BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon takim me Drejtorin e Operacioneve pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, z. Martin Saladin

Data e publikimit: 13.05.2022

 

Në datën 13 maj 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim në ambientet e Bankës së Shqipërisë me Drejtorin e Operacioneve pranë Sekretariatit të Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) *, z. Martin Saladin.

Ky takim u realizua në kuadër të finalizimit me sukses të marrëveshjes së dytë të bashkëpunimit me SECO-n dhe të pranishëm ishin Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, z. Patrik Meier, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga institucionet përkatëse.

 DSC0276 498

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko falënderoi Qeverinë Zvicerane për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, si dhe shprehu vlerësimet e tij mjaft pozitive ndaj projekteve dhe aktiviteteve të organizuara si pjesë e këtij bashkëpunimi.

Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi se ky bashkëpunim i ka ofruar asistencë Bankës së Shqipërisë si në procesin kërkimor, ashtu dhe në procesin e vendimmarrjes, duke zhvilluar modelet e analizës dhe të parashikimit, përmes implementimit të modeleve të reja dhe përmirësimit të politikëbërjes.

Në sajë të tij, Banka e Shqipërisë ka realizuar një tërësi aktivitetesh me natyrë dhe përfitime të ndryshme, që nga pjesëmarrja në konferenca të një niveli të lartë shkencor dhe akademik, leksione nga profesorë të mirënjohur në fushën e bankingut qendror, deri tek misione asistence të detajuara në lidhje me modelimin makroekonomik, çështje të stabilitetit financiar, politikën monetare, etj.

 DSC0246 498

Më konkretisht, janë realizuar në total 15 aktivitete me natyra të ndryshme, ku kanë marrë pjesë gjithsej 66 punonjës të Bankës së Shqipërisë, ku do të veçonim: trajnimin mbi software R, konferencën mbi ndryshimet klimaterike, workshop-in mbi implementimin e përqasjes së re të Baselit, workshop-i mbi pritshmëritë e inflacionit, etj.

Gjithashtu, gjatë takimit, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës së ekonomisë dhe financave shqiptare, si dhe të punës dhe rezultateve të politikave të Bankës së Shqipërisë. Gjatë kësaj ekspozeje, ai theksoi qëndrueshmërinë që shfaqi ekonomia dhe sistemi financiar shqiptar në përballje me krizat, si pandemia Covid-19, ajo energjetike dhe rritja e çmimeve. Përballimi me sukses i deritanishëm ka ardhur si rezultat i shumë faktorëve, një prej të cilëve ka qenë dhe roli proaktiv i politikës monetare.

Përfaqësuesit e SECO-s falënderuan Bankën e Shqipërisë për mbështetjen e saj përmes pjesëmarrjes aktive dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, si dhe e vlerësuan programin e tyre me Bankën e Shqipërisë si një nga programet e tyre më të mira dhe të suksesshme.

 DSC0411 498

Më tej, Zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Tiranë, z. Patrik Meier, u shpreh se vazhdimi i projekteve të përbashkëta të zhvillimit bazohet dhe inkurajohet nga rezultatet pozitive të arritura prej programit aktual dhe aftësive  të shfaqura nga Banka e Shqipërisë.

Diskutimet dypalëshe vijuan lidhur me bashkëpunimin në të ardhmen, i cili do të zgjerohet më tej në mbështetje të edukimit dhe përfshirjes financiare (duke pasur një fokus të veçantë te mikrokredia dhe institucionet e saj), përdorimi i sistemeve dhe instrumenteve të pagesave, dhe zgjerimit të asistencës me departamentet e tjera si Departamentin e Mbikëqyrjes.

Pas këtij takimi, Guvernatori mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të programit zviceran për bashkëpunim në Tiranë, nëpërmjet të cilit Zvicra po mbështet Shqipërinë në zhvillimin e një shoqërie të përparuar dhe një ekonomie konkurruese me synimin për të ndihmuar në avancimin e integrimit të Shqipërisë në Evropë.

 _________

* Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (State Secretariat for Economic Affairs) është qendra e ekspertizës së qeverisë federale të Zvicrës, e cila shqyrton problemet kryesore që lidhen me politikat ekonomike. Qëllimi i tij është sigurimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke mundësuar kushtet e nevojshme me anë të politikave rregullatore dhe ekonomike. Që prej vitit 1992, SECO, bazuar në kërkesat në rritje për asistencë teknike në fushën e bankingut qendror, ka mbështetur bankat qendrore të vendeve partnere, nëpërmjet një bashkëpunimi strategjik me Institutin e Studimeve për Zhvillime Ndërkombëtare (Graduate Institute of International and Development Studies). Bashkëpunimi me disa banka qendrore konsiston, përgjithësisht, në shërbime të përgjithshme këshilluese dhe aktivitete specifike të përshtatura sipas vendit, në formën e Asistencës Teknike dhe të Programeve të Trajnimit (TATPs).