BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko merr pjesë në takimin e organizuar nga Kryeministri Rama me bankat tregtare, me fokus digjitalizimin e shërbimeve bankare

Data e publikimit: 06.05.2022

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë sot në takimin e organizuar nga Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, me fokus digjitalizimin e shërbimeve bankare.

Në këtë takim me Kryeministrin Rama, Guvernatorin Sejko, Ministren e Financave dhe Ekonomisë, zj. Delina Ibrahimi, dhe Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, zj. Mirlinda Karçanaj, ishin të ftuar të gjithë drejtuesit e bankave tregtare në vend.

 DSC8672 498

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko vlerësoi iniciativën e qeverisë lidhur me revolucionin digjital, i cili synon kalimin online të shërbimeve publike. Kjo iniciativë është në linjë me objektivat e Bankës së Shqipërisë për rritjen e përfshirjes financiare, aksesin në financë dhe edukimin financiar, në funksion të formalizimit të mëtejshëm të ekonomisë. Që prej vitit 2018, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar përpjekjet për të modernizuar tregun e pagesave në Shqipëri, me qëllim nxitjen e përfshirjes financiare dhe orientimin e tregut në praktika më inovative dhe efikase, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël, 2019-2023.

Sa i përket pagesave elektronike, Guvernatori nënvizoi se është bërë një progres i dukshëm si rrjedhojë e masave të marra deri tani nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut, të cilat kanë kontribuuar në rritjen e nivelit të përdorimit të pagesave elektronike për frymë në nivelin 12.5, nga 4.3 që ishte në vitin 2017. Megjithatë, ai vlerësoi se para nesh qëndrojnë ende shumë sfida për rritjen e përfshirjes financiare dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut me risi dhe aplikime moderne. Këto sfida ndërthuren ngushtë me një sërë synimesh ndërsektoriale, si: formalizimi i ekonomisë, promovimi i tregtisë elektronike dhe digjitalizimi i shërbimeve shtetërore.

 DSC8802 498

Guvernatori Sejko theksoi se për të siguruar një cikël të plotë, të shpejtë e me kosto të ulët të pagesave për shërbimet publike, si dhe reduktimin e individëve dhe bizneseve në sportelet e bankave për këto shërbime, duhet të ketë një komunikim sa më dinamik, në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë, midis bankave tregtare, platformës e-Albania dhe institucioneve publike.

Më tej, Guvernatori i beri thirrje bankave të jenë sa më proaktive nëpërmjet ofrimit të produkteve të tyre, në kuadër të digjitalizimit, si dhe i ftoi ato të jenë të gatshme për të dhënë kontributin e tyre jo vetëm për shkurtimin e kohës së pritjes së qytetarëve nëpër sportelet e bankave, por edhe për uljen e kostove të ofrimit të këtyre shërbimeve.

Së fundmi, Guvernatori Sejko shtoi se mbetet thelbësor koordinimi maksimal midis institucioneve në kuadër të përmirësimeve rregullative dhe infrastrukturore, me qëllim rritjen e efektshmërisë së masave të ndërmarra.