BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP - Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani,
Gjatë prezantimit të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri dhe sfidave të ardhshme, organizuar nga Citigroup Londër, IFC - International Financial Services dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. 18 maj 2009

Data e publikimit: 22.05.2009

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Më lejoni të filloj duke falenderuar Ambasadën e Shqipërisë këtu në Londër për organizimin e këtij takimi. Është një kënaqësi për mua që t’ju ofroj një panoramë të shkurtër mbi tendencat dhe zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Takime të këtij lloji janë mjaft të rëndësishme për ballafaqimin e mundësive që ofron një vend me ekonomi në zhvillim me dëshirën e vendeve të zhvilluara për kthim më të lartë.

Progresi ynë makroekonomik gjatë viteve të fundit, sistemi i shëndoshë bankar dhe angazhimi ynë për rritjen e eficiencës së tij janë pikat e forta me të cilat unë vij sot përpara jush. Gjendja e shëndoshë dhe e qëndrueshme ekonomike dhe financiare është arritur përmes zbatimit të një politike monetare moderne dhe vizionare, dhe si rezultat i një politike të përgjegjshme fiskale.

Suksesi makroekonomik dëshmon për aftësinë e autoriteteve shqiptare për identifikimin në kohën e duhur të prioriteteve, si dhe për zbatimin e reformave të shëndosha ekonomike dhe shoqërore. Si rezultat, për herë të parë në vitin 2007, Shqipëria pati gradimin e saj të pavarur lidhur me profilin e rrezikut të saj. Agjencia Moody e vlerësoi Shqipërinë me B+, vlerësim i cili ishte i njëjtë edhe për vitin 2008.

Në dy vitet e fundit, vendi ynë ka bërë mjaft progres në drejtim të klimës së biznesit, fakt i cili mbështetet nga mjaft të dhëna. Do të doja të përmendja këtu anketën e Bankës Botërore “ Cost of Doing Business” (“Të bësh biznes”), e cila e ka ngjitur Shqipërinë nga vendi i 135-të në atë të 86-të.

Për herë të parë në fund të vitit 2007, borxhi publik i Shqipërisë në monedhën vendase u tregtua në tregjet financiare ndërkombëtare.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë mjaft përmirësime në drejtim të administrimit fiskal dhe monetar të vendit. Zbatimi i taksës së sheshtë prej 10 për qind u pasua nga një rritje e konsiderueshme në mbledhjen e taksave.

Përmirësimet e fundit në legjislacion kanë kontribuuar në krijimin e një klime më të favorshme biznesi. Disa nga zhvillimet më kryesore mund të përmenden: sistemi i thjeshtuar i vendosjes së taksave, procedurat më të lehta dhe më pak të kushtueshme të tyre; infrastruktura më e mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me to; prezantimi i procedurave elektronike për taksat, si dhe ulja e kontributit për sigurimin shoqëror.

Vlen të përmendet gjithashtu, projektligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative në Republikën e Shqipërisë, i cili është në fazë diskutimi. Ky ligj do krijojë gjykata administrative, të cilat do të kenë mjaft kompetenca për të gjykuar mbi vendimet e marra nga autoritetet fiskale shqiptare.

Procesi i integrimit ka bërë hapa përpara me dy ngjarje mjaft të rëndësishme. Në fillim të muajit prill të këtij viti, në Samitin e Strasburgut, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, ndërkohë që vetëm pak javë më vonë, vendi ynë i paraqiti Presidencës Çeke aplikimin zyrtar për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.

Falë pozicionit të saj gjeografik mjaft strategjik, Shqipëria është shndërruar kohët e fundit në një faktor mjaft i rëndësishëm ekonomik, politik dhe stabilizues për rajonin. E karakterizuar nga këto elemente të rëndësishme gjeopolitike, Shqipëria bëhet urë lidhëse për Evropën Juglindore.

Gjatë dekadës së fundit, vendi ynë është karakterizuar nga një rritje ekonomike e lartë dhe joinflacioniste, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe e nxitur nga rritja e aktivitetit kreditues.

