BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko vlerësohet me “Çmimin e Mirënjohjes” nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Universiteti Europian i Tiranës

Data e publikimit: 06.10.2022

 

Më 6 tetor 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ishte i ftuar në Universitetin Europian të Tiranës nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, në ceremoninë e dhënies së “Çmimit të Mirënjohjes” për personalitetin e fushës së ekonomisë dhe financave në Shqipëri.

 DSC4508 498

Në këtë ceremoni, fakulteti e vlerësoi Guvernatorin Sejko me “Çmimin e Mirënjohjes” me motivacionin “Për mbështetjen e vazhdueshme të kërkimit shkencor cilësor dhe promovimin e kërkuesve të rinj në fushën e ekonomisë dhe financave në Shqipëri”. Çmimi iu dorëzua Guvernatorit nga Dekani, z. Elvin Meka.

Me këtë rast, Guvernatori Sejko mbajti një fjalë për të pranishmit. Fillimisht, ai falënderoi dhe përgëzoi të gjithë stafin akademik dhe drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës, për punën dhe devotshmërinë e treguar gjatë pothuajse dy dekadave për edukimin e brezave të rinj dhe përgatitjen e tyre për tregun e punës. “Edukimi i të rinjve është shumë i rëndësishëm dhe shërben si parakusht për pasjen e politikave të suksesshme dhe të qëndrueshme makroekonomike dhe financiare, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.”, tha Guvernatori. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë ka qenë gjithmonë partnere e ngushtë e universiteteve, studentëve dhe katedrave të ekonomiksit e financës, brenda dhe jashtë vendit.

 DSC4543 498

Në këtë kuadër, Guvernatori u shpreh se nëpërmjet aktiviteteve të saj kërkimore, Banka e Shqipërisë gjithmonë ka synuar përfshirjen e sa më shumë njerëzve të shquar nga bota akademike, me qëllim diskutimin e fenomeneve ekonomike e financiare, shkëmbimin e mendimeve, eksperiencave dhe prezantimin e diskutimin e metodologjive të kërkimit për gjenerimin e rezultateve empirike mbi rreziqet dhe sfidat që i kanosen ekonomisë globale dhe asaj shqiptare.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë është kujdesur të krijojë aktivitete të cilat kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me universitetet dhe studentët e tyre. Një aktivitet i yni me rëndësi të veçantë në këtë drejtim, tashmë prej 15 vitesh, është “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë”, si një konkurs që vlerëson tre temat e diplomës më të mira në fushën e ekonomisë dhe financës, me qëllim promovimin dhe shpërblimin e punës kërkimore të studentëve, për të motivuar guximin dhe kapacitetin e tyre për të ndërmarrë studime të thelluara mbi çështje të rëndësishme të ekonomiksit e të financës. Shumë prej fituesve të këtij konkursi punojnë sot në Bankën e Shqipërisë dhe janë pjesë e një stafi të ri dhe të përgatitur, të angazhuar në drejtim të kërkimit.

 DSC4704 468

Në përfundim, duke falënderuar UET për vlerësimin, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunime sa më të frytshme me universitetet dhe botën akademike, si dhe do t’i përgjigjet me kënaqësi çdo ftese për bashkëpunime të mëtejshme.