BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani dekorohet nga Presidenti i Republikës Italiane, z. Giorgio Napolitano

Data e publikimit: 07.06.2007

 

Presidenti i Republikës së Italisë, z. Giorgio Napolitano i ka akorduar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, titullin "Commendatore dell'Ordine della Stella della solidarietà italiana/ Urdhri i Yllit të solidaritetit italian", me motivimin: "për kontributin e rëndësishëm të Guvernatorit Fullani, në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën ekonomike ndërmjet Republikës Italiane dhe Republikës së Shqipërisë".

Ceremonia e dekorimit u zhvillua sot në datën 7 qershor 2007, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, ku Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, Shkëlqesia e Tij z. Attilio Massimo Ianucci, i dorëzoi dekoratën Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, anëtarë të kabinetit qeveritar, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, z. Edmond Spaho, deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësues nga Presidenca, ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të përfaqësive të huaja diplomatike në Shqipëri, si Ambasadorja Amerikane, zj. Marcie Ries, Ambasadorja Franceze, zj. Françoise Bourolleau, Ambasadori Zviceran, z. Erich Pircher, Ambasadori Bullgar, z. Teodor Spasov Rusinov, Zëvendësambasodorja Hollandeze, zj. Ardi Stoios Braken, Zëvendësambasadori Çek, z. Vaclav Dobes, përfaqësuesja rezidente e FMN-së në Tiranë, zj Ann-Margret Westin, drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare si dhe shumë personalitete të tjera vendase dhe të huaja.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Ianucci vlerësoi përpjekjet dhe meritat e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani në drejtim të krijimit të mundësive konkrete për depërtimin në Shqipëri të kapitalit italian dhe atij të huaj në përgjithësi, veçanërisht në sektorin financiar. Z. Ianucci u shpreh se Guvernatori Fullani ka shërbyer edhe si një "ambasador ekonomik" i Shqipërisë, duke përçuar arritjet dhe sfidat e Shqipërisë përtej brigjeve të Adriatikut. "Shqipëria - tha ai - ka nevojë të njihet për arritjet dhe reformat që ajo po kryen, prandaj dhe kjo dekoratë konfirmon edhe një herë suksesin e Shqipërisë dhe veçanërisht të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Ardian Fullani".

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, shprehu falenderimet e tij të sinqerta për Presidentin e Republikës Italiane, zotin Napolitano, Sekretarin e Shtetit dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës Italiane, zotin Massimo D'Alema si dhe Ambasadorin e Republikës Italiane në Shqipëri
zotin Ianucci.

Në fjalën e tij duke iu drejtuar Ambasadorit të Republikës Italiane, zoti Fullani theksoi se: "... dua t'Ju siguroj, se puna dhe përpjekjet e mia, në drejtim të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe atij financiar, si dhe solidarizimit me vendin mik Italinë, do të jenë të vazhdueshme.

Nuk është e tepërt të them, që të forcosh miqësinë dhe mirëkuptimin njerëzor midis popujve është në vetvete një mision fisnik. Siç thotë dhe një shprehje e lashtë "Miqësia për njerëzimin është si dielli për lulet, e ushqen vazhdimisht atë tek e shikon si lulëzon".

Në filozofinë e lashtë, të pranuarit e nderimit nga një komb i shquar, të fisnikëron.

Unë e pranoj këtë vlerësim me mirënjohje dhe respekt të thellë për Presidentin e Republikës Italiane dhe popullin italian".

Vlen të theksohet fakti që është hera e parë që Qeveria Italiane i akordon një titull të tillë një personaliteti shqiptar, për merita të larta.

Faqja e internetit e Presidencës Italiane