BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko takon Ambasadorin e ri të Sllovakisë, Sh.T.Z. Albin Otruba

Data e publikimit: 16.11.2023

 

Në datën 16 nëntor 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko priti në një takim zyrtar kortezie në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Sllovakisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Albin Otruba.

498-7068

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Sh.T.Z. Albin Otruba për mbështetjen e deritanishme të Sllovakisë për Shqipërinë, në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe në të ardhmen.

Në vijim të bisedës, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të panoramës ekonomike në Shqipëri ku theksoi se ecuria e ekonomisë gjatë vitit të fundit ka qenë pozitive, sidomos në një kontekst global sfidues, pavarësisht të cilit aktiviteti ekonomik në vend arriti të zgjerohej më tej gjatë vitit 2023. Inflacioni ka arritur të reduktohet, sektori bankar paraqitet i qëndrueshëm, ndërkohë që ka pasur rritje të aktivitetit turistik dhe të investimeve të huaja direkte në vend.

498-7056

Gjithashtu, Guvernatori u ndal dhe në qëndrimin e politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka vijuar rrugën e një normalizimi gradual dhe të kujdesshëm. Ai shtoi se efektet e politikës sonë monetare janë inkurajuese, duke ndihmuar kontrollin e pritjeve inflacioniste dhe funksionimin e qetë të tregjeve financiare. Shqipëria ka pasur dhe vijon të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

Nga ana e tij, Ambasadori Otruba vlerësoi rolin e  Bankës së Shqipërisë në drejtim të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira. Në vijim, ai theksoi progresin e bërë nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit evropian, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Sllovakisë në këtë drejtim.

Ambasadori shtoi se, në kuadër të procesit të integrimit evropian, mbetet e rëndësishme të vijojë puna lidhur me reformat strukturore dhe mbështetja e tyre nëpërmjet plotësimit të kritereve për përafrimin e Acquis të Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe Sh.T.Z. Otruba shprehën vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.