BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në takimin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të EQLJL-së, me Drejtoren e Përgjithshme të FMN, zj. Kristalina Georgieva

Data e publikimit: 23.10.2020

 

Në datën 22 tetor 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), mori pjesë në takimin online të Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, zj. Kristalina Georgieva, në kuadër të Mbledhjeve Vjetore të (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

DSC 0525 498

Qëllimi i këtij takimi është diskutimi mbi : (i) zhvillimet dhe masat e politikave të marra nga vendet për të zbutur ndikimin e pandemisë në ekonomitë dhe popullsinë e tyre; dhe (ii) strategjitë e politikave të nevojshme për të zvogëluar ndikimin e goditjes, për të siguruar rimëkëmbjen dhe për të forcuar qëndrueshmërinë, duke trajtuar gjithashtu sfidat afatgjata.

DSC 0589 498

Ky takim u hap nga fjala përshëndetëse e Drejtores së Përgjithshme të FMN-së, zj. Kristalina Georgieva, e cila u shpreh se, për shkak të pandemisë COVID-19, ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim u goditën ashpër gjatë vitit 2020. Ajo shtoi se natyra e goditjes pandemike kërkon mbështetje të vazhdueshme të politikave, në varësi edhe të hapësirave që këto politika kanë në vendet e rajonit. Për më tej, politikëbërësit duhet të gjejnë mënyra për të vazhduar të mbështesin ekonominë, ndërsa përgatiten për botën post-pandemike dhe trajtojnë sfidat afatgjata.

DSC 0517 498

Në vijim, z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit për Evropën në FMN, paraqiti perspektivën ekonomike të rajonit evropian, vlerësoi marrjen në kohë të masave të jashtëzakonshme nga secili vend, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zgjidhje efektive rajonale dhe globale.

DSC 0481 498

Në këtë takim, u mbajtën dhe dy prezantime të cilat synonin të ndanin eksperiencat e bankave qendrore dhe autoriteteve fiskale në përballimin e kësaj krize. Për të paraqitur këndvështrimin e bankave qendrore, i përzgjedhur ishte Guvernatori Sejko, i cili mbajti një prezantim lidhur me përvojën dhe sfidat me të cilat u përballën institucionet dhe politikëbërësit në vendin tonë gjatë menaxhimit të kësaj situate.

Guvernatori u shpreh se në nivel global, perspektiva ekonomike po përmirësohet nga kontraktimi i shkaktuar nga Covid-19. Megjithatë, sfida të shumëfishta mbeten për politikëbërësit, ku mund të përmendet hapësira e kufizuar e politikave ekonomike për reagim në të ardhmen, ndikimi afatgjatë i kësaj goditjeje në ritmet e rritjes potenciale, si dhe ndikimi negativ që ajo mund te japë në procesin e integrimit ekonomik dhe koordinimit të politikave në nivel botëror.

Më tej, duke u ndalur në situatën në Shqipëri, Guvernatori Sejko theksoi se tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia shkaktuan goditje të dyfishtë brenda një periudhe kohore të shkurtër. Si përgjigje, nga Banka e Shqipërisë u morën masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

DSC 0509

Guvernatori shtoi se të gjithë aktorët publikë në vend kanë marrë masa ekonomike të koordinuara dhe në kohën e duhur, në aspektin fiskal, monetar dhe makroprudencial, duke zbutur efektet negative të pandemisë. Gjithashtu, ai evidentoi rolin e Instrumentit të Financimit të Shpejtë (RFI), akorduar Shqipërisë nga FMN në fillimet e pandemisë, i cili mbështeti stimulin tonë fiskal, lehtësoi ndikimin e tij në tregjet e brendshme financiare dhe sinjalizoi aftësinë e vendit për të aksesuar burime të ndryshme financimi.

 

Në vijim, Guvernatori nënvizoi se nga trajtimi i situatës së krijuar nga Covid-19, politikëbërësit arritën të evidentojnë elementet kyçe të suksesit të menaxhimit të krizës, si rëndësia e marrjes në kohë të masave të jashtëzakonshme, koordinimi i kujdesshëm i politikave, bashkëpunimi dhe investimi në stabilitetin monetar dhe financiar, me qëllim arritjen e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë.