BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Ardian Fullani: Indekset e besimit nxisin investimet e huaja

Data e publikimit: 01.12.2006

 

Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin për Kërkime Ekonomike (IFO), Gjermani dhe Shoqatën Gjermane për Bashkëpunim Teknik në Tiranë (GTZ) organizoi në datat 30 nëntor- 1 dhjetor një seminar teknik për zhvillimin dhe implementimin e indeksit të besimit të bizneseve dhe indeksit të besimit të konsumatorëve. Ky aktivitet u organizua në vijim të seminarit paraardhës të zhvilluar në korrik të këtij viti.

Lektori kryesor i seminarit ishte Dr. Gernot Nerb, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Fushën e Industrisë në Institutin IFO, ekspert i njohur në lëmin e indekseve të besimit.

Në ndryshim nga paraardhësi, i cili ishte i përqendruar kryesisht në kontekstin shqiptar, ky seminar trajtoi zhvillimin e dy indekseve të besimit nga këndvështrimi rajonal. Në seminar morën pjesë edhe përfaqësues nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës, Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë, Banka Qendrore e Malit të Zi dhe Banka Kombëtare e Serbisë, si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe INSTAT.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani përshëndeti punimet e këtij seminari. Ai theksoi se informacioni (mbi bazën e së cilit ndërtohen indekset e besimit), përbën lëndën e parë për arritjen e gjykimeve të shëndosha mbi politikat e bankës qendrore. Gjithashtu, indekset e besimit promovojnë investimet e huaja duke mundësuar identifikimin e prioriteteve te rajonit tonë si dhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve rajonale. Indekset e besimit ndihmojnë politikëbërësit të hartojnë politika më të qarta zhvillimi, si dhe ekonominë në përgjithësi për një konkurrencë më të denjë e përmbushje më të mirë të standardeve ndërkombëtare sipas Fullanit.

Në të ardhmen Banka e Shqipërisë do të bëjë publike rezultatet e vrojtimeve të bëra deri tani, bashkë me analizat përkatëse.