BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë takohet me shefen e Zyrës së Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian

Data e publikimit: 11.06.2003

 

Sot paradite, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani u takua me shefen e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian, znj. Victoria Walker. Tema kryesore e takimit ishte rreth zhvillimeve kryesore ekonomike në Shqipëri dhe parashikimeve të Bankës së Shqipërisë për zhvillimet e ardhshme në ekonominë vendase.

Në fillim të fjalës së tij, Guvernatori u shpreh se "ekonomia shqiptare gjatë vitit të kaluar shënoi një rritje të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 4.7 për qind dhe një normë inflacioni brenda intervalit të parashikuar, në nivelin 2.1 për qind. Kjo normë e inflacionit vlerësohet relativisht e ulët krahasuar edhe vendet e rajonit të Evropës Juglindore. Gjithashtu, kursi i këmbimit të lekut me euron dhe dollarin amerikan ka qenë kryesisht i qëndrueshëm ndërsa deficiti buxhetor në raport me PBB-në ka ardhur në rënie".

Muajt e parë të vitit 2003, vazhdoi më tej z.Cani, kanë shënuar norma më të ulta të inflacionit dhe kjo ka qenë një nga arsyet që Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e datës 23 prill 2003 vendosi të ulë normën e interesit me 0.5 pikë për qindjeje.

Sa i përket sistemit bankar, shtoi Guvernatori, vitet e fundit vihet re një rritje e konkurrencës bankare si pasojë e rritjes së numrit të degëve të bankave, licencimit të bankave të reja, shtimit të shërbimeve dhe ajo çka është më e prekshme rritjes së agresivitetit në kreditimin e biznesin privat.

Guvernatori e njohu znj.Walker me fokusin kryesor të Bankës së Shqipërisë për muajt e ardhshëm duke u ndalur kryesisht në organizimin së shpejti të fushatës për reduktimin e "cash"-it (parasë në dorë) në ekonominë shqiptare, fushatë e cila do të organizohet në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe që do të fokusohet në edukimin e publikut, uljen e komisioneve të bankave dhe reduktimin e transaksioneve në cash mbi një limit të caktuar.

Guvernatori Cani u shpreh më tej se, megjithë faktorët potencialë që mund të ndikojnë në zbatimin e politikës monetare, Banka e Shqipërisë parashikon mbajtjen e inflacionit vjetor brenda intervalit të paracaktuar prej 2-4 për qind dhe realizimin e të gjithë agregatëve monetarë sipas parashikimeve dhe angazhimeve të "Letter of Intent", të nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Nga ana e saj, znj.Walker falenderoi Guvernatorin për takimin dhe u shpreh se Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian vlerëson punën e Bankës së Shqipërisë dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.