Në përgjithësi, Shqipëria ka arritur të mbajë çmimet nën kontroll, pa cënuar rritjen apo stabilitetin financiar të vendit. Gjatë viteve të fundit, vendi ynë ka regjistruar një rritje ekonomike vjetore prej 6 për qind. Aktiviteti ekonomik është rritur në mënyrë të mjaftueshme për të përballuar rritjen e shpejtë të kërkesës, duke kontribuar në mbajtjen e çmimeve nën kontroll dhe në ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin. Objektivi ynë për ruajtjen e nivelit të inflacionit total në 3 për qind ± 1 pikë përqindjeje është arritur në mënyrë të suksesshme.

Në fund të vitit 2008, inflacioni total i çmimeve të konsumit u luhat në rreth 3 për qind. Pavarësisht zhvlerësimit të moderuar të kursit të këmbimit gjatë muajve të parë të vitit 2009, presionet inflacioniste janë ulur në përgjigje të zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare dhe tkurrjes ekonomike në partnerët tanë kryesorë tregtarë, si dhe të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik në vend. Megjithatë, vlerësimet tona tregojnë se inflacioni për 12 muajt në vijim do të mbetet brenda intervalit të tolerancës.

Vendi ynë është karakterizuar nga një konsolidim i vazhdueshëm fiskal gjatë viteve të fundit. Prania e FMN-së ka përfaqësuar një ankorë të rëndësishme të jashtme, duke nxitur kështu disiplinën fiskale. Megjithatë, për shkak të projekteve aktuale ambicioze për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, shpenzimet kapitale kanë pësuar rritje, duke kontribuar kështu në zgjerimin e deficitit fiskal në vitin 2008.

Projektet e mëdha infrastrukturore janë financuar ndërmjet të tjerash, nga të ardhurat e realizuara nga privatizimi i sektorëve institucionalë. Një gjë e tillë, ka kontribuar në ruajtjen e masës së borxhit publik të qeverisë në masën 55 për qind të PBB-së, masë kjo e pranueshme duke marrë parasysh Kriteret e Mastrihtit.

Kursi i këmbimit të monedhës vendase, lekut, është vendosur lirisht në tregun valutor. Banka e Shqipërisë beson se një regjim i lirë i kursit të këmbimit është një element i rëndësishëm në procesin e korrektimit të zhbalancimeve të mundshme makroekonomike.

Monedha vendase ka ruajtur nivele të qëndrueshme duke filluar nga vitet 2000. Gjithashtu, leku ka shfaqur një tendencë të lehtë dhe të vazhdueshme vlerësimi, si rezultat i rritjes së produktivitetit dhe shtimit të qëndrueshëm të të ardhurave nga emigrantët. Duke filluar nga viti 1998, luhatshmëria e kursit të këmbimit ka pësuar rënie të vazhdueshme.

Megjithatë, tendencat e fundit të zhvillimit, kryesisht në sektorin e jashtëm (rënia e të ardhurave nga emigrantët dhe zgjerimi i përkohshëm i deficitit të llogarisë korente), kanë kontribuar në zhvlerësimin e lekut. Deri në fund të muajit prill 2009, kursi nominal efektiv i këmbimit pësoi një rënie prej rreth 6 për qind. Pavarësisht kësaj, ky zhvlerësim mbetet në nivele të moderuara, krahasuar me përvojën e vendeve të tjera të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Të dhënat mbi bilancin e pagesave dëshmojnë për rritjen e besimit në ekonominë shqiptare, e reflektuar kryesisht në shtimin e investimeve të huaja direkte, të cilat në vitin 2008 arritën në 6 për qind të PBB-së.

Kuadri aktual i politikës monetare mund të konsiderohet si një regjim i nënkuptuar i inflacionit të shënjestruar, i administruar përmes përdorimit të instrumenteve indirekte të politikës monetare. Sinjalet e politikës monetare përçohen përmes vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë mbi normën bazë të marrëveshjeve njëjavore të riblerjes, si dhe përmes komunikimit të vazhdueshëm.

Burimet natyrore të vendit tonë, si dhe forca e lirë por e kualifikuar e punës, vijojnë të jenë elemente tërheqëse për të gjithë sipërmarrësit evropianë, të cilët dëshirojnë të eksplorojnë përparësitë që ofron globalizimi. Baza e eksporteve varion nga produktet bujqësore, deri tek ato minerale. Shqipëria ofron mjaft mundësi investimi në miniera, bujqësi, energji, infrastrukturë dhe turizëm. Industria e përpunimit të ushqimit po përjeton një zhvillim të kënaqshëm, duke krijuar njëkohësisht mjaft hapësira për rritje të aktivitetit. Ndërkohë që mundësitë në sektorin e energjisë variojnë nga ndërtimi i burimeve të reja, deri tek përmirësimi i rrjetit të shpërndarjes.

