BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori Sejko zhvillon takimin e parë të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 09.10.2020

 

Në datën 9 tetor 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Guvernatorit të Republikës së Shqipërisë në FMN, mori pjesë në takimin e parë të Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat këtë vit zhvillohen online.

DSC 9197

Takimi i parë u zhvillua me përfaqësuesit e Bankës Botërore, ku pala shqiptare u përfaqësua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë zj. Anila Denaj dhe përfaqësues të tjerë të lartë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë nga Banka Botërore pjesëmarrës ishin z. Patrizio Pagano, ish-Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë dhe z. Matteo Bugamelli, Drejtor i ri Ekzekutiv në ardhje për Shqipërinë.

Diskutimet e këtij takimi u fokusuan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

DSC 9129

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe kjo goditje ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik. Guvernatori u shpreh se ekonomia shqiptare pritet të fillojë rimëkëmbjen në vitin 2021 dhe inflacioni të kthehet në objektiv brenda vitit 2022.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti dhe këta parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm gjatë gjithë kësaj periudhe.

DSC 9194

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Disa nga çështjet e tjera në të cilat u ndalën diskutimet, ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme dhe zhvillimi i sistemit të pagesave.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan qëndrimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila do të kontribuojë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko shprehu falënderimet ndaj përfaqësuesve të Bankës Botërore për asistencën e dhënë në vazhdimësi prej tyre ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera në vend. Në veçanti, Guvernatori falënderoi ish-Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë z. Patrizio Pagano për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore dhe mirëpriti duke i uruar suksese z. Matteo Bugamelli, Drejtor i ri Ekzekutiv në ardhje për Shqipërinë.