BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në konferencën e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka Botërore dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, me temë “Diversifikimi i sistemit financiar nëpërmjet reformave të tregut të kapitalit”

Data e publikimit: 19.05.2022

 

Më 19 maj 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Banka Botërore (BB) dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri.

Konferenca me temë “Diversifikimi i sistemit financiar nëpërmjet reformave të tregut të kapitalit”, u hap nga fjalët përshëndetëse të z. Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Patrik Meier, Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, z. Emanuel Salinas, Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, z. Arben Ahmetaj, Zëvendëskryeministër dhe Ministër Shteti për Rindërtimin dhe Programin e Reformave.

 DSC1995 498

Konferenca ishte e organizuar në tre panele kryesore, ku Guvernatori Sejko ishte i ftuar si diskutant në panelin e parë, të drejtuar nga z. Michael Edwards, Këshilltar i lartë për sektorin financiar pranë Bankës Botërore, me temë “Zhvillimi i Sektorit Financiar në Shqipëri: nga forcimi i stabilitetit financiar në mbështetjen e rritjes ekonomike”, dhe panelistë zj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe z. Ervin Mete, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Gjatë diskutimeve në këtë panel, Guvernatori, si drejtues i autoritetit mbikëqyrës të ruajtjes së stabilitetit financiar, vlerësoi se veprimtaria e sektorit bankar në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare. 

 DSC1882 498

Guvernatori përmendi rezultatet pozitive në kuadër të uljes së kredive me probleme, të dhënat më të fundit të së cilës tregojnë për një rënie të kredive me probleme në nivelin 5.24 në muajin mars 2022.

Gjithashtu lidhur me sistemin bankar, ai shtoi se Banka e Shqipërisë vlerëson se konsolidimi i sistemit bankar është një zhvillim i konfirmuar tashmë, i cili do të sjellë një gjallërim të aktivitetit bankar, do të rrisë eficiencën bankare dhe do të mbështesë politika zhvilluese dhe modernizuese kreditimi e pagesash.

 DSC1732 498

Dy vitet e fundit kanë qenë të paprecedenta dhe sfiduese për ekonominë shqiptare dhe sektorin bankar, megjithatë konstatojmë me kënaqësi se sistemi bankar e financiar i ka përballuar me sukses këto sfida. Gjithashtu kontributi i sistemit bankar në rritjen e ekonomisë ka ardhur duke u përmirësuar ndër vite.

Lidhur me modernizimin e sistemit të pagesave, Guvernatori ndër të tjera shtoi se Banka e Shqipërisë ka kontribuuar në zhvillimin e tij. Për këtë qëllim, janë miratuar ndryshime thelbësore në kuadrin rregullator të sistemit të pagesave, të cilat do të ndikojnë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit. Modernizimi i këtyre sistemeve përmes digjitalizimit dhe inovacionit synohet të arrihet nëpërmjet një zhvillimi të mirërregulluar dhe me objektiva qartësisht të përcaktuar.

 DSC2304 498

Në këtë kontekst, edhe diversifikimi i sistemit financiar nëpërmjet një game të gjerë instrumentesh dhe shërbimesh që përmbushin nevojat e publikut është një iniciativë, e cila vitet e fundit ka marë mjaft vëmendje duke patur si synim përshtatjen ndaj kërkesave të kohës. Megjithatë është tejet e rëndësishme dhe një domosdoshmëri që çdo zhvillim në këtë drejtim të mbështetet gjithmonë në infrastruktura të sigurta dhe eficiente, si për sistemin financiar ashtu edhe për vetë publikun dhe ekonominë.

Ai theksoi si të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit dhe koordinimin me institucionet e tjera në vend për arritjen e një përqasjeje të përbashkët dhe sa më efikase për përmbushjen e projekteve të synuara, si në nivel vendimmarrës, ashtu edhe në atë teknik.

Në përfundim, Guvernatori Sejko u ndal dhe në një nga sfidat e fundit, siç është kriza e çmimeve dhe nënvizoi se ruajtja e inflacionit mbetet objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, e cila mbetet e gatshme të përdorë çdo instrument të saj ligjor me synim garantimin e stabilitetit të çmimeve.