Fokusi strategjik i Shqipërisë drejt përmirësimit të infrastrukturës së transportit kërkon një pjesëmarrje më të madhe të sektorit publik dhe atij privat në ndërtimin e rrugëve dhe porteve të reja. Siç e përmenda dhe më lart, vendi ynë ofron mundësi të jashtëzakonshme për investime në turizmin bregdetar, alpin, historik dhe kulturor, si rezultat i pozicionit të saj të favorshëm në Mesdhe, trashëgimisë së pasur etnografike, si dhe klimës së ndryshueshme dhe gjeologjisë së saj.

Kultura e biznesit gëzon aftësi të mëdha përshtatëse. Gjuha angleze njihet mjaft mirë nga brezi i ri. Shqiptarët e konsiderojnë investimin në arsimimin e tyre si mjaft të rëndësishëm, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm profesionistësh të rinj janë arsimuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në universitete të tjera evropiane. Me arsimimin e tyre, ata kanë zhvilluar zakone perëndimore pune dhe përfaqësojnë faktorë të vlefshëm dhe ndihmues për zgjerimin e biznesit tuaj në rajonin e Ballkanit.

Jo pa qëllim e përmenda rajonin pak më lart. Shqipëria nuk është më një ishull i izoluar dhe i vetmuar i eksperimenteve të çuditshme ekonomike. Gjatë dy dekadave të fundit, ajo është transformuar në një treg të lirë, fleksibël, konkurrues dhe të hapur ndaj zhvillimeve moderne të globalizimit. Vendi ynë ka mësuar të pozicionohet siç duhet dhe të përfitojë nga zhvillimet ndërkombëtare në rajon. Gjeografikisht, Shqipëria gjendet në një pozicion kyç, që lidh lindjen me perëndimin.

Për sa i përket sistemit financiar, objektivi ynë është që të ruajmë një sistem të shëndoshë, likuid dhe fitimprurës. Në fund të vitit 2008, sistemi bankar shqiptar përbëhej nga 16 banka tregtare. Privatizimi i sistemit bankar përfundoi pesë vite më parë me privatizimin e Bankës së Kursimeve nga Banka Raiffeisen. Pas kësaj, në vitin 2004, përqindja e bankave private u rrit në 100 për qind, ku më shumë se 90 për qind e kapitalit aksioner është i huaj.

Gjatë viteve të fundit, kredia për sektorin privat dhe për individët është rritur në mënyrë të ndjeshme. Pa dyshim, kreditimi ka qenë një faktor mbështetës për rritjen ekonomike dhe investimet në vend.

Sektori bankar qëndron në pararojë të investimeve të huaja direkte dhe të procesit të integrimit të vendit. Ai përfaqëson një nga mundësitë më të suksesshme për investim në Shqipëri, duke përfituar mjaft nga prania e disa prej grupeve më të mëdha financiare në Evropë. Referenca ime për integrimin nuk i referohet vetëm pranisë së kapitalit të huaj, por edhe kapacitetit të sistemit bankar për të ndërmjetësuar dhe plotësuar iniciativat dhe investimet evropiane në ekonominë shqiptare. Këto banka gëzojnë reputacionin, aftësinë dhe infrastrukturën e nevojshme për të shërbyer si partnere për investitorët e huaj.

Sistemi bankar është i nevojshëm, por jo një kusht i mjaftueshëm për të nxitur mirëqenien ekonomike dhe për të realizuar shpërndarjen e burimeve për përdoruesit më të mirë të mundshëm.

Shpërndarja e tregut financiar në Shqipëri anon nga bankat universale tregtare. Lloje të tjera si fonde të përbashkëta, kompani investimi me rrezik të lartë, fonde pensioni dhe banka investimi nuk ekzistojnë.

Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera financiare të tregut po inkurajojnë krijimin e stimujve të duhur për promovimin e investimeve në këto segmente. Ne besojmë, se sistemi ynë financiar nuk i ka shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë e tij. Duke përfituar nga ky takim, do të doja të ftoja të gjitha kompanitë britanike që ta përfshijnë Shqipërinë në hartën e tyre të investimit.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Zhvillimet globale kanë dominuar axhendën e vendimmarrësve në mbarë botën. Deri tani, ekonomia shqiptare ka shfaqur rezistencë të admirueshme ndaj këtyre zhvillimeve. Stabiliteti makroekonomik dhe ai financiar janë arritur dhe sistemi bankar mbetet likuid.

Megjithatë, efektet e krizës financiare ndërkombëtare u shfaqën në ekonominë shqiptare duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2008. Pasoja e parë ishte tërheqja e depozitave, duke reflektuar rënien e besimit të publikut në sistemin bankar. Shkaqet kryesore që nxitën tërheqjen e depozitave në mesin e muajit tetor të vitit 2008, mendohen të jenë njohja e kufizuar e problemeve reale, e përforcuar prej njoftimeve nga të afërmit emigrantë në Itali dhe Greqi, të cilat nxitën panik në publik.

Një pasojë tjetër e dukshme lidhet me uljen e flukseve valutore hyrëse, në formën e të ardhurave nga emigrantët dhe të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, të cilat shtrënguan gjendjen e përgjithshme financiare në ekonomi, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit.

Në këtë pikë, Banka e Shqipërisë filloi të bëjë vlerësimin e situatës, me qëllim përgatitjen për efektet e raundit të dytë, të cilat do të vinin si pasojë e shtrëngimit të gjendjes së likuiditetit dhe të situatës botërore, e cila tashmë përballej me një recesion ekonomik. Banka e Shqipërisë i ka komunikuar shqetësimet e saj lidhur me ndikimin e tërthortë të krizës financiare, duke renditur efektet e mundshme të raundit të dytë që do të ushtrojnë presione më të forta gjatë vitit 2009:

  • Ne presim, që shtrëngimi i situatës së likuiditetit të ngadalësojë rritjen e kreditimit dhe rritjen ekonomike.
  • Ngadalësimi i pritur i eksporteve tona dhe ulja e çmimeve të mallrave do të çojnë në rritjen e deficitit tregtar. Gjithashtu, reduktimi i mëtejshëm i të ardhurave nga emigrantët do të kontribuojë në rritjen e deficitit të llogarisë korente.
  • Megjithatë, ne besojmë se regjimi i kursit të lirë të këmbimit do të jetë një instrument efektiv për rregullimin e konsumit dhe për pasojë, të importeve.
  • Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë për fiksimin e ndonjë çmimi në treg. Ashtu si përherë, ajo do të përpiqet që të shmangë çdo çrregullim të theksuar në treg.
  • Deficiti fiskal pritet të rritet, si rezultat i një ndikimi të pritur negativ të aktivitetit ekonomik mbi të ardhurat buxhetore dhe financimit të tyre, për shkak të shtrëngimit të situatës së likuiditetit në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
  • Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik do të ngadalësohet në mënyrë të ndjeshme. Megjithatë, ai do të mbetet në nivele pozitive.
  • Analizat stress-test tregojnë se cilësia e portofolit të kredisë pritet të përkeqësohet më tej, si rezultat i ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, zhvlerësimit të kursit të këmbimit, si dhe i efektit statistikor të rritjes më të ulët të kreditimit. Megjithatë, cilësia e këtij portofoli do të mbetet brenda kufijve të pranueshëm dhe nuk pritet që të kërcënojë ndjeshëm stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, objektivi afatshkurtër i Bankës së Shqipërisë u zhvendos drejt ruajtjes së stabilitetit dhe minimizimit të efekteve të raundit të dytë, duke mbajtur në vëmendje të vazhdueshme zhvillimet në inflacion, i cili është zhvendosur në kahun rënës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Viti me të cilin përballemi do të jetë i vështirë. Përpara nesh gjenden mjaft sfida. Kombinimi i krizës financiare me recesionin ekonomik botëror është një rast i paprecendentë. Vendi im, Shqipëria, është gjithashtu pjesë e kësaj tabloje globale. Deri tani, ne kemi arritur të ruajmë si stabilitetin ekonomik, ashtu dhe atë financiar. Ne mbetemi të angazhuar për ruajtjen e mëtejshme të këtyre arritjeve.

Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, mbetem i hapur ndaj çdo pyetjeje.