpamjeve dhe identifikimin e çështjeve që duhen ndjekur në vijimësi.

******

Mbledhja e parë e Forumit Financiar të Shqipërisë u mbajt në 8 prill, 2013. Forumi u organizua nën kujdesin e Nismës së Vjena II, që sjell së bashku grupet kryesore ndërkombëtare bankare që operojnë në Evropën Qendrore, Lindore, dhe Juglindore, filialet e tyre lokale, si dhe autoritetet mbikëqyrëse të vendeve të origjinës dhe atyre pritëse, si dhe organizata ndërkombëtare, për të diskutuar dhe zgjidhur çështje me interes të përbashkët.(www.vienna-initiative.com)