BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, merr pjesë në Klubin e Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit

Data e publikimit: 24.09.2018

 

Në datat 20-21 shtator 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 40-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit. I zhvilluar në Bukuresht, Rumani, ky takim drejtohej nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Rumanisë, z. Mugur Isărescu, dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit.

#498TDS 0376 A

Takimet e Klubit të Guvernatorëve shërbejnë si një platformë diskutimi mbi zhvillimet e fundit të vendeve anëtare, ku bankat qendrore prezantojnë eksperiencat e tyre, mekanizmat dhe politikat që përdorin për t’u përshtatur me ndryshimet dhe zhvillimet e tregjeve financiare dhe sektorin bankar, me qëllimin kryesor ruajtjen e stabilitetit financiar.

Diskutimet e takimit të radhës ishin të organizuara në tre panele kryesore. I ftuar si folës kryesor në panelin e dytë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mbajti një prezantim mbi stabilitetin financiar dhe perspektivat e rritjes së borxhit të korporatave në vendet në zhvillim, duke u ndalur në mundësitë dhe sfidat midis tyre.

Guvernatori Sejko u shpreh se stabiliteti i sistemit financiar dhe ecuria e ekonomisë reale janë të ndërvarura nga njëra-tjetra, dhe kjo lidhje përcaktohet kryesisht nga niveli dhe cilësia e kredisë për korporatat financiare, si edhe nga kuadri ligjor për zgjidhjen e këtij borxhi.

#498TDS 0348

Më tej, Guvernatori shtoi se për të vlerësuar rreziqet për stabilitetin financiar, është e rëndësishme të sigurohen më shumë të dhëna për natyrën e këtij borxhi. Kjo merr rëndësi të  veçantë në kushtet aktuale, kur një normalizim i politikës monetare në nivel global mund të sjellë pasoja për ngarkesën e borxhit të korporatave financiare në vendet në zhvillim, si dhe në cilësinë e tij. Ai u shpreh se më shumë mbetet për t’u bërë për të rritur elasticitetin e institucioneve financiare dhe tregjeve financiare.

Duke u kthyer tek rasti i Shqipërisë, Guvernatori përmendi përpjekjet për të vlerësuar ngarkesën me borxh të ndërmarrjeve nëpërmjet vrojtimeve të kryera nga Banka e Shqipërisë. Ai theksoi se të dhënat tregojnë që ky borxh mbetet në nivele të kontrolluara, ndërkohë që sektori bankar është i mirëkapitalizuar dhe likuid, i aftë të absorbojë rreziqet potenciale.

#498TDS 0049

 

Informacion mbi Klubin

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.