BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 18.10.2023

 

Më 18 tetor 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Anke Weber, shefe e Misionit për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës së Misionit në Shqipëri është mbajtja e bisedimeve me autoritetet shqiptare në kuadër të Artikullit IV.

3B7A9871 498

Diskutimet u fokusuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend dhe perspektivën e tyre për të ardhmen, politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë me synim garantimin e stabilitetit  të çmimeve, si dhe masat e marra nga institucioni që ai drejton për të ruajtur e forcuar shëndetin e sektorit bankar dhe stabilitetin financiar të vendit.

Në nisje të takimit, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë vendase. Ai theksoi se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive, me gjithë sfidat e shumta me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit. Guvernatori u shpreh se aktiviteti ekonomik ka ardhur në rritje, duke gjeneruar rritje të punësimit e të pagave dhe duke ruajtur shëndetin e bilanceve financiare të familjeve shqiptare dhe të sektorit privat. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka pasur sezoni pozitiv turistik, i cili duket se do të jetë një realitet i ri ekonomik në të ardhmen, dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte.

3B7A9873 498

Po ashtu, Guvernatori theksoi se inflacioni ka ardhur në rënie gjatë vitit aktual, duke pasqyruar normalizimin e qëndrimit të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, forcimin e kursit të këmbimit dhe stabilizimin e çmimeve në tregjet e huaja.

Gjithashtu, ai nënvizoi se edhe treguesit e tjerë të rëndësishëm të stabilitetit makroekonomik kanë ardhur në përmirësim, duke vënë theksin në reduktimin e deficitit të llogarisë korrente dhe atij buxhetor, si dhe në rënien e nivelit të borxhit të huaj dhe publik të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive: ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet më tej në të ardhmen ndërsa inflacioni do të kthehet në objektiv gjatë vitit 2024.

Në të njëjtën kohë, sipas tij sfidat me të cilat përballemi janë jo të pakta. Për këtë arsye, Guvernatori theksoi nevojën e ndjekjes së politikave të kujdesshme e të koordinuara monetare, fiskale e financiare.

3B7A9866 498

Duke qëndruar në këtë linjë, stabiliteti i sistemit financiar ishte një tjetër temë e diskutuar nga të pranishmit në këtë takim. Guvernatori Sejko u shpreh se falë përpjekjeve dhe reformave strukturore të ndërmarra ndër vite nga Banka e Shqipërisë, sistemi financiar shfaqet gjerësisht i qëndrueshëm. Në këtë kontekst, ai nënvizoi se ky sektor paraqet nivele të larta likuiditeti dhe kapitalizimi, duke ofruar në të njëjtën kohë një alternativë të besueshme për ruajtjen e kursimeve të familjeve shqiptare dhe fondet e nevojshme financiare për rritjen e kreditimit dhe të investimeve.

Guvernatori nënvizoi se kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë ritme pozitive rritjeje gjatë vitit aktual.

3B7A9869 498

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar shprehën vlerësimin e tyre për politikën e drejtë monetare që ka ndjekur Banka e Shqipërisë dhe për kontributin e rëndësishëm të saj në stabilitetin monetar e financiar, si premisa të rëndësishme të rritjes të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjithashtu, ata vlerësuan punën e vazhdueshme mbikëqyrëse e rregullatore të Bankës së Shqipërisë dhe ndikimin e saj në treguesit pozitivë të sektorit bankar.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të misioneve të FMN-së, asistencës teknike dhe më gjerë.