BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 28.09.2021

 

Më datë 28 shtator 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga zj. Yan Sun, shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë. Takimi u zhvillua në kuadër të diskutimeve të Artikullit IV me misionin e FMN-së.

Çështjet e diskutuara ishin zhvillimet makroekonomike të vitit 2021, pritjet për rritjen ekonomike, inflacionin, kursin e këmbimit, zhvillimet në sektorin bankar dhe financiar, si dhe orientimin e duhur të politikave ekonomike për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

 DSC3168 498

Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka shfaqur tendenca të qarta rikuperimi në gjysmën e parë të vitit 2021. Gjithashtu, parashikimet tona sugjerojnë një ecuri pozitive të ekonomisë në horizontin afatmesëm.

Guvernatori Sejko evidentoi se reduktimi i kufizimeve si pasojë e procesit të vaksinimit, përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, zgjerimi i kërkesës së huaj, si dhe stimuli fiskal dhe monetar, kanë ofruar premisat e nevojshme për një normalizim gradual të aktivitetit ekonomik. Në veçanti, Guvernatori theksoi se politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të krijojë një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga: qarkullimi normal i fondeve në tregje; kosto të ulëta kreditimi; dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi.

 DSC3149 498

Sa i përket sektorit bankar, Guvernatori theksoi se ai paraqitet i qëndrueshëm, me tregues që evidentojnë një ambient financiar të gatshëm për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik të vendit. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Së fundi Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Misioni i FMN-së vlerësoi se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike. Po ashtu, ai ndau vlerësimin se presionet aktuale mbi rritjen e çmimeve të disa artikujve të shportës së konsumit, duket se janë me origjinë të huaj dhe të përkohshme.

 DSC3273 498

Së fundi, përfaqësuesit e misionit nënvizuan se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore, të cilat duhet të synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.

Në përfundim të diskutimeve u theksua rëndësia e vazhdimit të koordinimit të politikave ekonomike në vend, me qëllim garantimin e një rritjeje të qëndrueshme të vendit në afatin e mesëm dhe të gjatë.