BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë takohet me përfaqësues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve

Data e publikimit: 18.06.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani priti sot në një takim një delegacion të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve të përbërë nga z.Michael D.Granoff, Kryetar i Bordit Drejtues, z.Domenick G.Scaglione, President Nderi dhe z.Lorenco Roncari, drejtor ekzekutiv i Bankës Amerikane të Shqipërisë ku Fondi është përfaqësues i aksionerit të kësaj banke.

Biseda u përqëndrua kryesisht rreth zhvillimeve në sektorin bankar në Shqipëri dhe mbi aktivitetin e Bankës Amerikane të Shqipërisë. Guvernatori u shpreh se sistemi bankar po njeh zhvillime të reja në drejtim të zgjerimit të aktivitetit, rritjes së shërbimeve dhe konkurrencës bankare dhe se Banka e Shqipërisë ka intensifikuar kontaktet me bankat e nivelit të dytë në funksion të diskutimit të politikës monetare dhe zgjidhjes së çështjeve të ndryshme që shqetësojnë sistemin bankar.

z.Granoff u shpreh se Banka Amerikane e Shqipërisë së shpejti do të hapë dy degë të reja në funksion të zgjerimit të rrjetit të saj në rrethe dhe rritjes së agresivitetit për të zgjeruar pjesën e saj të tregut.