BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, takon drejtuesit e Misionit të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore

Data e publikimit: 10.11.2004

 

Në vijim të vizitës së tyre dhe takimeve me drejtues të institucioneve financiare në vend, në datat 9-10 nëntor 2004, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Ardian Fullani, priti në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetare Ndërkombëtar, përkatesisht z.Lalit Raina, Kryespecialist i Sektorit Financiar në BB dhe zj.Laura Kodres, Asistente e Drejtorit te Kërkimeve në FMN. Të dy përfaqësuesit do të drejtojnë Programin e Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) që këto dy institucione do të kryejnë në vendin tonë në fillim të vitit të ardhshëm.

Drejtuesit e misionit FSAP, i shprehën Guvernatorit rëndësinë e këtij procesi si edhe të rolit themelor që kishte Banka e Shqipërisë në këtë vlerësim. Ky rol themelor i Bankës së Shqipërisë, lidhet me objektivat e vlerësimit sipas FSAP dhe veçanërisht me mënyrën dhe me transparencën e kryerjes së funksionit mbikëqyres dhe të politikës monetare, si edhe me sigurinë dhe funksionimin normal të sistemeve të rëndësishme të pagesave.

Në takim, u theksua nevoja e përfshirjes aktive të sistemit bankar në këtë proces, në kushtet kur ai përbën pjesën kryesore të sistemit financiar të vendit. Nga drejtuesit e misionit FSAP, u vlerësuan përgatitjet paraprake, që departamentet kryesore të Bankës së Shqipërisë, kanë realizuar deri tani dhe u theksua nevoja që ritmi i punës të përshpejtohet në drejtim të grumbullimit të të dhënave dhe të materialeve të ndryshme, hartimit të informacioneve dhe rishikimit të tyre si edhe dërgimit të tyre sa më të shpejtë pranë misionit.

Nga ana e tij, Guvernatori ofroi bashkëpunim të plotë të Bankës së Shqipërisë në këtë proces duke siguruar se procesi FSAP do të ishte në fokusin kryesor të punës së strukturave drejtuese të institucionit. Mënyra e organizimit të punës brenda institucionit, do t'i shërbente plotësimit të shpejtë dhe cilësor të kërkesave të misionit. Rëndësi do t'i kushtohej ndërgjegjësimit me rëndësinë e këtij procesi si edhe përfshirjes në të edhe të bankave të nivelit të dytë, si edhe koordinimit të punës me institucione të tjera.

Në përfundim, të dyja palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis institucioneve respektive dhe shprehën sigurinë që Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar do të ofronte jo vetëm një vlerësim real të situatës së sistemit financiar në vend, por edhe rekomandime të vlefshme për fuqizimin dhe mirëfunksionimin e tij në të ardhmen.