BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko në konferencën e 9-të të BQE-së për vendet EQLJL-së

Data e publikimit: 18.07.2023

 

Në datë 17 korrik 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e 9-të për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), me temë "Ndryshimi i mjedisit gjeopolitik – ndikimet ekonomike për Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore", organizuar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), në Frankfurt, Gjermani.

 DSC9867 498

Konferenca për vendet e EQLJL-së është një forum në të cilin diskutohen problemet kryesore ekonomike dhe financiare në rajon, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të bankave qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian (BE), të vendeve kandidate e të atyre kandidate potenciale për BE, përfaqësuesve nga institucione evropiane dhe ndërkombëtare (si Komisioni Evropian, FMN, BERZH, BEI, BIS, OECD), si dhe përfaqësuesve nga bota akademike. Ajo ofron një platformë për të thelluar të kuptuarin e ekonomive të vendeve të EQLJL-së, si dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi çështjet e politikave.

 DSC9934 498

Guvernatori Sejko ishte pjesë e panelit të sesionit me temë "Një këndvështrim më afatgjatë – ndryshime të mundshme strukturore në të ardhmen ", nën drejtimin e z. Frank Elderson, Anëtar i Bordit Ekzekutiv, BQE.

 DSC9146498

Vendet e EQLJL-së kanë kaluar një periudhë 30-vjeçare transformuese që ka sjellë kalimin nga ekonomitë e planifikuara në ekonomi plotësisht të hapura. Por tani, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, mjedisi gjeopolitik mund të ndryshojë dhe mund të ketë efekte negative në konvergjencën ekonomike të vendeve të këtij rajoni. Pavarësish kësaj, ato mund të përfitojnë nga ndryshimet me të cilat po përballemi, falë një pozicionimi të mirë për të përthithur flukse hyrëse të kapitalit, si një opsion i natyrshëm për t’i zhvendosur ato drejt ekonomive të rajonit dhe si një mjedis familjar për investimet e BE-së dhe me dekada përvojë për firmat e BE-së që operojnë në to.

 DSC9095 498

Nga ana tjetër, ndryshimi i mjedisit gjeopolitik nënkupton një angazhim më të fortë politik nga BE-ja drejt një integrimi të plotë të rajonit të EQLJL-së. Rezultati është një ripërtëritje në procesin e zgjerimit dhe integrimit në BE për vendet kandidate dhe kandidate potenciale.

 DSC9831 498

Për sa i përket Shqipërisë, Guvernatori theksoi se procesi i integrimit evropian përbën një objektiv strategjik afatgjatë. “Ky proces është një shtytës i fortë për reformat strukturore, për konvergimin e plotë me standardet e BE-së të institucioneve vendase, si dhe për përfarimin e përgjithshëm të politikave dhe rregulloreve. Të gjitha këto veprime do të përmirësojnë thellësisht klimën e biznesit, do të tërheqin investime të huaja dhe do të rrisin produktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë sonë.”- tha Guvernatori.

 DSC9506 498

Si banka qendrore, ne duhet të pranojmë rolin tonë në këtë proces. Së pari, ne duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj mandatit tonë të stabilitetit të çmimeve, edhe në këtë mjedis sfidues, si parakusht për stabilitetin financiar dhe rritjen afatgjatë. Aktualisht, kjo nënkupton marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të përballuar inflacionin e lartë të vazhdueshëm. Në këtë kuadër, të nxitur nga angazhimi ynë ligjor dhe institucional për stabilitetin e çmimeve, Banka e Shqipërisë ka shtrënguar qëndrimin e saj të politikës monetare, në përputhje me drejtimin e përgjithshëm të politikës monetare në mbarë globin dhe në BE, në veçanti. Megjithatë, ne mbetemi të angazhuar për të ndërmarrë masa të mëtejshme, nëse inflacioni rezulton të jetë më i qëndrueshëm dhe më këmbëngulës nga sa presim aktualisht.

 DSC9443 498

Së dyti, ne duhet të harmonizojmë politikat, rregulloret dhe praktikat tona me ato të BQE-së dhe SEBQ-së (Sistemi Evropian i Bankave Qendrore). Banka e Shqipërisë ka punuar vazhdimisht për të përmirësuar rregulloret e sektorit bankar me Parimet e Bazelit dhe legjislacionin e BE-së. Ne jemi të bindur se kemi arritur një shkallë të mjaftueshme përputhshmërie me këto praktika - çka u konfirmua nga rezultatet e një procesi vlerësimi të kryer së bashku me një kompani të mirënjohur financiare – dhe kemi paraqitur një kërkesë zyrtare te BQE-ja, me qëllim marrjen e statusit të ekuivalencës mbikëqyrëse.

 DSC0002 498

Së treti, ne duhet të përshpejtojmë përpjekjet tona drejt zhvillimit të sistemeve tona financiare dhe të pagesave, duke kërkuar t'i integrojmë ato me kujdes me ato të BE-së. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë ka rishikuar dhe përmirësuar sistemet e pagesave, duke miratuar pjesën përkatëse të legjislacionit të BE-së dhe synon të zbatojë një sistem pagesash të menjëhershme të modeluar sipas linjave të atij që operohet nga Eurosistemi.

 DSC9015 498

Gjatë kësaj konference, Guvernatori Sejko iu përgjigj pyetjeve të pranishmëve mbi çështje të lidhura me flukset e kapitalit dhe investimet e huaja, ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tyre në ekonomi, goditjet e energjisë në inflacion, emigracioni, si dhe pati mundësi të diskutojë me përfaqësues të lartë të BQE-së dhe guvernatorë të bankave qendrore të vendeve të EQLJL.