BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTSYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë takohet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që viziton Shqipërinë

Data e publikimit: 22.04.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani priti në një takim në Bankën e Shqipërisë, ditën e premte, dt.18 prill 2003, Misionin EU 1 të Fondit Monetar Ndërkombëtar të kryesuar nga z.Hossein Samiei, që shoqërohej edhe nga z.Jan-Peter Olters, përfaqësues rezident i FMN-së në Shqipëri, në kuadër të misionit dy-javor të FMN-së në Shqipëri.

Temat kryesore të bisedimeve ishin: zhvillimet e pritshme të situatës dhe treguesve makroekonomikë si: rritja ekonomike, kursi i këmbimit dhe inflacioni, privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe aspekte të ndryshme të politikës monetare.

Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se situata makroekonomike është përgjithsisht e stabilizuar dhe parashikohet që treguesit kryesorë makroekonomikë të zhvillohen sipas parashikimeve të fillimvitit 2003, pasi nuk shikohen faktorë potencialë që mund të ndikojnë esencialisht për të kundërtën.

· Sipas Guvernatorit, "objektivi i Bankës së Shqipërisë për inflacionin është mbajtja e një norme nga 2-4 për qind dhe megjithë ndikimin në kahun negativ apo pozitiv të faktorëve potencialë, shpresojmë se do t'i përmbahemi objektivit dhe inflacioni mesatar e vjetor parashikohet të jetë rreth 3 për qind".

· "Sa i përket rritjes ekonomike, - vazhdoi z.Cani, i mbetemi parashikimit fillestar të bërë së bashku me Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për një rritje ekonomike afër 6 për qind. Faktorët që ndikuan vitin e kaluar në mosarritjen e të njëjtit objektiv, nuk duken si probleme evidente përgjatë 4 muajve të parë të këtij viti, kështu që rritja e Produktit të Brendshëm Bruto me 6 për qind duket se do të mbetet objektiv për vitin 2003".

· "Kursi i këmbimit, mendohet të jetë i qëndrueshëm gjatë vitit 2003, - u shpreh Guvernatori, dhe nuk pritet të ushtrojë ndonjë ndikim të dukshëm në normën e pritshme të inflacionit".

Por, vazhdoi z.Cani, me kujdes duhet të shikojmë zhvillimet në sektorin energjitik pasi me gjithë përmirësimet e bëra, situata nuk mund të quhet e zgjidhur, dhe mund të ushtrojë presione inflacioniste në pjesën e fundit të vitit.

Po ashtu, sipas Guvernatorit, sektori bujqësor megjithë masat e marra nga Ministria e Bujqësisë për të eleminuar ndikimin e përmbytjeve të mundshme siç ndodhi vitin e kaluar, duhet të zhvillohet më shumë në drejtim të procesit të "pronësimit" të tokës bujqësore dhe krijimit të një tregu toke bashkëkohor.

Lidhur me privatizimin e Bankës së Kursimeve, Guvernatori Cani u shpreh se "aktualisht Banka e Kursimeve po ristrukturohet për t'u përgatitur për procesin e privatizimit. Banka e Kursimeve po zbaton planin e ristrukturimit dhe Banka e Shqipërisë po e mbikëqyr në vazhdimësi. Deri tani rezulton një proces në vazhdimësi ristrukturimi në drejtim të kalimit të shpërndarjes së pensioneve tek Albaposta, shkurtimin e personelit sipas planit të ristrukturimit dhe implementimin e sistemit të teknologjisë "on line" për degët kryesore".

Misioni i FMN-së i kryesuar nga z. Samiei do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me drejtues dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë, deri më datë 28 prill 2003 kur do të zhvillohet edhe takimi përmbyllës i Misionit.