BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani diskuton me Guvernatorin e Bankës së Francës, z. Christian Noyer mbi fushat e reja të bashkëpunimit institucional

Data e publikimit: 28.01.2007

 

Gov Albania Gov France 1111 0

Në datën 26 janar 2006, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani zhvilloi një takim në Paris me Guvernatorin e Bankës së Francës, z. Christian Noyer. Në fillim të takimit, z. Fullani e falenderoi Guvernatorin Noyer për ftesën dhe për mbështetjen që Banka e Francës i ka dhënë Bankës së Shqipërisë në përpjekjet e saj për t'u integruar në Eurosistem.

Qëllimi i takimit ishte identifikimi i fushave të reja të bashkëpunimit midis dy bankave qendrore. Guvernatori Fullani i propozoi Guvernatorit Noyer hartimin e një programi të veçantë bashkëpunimi. Nga ana e tij, Guvernatori Noyer u shpreh i gatshëm për të përforcuar marrëdhëniet dhe ofroi ekspertizë në fusha të ndryshme të bankës qendrore.

Më pas, z. Fullani e njohu z. Noyer me përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për t'iu përshtatur standardeve evropiane, me qëllim integrimin e Bankës së Shqipërisë në Eurosistem. Në ekspozenë e tij, z. Fullani theksoi se filozofia aktuale e Bankës së Shqipërisë është se konvergjenca drejt standardeve evropiane nuk duhet të kushtëzohet vetëm nga procesi politik. Në këtë proces, bankat qendrore duhet të kenë më shumë rol dhe se integrimi në Eurosistem duhet të jetë i njëkohshëm dhe i koordinuar midis bankave qendrore në rajonin e Ballkanit. Përpjekjet e koordinuara do të mundësojnë integrimin real të rajonit me familjen e madhe evropiane.

Një temë tjetër e takimit ishte orientimi i Bankës së Shqipërisë për adoptimin e inflacionit të shënjestruar dhe eksperienca që ofron Banka e Francës në këtë drejtim.

Zoti Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë ka intensifikuar punën për studimin e mundësive për një adoptim të suksesshëm të regjimit të inflacionit të shënjestruar, pas përfundimit të marrëveshjes me FMN-në. "Gjatë vitit 2006, - tha z. Fullani,- kemi arritur progres veçanërisht në drejtim të komunikimit me publikun. Në qendër të këtij komunikimi ka qenë shpjegimi i politikës monetare dhe forcimi i mëtejshëm i pavarësisë së institucionit. Aktualisht, Banka e Shqipërisë po punon për të zhvilluar kapacitete analitike dhe vendimarrëse, të cilat do të mundësojnë pronësinë e plotë mbi politikat që do të zbatojë institucioni, pas përfundimit të marrëveshjes me FMN-në në vitin 2009."

Nga ana e tij, Guvernatori Noyer përgëzoi Bankën e Shqipërisë për stabilitetin makroekonomik që ka arritur ekonomia jonë, veçanërisht në drejtim të mbajtjes së inflacionit në nivele të ulta. Ai dha mbështetjen e tij maksimale për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Z. Noyer theksoi gjithashtu, edhe rëndësinë e disa elementeve specifike për të mundësuar zbatimin e suksesshëm të inflacionit të shënjestruar, si rolin e statistikave, marrëdhëniet me autoritetin fiskal dhe nevojën për kërkime më të thelluara.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Fullani e ftoi Guvernatorin Noyer për një vizitë në Bankën e Shqipërisë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Francës, z. Noyer.

Gjatë kësaj vizite, Guvernatori Fullani u takua edhe me personalitete të qarqeve akademike dhe përfaqësues të botës financiare franceze.