BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në ceremoninë e listimit të titullit të parë jo-qeveritar në bursë

Data e publikimit: 07.07.2023

 

Në datën 5 korrik 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) me rastin e listimit të titullit të parë joqeveritar në bursë.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimaj, Kryetari i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, Drejtori i Përgjithshëm i Bankës Amerikane të Investimeve, z. Andi Ballta, Drejtoresha e Përgjithshme e institucionit financiar NOA, zj. Heriola Spahiu, Drejtoresha e Përgjithshme e ALSE, zj. Nada Vokshi si dhe përfaqësues nga bankat e nivelit të dytë, nga kompanitë e sigurimit, nga komuniteti i biznesit, si dhe përfaqësues nga qeveria shqiptare.

498-6624 498

Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e listimit të titullit të parë joqeveritar në bursë e cila vjen si rezultat i një punë dhjetëvjeçare të disa institucioneve si: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë si dhe falë ideatorëve të ndërtimit të një burse shqiptare të titujve, aksionarëve të saj Bankës Credins, Bankës Amerikane të Investimeve dhe AK-Invest.

Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko vuri në dukje përfitimet që ka ekonomia nga zhvillimi i tregut të kapitalit si: përmirësimi i financimeve afatgjata të kompanive; ndikimi në uljen e ekspozimit të vendit ndaj ndërprerjes së papritur të kapitalit të huaj; përftimit të asistencës në drejtim të thellimit të tregut financiar dhe rritjes së efikasitetit të shpërndarjes së kapitalit në ekonomi. Paralelisht, nëpërmjet investimeve të jorezidentëve, ajo ndihmon në sigurimin e likuiditetit si dhe në shpërndarjen gjeografike të rrezikut; përmirëson më tej stabilitetin financiar të vendit, ndikon në rritjen e shkallës së formalizimit të ekonomisë, në rritjen e transparencës financiare të bizneseve si dhe përmirësimon imazhin e tyre; rrit shkallën e mbikëqyrjes së tregut, si dhe përmirëson praktikat e mirëqeverisjes së vetë kompanive të listuara.

498-6428 498

Më tej Guvernatori Sejko u ndal edhe në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë që shërbejnë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për tregtimin dhe regjistrimin elektronik të shkëmbimit të titujve. Në këtë kontekst, ai përmendi punën e bërë për përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe krijimin e institucioneve depozitare, përfshirë këtu edhe ato private. Gjithashtu, ndër të tjera, Guvernatori Sejko përmendi punën e Bankës së Shqipërisë në drejtim të nxitjes së tregut sekondar të titujve qeveritarë për ta shndërruar atë në një treg më likuid, të aftë për të amortizuar ndikimin e goditjeve të primit të rrezikut të likuiditetit.

Bursa në vetvete është një institucion që mbart një rëndësi të veçantë në tregun e kapitaleve, ku shkëmbimet e titujve në bursë përbëjnë një tregues të rëndësishëm të shëndetit financiar të një kompanie në veçanti dhe të ekonomisë së vendit në përgjithësi.

498-6911 498

Në përfundim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u ndaj dhe në sfidat e së ardhmes për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitaleve. Në këtë drejtim, miratimi i Dokumentit Politik “Për krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027” shihet si një hap cilësor në zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Një projekt i rëndësishëm i ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë që synon identifikimin e nevojave për ndryshimet në aktet ligjore që rregullojnë veprimtarinë në tregjet financiare pritet të realizohet në të ardhmen në bashkëpunim me EBRD, AMF dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave.