BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko në takim me gazetarët e ekonomisë

Data e publikimit: 14.02.2018

 

 14 02 2018 498 10201 0

Më datë 14 shkurt 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Gent Sejko zhvilloi një takim në ambientet e Bankës së Shqipërisë me gazetarët e ekonomisë.

Ky takim u organizua në vijim të interesimit të shfaqur nga mediat, lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për deeuroizimin, pas konferencës së fundit për shtyp.

Në thelb të këtij takimi, qëndroi sqarimi më konkretisht i paketës së deeuorizimit dhe në përfundim të tij, Guvernatori Sejko iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga gazetarët.

Takimin e plotë mund ta gjeni në linkun: https://www.youtube.com/watch?v=dP-ekx7Xif0

Prezantim i paketës nga Guvernatori

Në konferencën e kaluar për shtyp, ju informuam lidhur me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për deeuroizimin. Meqenëse kishte pyetje nga ana juaj, gjykuam të zhvillojmë këtë takim sot për ta sqaruar publikun edhe një herë, duke dhënë disa detaje më konkrete.

Ne e theksuam dhe në konferencën për shtyp që procesi i deeuroizimit, (kështu e ka marrë emrin), nuk është luftë ndaj euros. Është stimulim për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare në ekonominë shqiptare. Kjo bëhet për të rritur fleksibilitetin dhe influencën e politikës sonë monetare, si dhe për të konsoliduar stabilitetin financiar në Shqipëri.

Masat konkrete që kemi marrë:

1. Masa e parë lidhet me transparencën për t’ua qartësuar individëve dhe bizneseve që marrin kredi në euro (ose dhe në dollarë), se cili është rreziku që ata mund të kenë në të ardhmen. Individët dhe bizneset janë të lirë të zgjedhin monedhën e tyre për huamarrje. Por ka raste që ata janë të pambuluar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit që do të thotë se të ardhurat i kanë në monedhë kombëtare, ndërsa kredinë e marrin në monedhë të huaj, pra kanë një ekspozim sidomos për kreditë afatgjata. Me këtë masë, synojmë që bankat t’i japin një shembull klientit kur aplikon për kredi se si do të jetë ekspozimi i tij në të ardhmen, në rast se do të kemi zhvlerësim të kursit të këmbimit dhe ndryshim të normës së interesit të euros dhe lekut.

2. Masa e dytë lidhet me ndryshimin e raporteve për rezervën e detyrueshme që ne mbajmë si bankë qendrore. Rezerva e detyrueshme ka qenë në një nivel fiks prej 10%, si për euron ashtu edhe për lekun. Ne kemi diferencuar rezervën e detyrueshme në 12.5% për euron dhe 7.5% për lekun. Sipas normave tona rregullative, bankat janë të detyruara të mbajnë një nivel minimal të rezervës së detyrueshme për të qenë të mbrojtura. Në afatgjatë, në mënyrë graduale, nëpërmjet kësaj mase ne synojmë orientimin e likuiditetit e të sistemit bankar drejt monedhës kombëtare. Kjo ka një efekt neutral për bilancet e sistemit bankar dhe nuk krijon kosto ose ndonjë problematikë. Kjo është diskutuar gjatë me sistemin bankar pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar dhe është dakordësuar pasi janë bërë të gjitha analizat tona në bashkëpunim me sistemin bankar.

3. Masa e tretë lidhet me likuiditetin, rritjen e kërkesës minimale për aktivet likuide në 20% të detyrimeve afatshkurtra, nga niveli 15% që ishte më parë.

Dua të theksoj se ne e kemi shumë të qartë që ekonomia jonë dhe shumë biznese kanë aktivitet import - eksporti në monedhën euro, pasi partnerët tanë kryesorë tregtarë janë vendet e Eurozonës. Këto biznese duhet ta vazhdojnë aktivitetin e tyre në monedhën që ata eksportojnë dhe importojnë.

Këto janë disa masa nëpërmjet të cilave ne si institucion rregullator synojmë të orientojmë sistemin financiar drejt përdorimit të monedhës kombëtare, për të rritur efektivitetin e politikës monetare dhe konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar.

Ndërmarrja e këtyre masave ishte gjithashtu rekomandim i Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisionit Evropian. Rekomandime të tilla janë bërë dhe nga Bordi Evropian i Rrezikut Sistemik pasi disa shtete, si Polonia dhe Hungaria por edhe Kroacia kanë pasur humbje të konsiderueshme nga zhvlerësimi i monedhës vendase në raport me monedhën e huaj. Ky rekomandim është dhënë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.

Gjithsesi, ne e kemi studiuar fenomenin dhe kemi vlerësuar të marrim këto masa në këtë moment. Këto masa janë në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit që kemi nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Këto masa janë diskutuar në Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar, i cili mblidhet çdo tre muaj. Në këtë grup merr pjesë Ministri i Financave, Drejtori i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, si dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Nëse keni pyetje, jam i hapur për t’ju përgjigjur.

Seanca e pyetje-përgjigjeve

 

Pyetje: A duhet të shoqërohen masat që keni marrë me masa të tjera shtesë për reduktimin e transaksioneve në euro, p.sh. shitjen e pasurive të patundshme në euro?

Guvernatori Këto masa synojnë orientimin e sistemit financiar drejt përdorimit të monedhës vendase, në radhë të parë në bashkëpunim me sistemin bankar.

Niveli i lartë i euroizimit vjen edhe pasi euro përdoret në disa transaksione të panevojshme, siç janë shitblerjet e apartamenteve apo makinave që tregtohen në euro. Kjo është e panevojshme kur të ardhurat janë në lekë. Kjo është dhe një trashëgimi psikologjike që vjen nga e kaluara pasi në raste të tilla nuk ka pse të përdoret euro, kurmund të përdoret leku.

Për momentin, në mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar, ne kemi gjykuar dhe kemi vendosur që të mos e bëjmë të detyrueshme mosbërjen e pagesave në euro,për të mos pasur efekte më të thella, për ta monitoruar tregun dhe për të parë vazhdimësinë e procesit. Nëse do të jetë e nevojshme mund të aplikohet në të ardhmen.

Aktualisht, vazhdon të jetë e lirë shitblerja si në euro ashtu edhe në monedhën vendase. Natyrisht që në rast se do të shohim që niveli i euroizimit në ekonomi dhe në sistemin financiar do të vijë në rritje, pra në një plan afatgjatë do të kemi ekspozim më të madh në euro, mund të jemi të detyruar të marrim edhe masa të tjera.

Për momentin jemi kufizuar vetëm në këto masa që aplikohen mbi sistemin bankar. Më vonë do ta shqyrtojmë dhe do ta shohim nëse do të jetë e nevojshme. Ne shpresojmë që në mënyrë graduale – për një periudhë disavjeçare - të kemi një zvogëlim të përdorimit të euros dhe një ndërgjegjësim të bizneseve dhe të popullatës për rritjen e përdorimit të monedhës vendase, që të kuptojnë se cilat janë rreziqet që vijnë si nga ndryshimi i kursit të këmbimit,ashtu dhe nga ndryshimi i normës së interesit për ekspozimet e pambuluara në monedhë të huaj. Kjo bëhet për individët dhe bizneset që të orientohen siç duhet drejt monedhës vendase, jo për eksportuesit sepse ata kanë aktivitet në monedhën euro.

Në rast se do të vazhdojë efekti psikologjik edhe pas këtyre masave, pra nëse monedha euro do të vazhdojë të përdoret në mënyrë të panevojshme, mund të jemi të detyruar të aplikojmë dhe masa për të ndaluar përdorimin e shitblerjeve në monedhë të huaj brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Pyetje: Pse një vendim i tillë në këtë moment dhe a ka ndikim kjo në procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?

Guvernatori Momenti është i përshtatshëm pasi në radhë të parë ne kemi një gjendje të qëndrueshme makroekonomike. Kemi ndërmarrë disa masa dhe reforma dhe ky grup masash është në kuadrin e një reforme financiare të ndërmarrë nga ne si Bankë e Shqipërisë. Një masë tjetër e rëndësishme ka qenë dhe plani për uljen e kredive me probleme, e cila ka rezultuar e suksesshme. Gjithashtu, kemi ndërmarrë një politikë monetare lehtësuese gjatë këtyre viteve për të stimuluar kreditimin dhe investimet në ekonomi, e cila ka rezultuar e suksesshme, me gjithë kufizimet që vijnë nga niveli i lartë i euroizimit. Pra politika jonë monetare ka ushtruar ndikim mbi pjesën e monedhës kombëtare dhe ka nxitur kreditimin në lekë më shumë krahasuar me kreditimin e monedhës së huaj.

Duke qenë se kemi një situatë të qëndrueshme makroekonomike dhe masat e reformat e tjera të ndërmarra në sistemin financiar kanë rezultuar të suksesshme, kemi gjykuar që është momenti më i mirë për të ndërmarrë këto masa për deeuroizimin dhe për të filluar një reformë graduale drejt stimulimit të përdorimit të monedhës vendase.

Ky është momenti më i mirë për të stimuluar gradualisht përdorimin e lekut. Pikërisht sepse synojmë aderimin në Komunitetin Evropian, përdorimi i monedhës vendase do të ishte një avantazh për ekonominë tonë, për të përshpejtuar integrimin dhe për të forcuar stabilitetin financiar.

Ne nuk jemi shteti i parë që i merr këto masa. I njëjti fenomen ka ndodhur dhe në vendet e tjera, anëtare ose joanëtare të Bashkimit Evropian. Këto masa po i aplikojmë duke gjykuar situatën e ekonomisë shqiptare, evoluimin e luhatjeve financiare, eksperiencat e shteteve të tjera dhe gjykojmë që është një moment shumë i mirë për të filluar stimulimin e monedhës vendase.

Sigurisht që procesi i integrimit evropian kërkon vite dhe ne jemi afër hapjes së negociatave. Shpresojmë që negociatat të hapen këtë verë. Ekonomia jonë ka nevojë të forcohet dhe është shumë e rëndësishme të ruhet stabiliteti makroekonomik. Këtë sukses që kemi arritur deri tani, duhet ta ruajmë. Ekspozimi ndaj kursit të këmbimit dhe normës së interesit, kryesisht nga një nivel i lartë i euroizimit do ta cenonte stabilitetin financiar në Republikën e Shqipërisë. Në rast se do të përballeshim me luhatje të kursit të këmbimit - gjithmonë mund të kemi ngjarje, efekte, goditje nga jashtë - këto goditje do të kishin efektin e tyre negativ në ekonominë shqiptare.

Është detyrë e Bankës e Shqipërisë, si rregullator, si Grup Këshillimor i Stabilitetit Financiar që të marrë masa parandaluese për goditjet që mund të vijnë në të ardhmen. Unë do ta konsideroja avantazh që instrumentin e politikës monetare e përdorim për të stimuluar ekonominë, kreditimin dhe investimet, pra do të rritej kontributi i politikës sonë monetare për rritjen ekonomike. Rritja ekonomike përkthehet në mirëqenie të qytetarëve shqiptarë. Pra nëpërmjet këtyre instrumenteve, kemi mundësi më të madhe për të ndikuar rritjen ekonomike. Sa më shpejt të rritet niveli i rritjes ekonomike, aq më shpejt do të përafrohemi me Bashkimin Evropian.

Pyetje: Në një studim të posaçëm për Shqipërinë, FMN-ja llogarit se kostot nga përdorimi i lartë i euros arrijnë në 45 milionë euro në vit. A ka Banka e Shqipërisë një llogaritje të ngjashme se sa janë humbjet nga përdorimi i lartë i euros?

Guvernatori : Ju e shprehni në euro, por vetë studimi i FMN-së e ka shprehur në lekë këtë shifër. Vetë ky fakt tregon që psikologjikisht jemi shumë të orientuar drejt euros. Studimi në fjalë ka bërë një analizë kryesisht për rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë, se sa humbet Banka e Shqipërisë në menaxhimin e rezervës së saj valutore nga euroizimi i ekonomisë shqiptare. Dhe ky efekt është llogaritur në 6 miliardë lekë. Ky studim është bërë në bashkëpunim me ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

Në fakt, është e vështirë të parashikosh humbjet që vijnë nga euroizimi në nivel ekonomie. Studimi që përmendëm lidhet me rezervën valutore të Bankës së Shqipërisë. Në nivel ekonomie është pothuajse e pamundur të përcaktosh se sa janë humbjet që mund të vijnë nga luhatjet e këmbimit valutor. Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe askush nuk e parashikon dot nivelin e tij - është e paparashikueshme në të gjithë botën.

Sigurisht që kursi i lirë i këmbimit është pasojë e kërkesë-ofertës dhe ka shumë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që e ndikojnë. Ne mund të kemi zhvlerësim të kursit të këmbimit si pasojë e lëvizjes së një monedhe të caktuar në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht se kërkesa ose oferta mund të jetë krejt e ndryshme brenda ekonomisë tonë. Sikurse mund të ndodhë edhe e kundërta, që mund të kemi një kërkesë ose ofertë të madhe brenda ekonomisë tonë dhe mund të ketë luhatje. Pra, ka shumë faktorë dhe është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, të përcaktosh humbjet ose përfitimet. Por është e sigurt që stabiliteti financiar do të cenohej në rast se do të kishim një zhvlerësim të monedhës tonë kombëtare në një moment të caktuar.

Ne kemi pasur dy momente të zhvlerësimit të monedhës kombëtare, në vitin 1997 dhe në momentet e krizës në vitin 2008. Në vitin 2008 pati dhe një ekspozim shumë të madh në kredi si nga individët, ashtu edhe nga bizneset të cilët kishin të ardhurat në lekë, por kreditë i kishin marrë në euro. Shifrat kanë treguar që pjesa kryesore e kredisë së keqe, e cila shkoi në nivelin 25% ishte kryesisht nga klientë të cilët kishin marrë kredi në euro dhe të ardhurat i kishin në monedhën vendase. Pra, ne synojmë ta shmangim këtë ekspozim për ata klientë të cilët janë të pambuluar, d.m.th. kanë të ardhura në lekë dhe kërkojnë kredi në monedhë të huaj. Këta klientë janë të ekspozuar ndaj çdo ndryshimi të kursit të këmbimit në të ardhmen. Dhe mund të ndodhë jo vetëm tani, por në çdo kohë, edhe në momentin që ne do të jemi të integruar në Bashkimin Evropian. Madje dhe kur je pjesë e Bashkimit Evropian mund të ndodhë që të kesh goditje të kësaj natyre. Polonia dhe Hungaria patën goditje serioze në gjendjen e stabilitetit financiar. Kur franga zvicerane kishte normë më të ulët interesi, individët i orientuan kreditë për banesa dhe pasuritë e patundshme kryesisht në këtë monedhë. Në momentin e vlerësimit të frangës zvicerane pati goditje të forta në gjendjen e stabilitetit financiar në Poloni dhe në Hungari, të cilat u shoqëruan me humbje shumë të mëdha dhe falimentime, por edhe goditje të mëdha të sistemit financiar. Ky fenomen implikoi dhe politikën monetare të këtyre shteteve, pasi në ato momente u detyruan të kalojnë në kahun e kundërt dhe të përdornin politikën monetare shtrënguese. Pra krijoi disbalanca serioze në situatën e stabilitetit financiar, por dhe në ushtrimin e politikës monetare të këtyre shteteve.

Në mënyrë që të mos përsëriten këto gabime, dhe Bordi Evropian i Rrezikut Sistemik ka dhënë rekomandime për të gjitha shtetet që të marrin masa parandaluese për stimulimin e monedhës kombëtare, sidomos për vendet në zhvillim, si Shqipëria dhe vendet e rajonit, të cilat janë më delikate në ekonomitë e tyre, kanë një nivel të shpejtë rritjeje, si dhe ekspozime e rreziqe.

Pyetja 4: Përveç sistemit bankar, a do të shtrihen dhe më tej këto masa?

Guvernatori: Ne do të monitorojmë situatën e ekonomisë dhe të sistemit financiar dhe do të diskutojmë në mbledhjet periodike që bëjmë me Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar. Një mbledhje e këtij Grupi do të zhvillohet së shpejti, dhe ju mund të njiheni me diskutimet e mbledhjes nëpërmjet deklaratave për shtyp të publikuara. Unë e theksova dhe më herët se jemi të hapur dhe do të shqyrtojmë, nëse në të ardhmen do të na duhet të marrim edhe masa për të shmangur transaksionet në monedhë të huaj, ato transaksione që kryhen në mënyrë artificiale si pasojë e trashëgimisë psikologjike të përdorimit të monedhës euro.

Për momentin, ne si bankë qendrore gjykuam të aplikojmë këto masa në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, FMN-në, BB-në dhe Komisionin Evropian, duke u dakordësuar dhe konsultuar patjetër me sistemin financiar. Kjo sepse nuk do të donim të kishim ndikime negative në eficiencën e sistemit financiar dhe në përfitueshmërinë e këtij sistemi. Kjo është studiuar me gjithë bankat gjatë vitit të kaluar.

Kemi gjykuar ta fillojmë këtë reformë financiare, me këto tre masa që në një pjesë të mirë janë edukative, për të sqaruar bizneset dhe individët për ekspozimin ndaj rrezikut të këmbimit valutor dhe rrezikut të normës së interesit në monedhë të huaj. Për bankat, efekti është neutral, kemi rritur nivelin e rezervës së detyrueshme në monedhë të huaj, e kemi ulur në lekë. Siç e theksuam, ne do të studiojmë tregun. Do të publikojmë një raport 6-mujor lidhur me nivelin e euroizimit. Raportin e parë e kemi publikuar tashmë. Ky raport do të jetë transparent dhe do të gjykohet nga ju dhe publiku. Mbi bazën e këtyre të dhënave, ne do të gjykojmë si Bankë e Shqipërisë, nëse niveli i euroizimit është ulur gradualisht. Kur them gradualisht, kjo do të kërkojë vite, pra nuk diskutojmë një nivel gradual, pasi edhe integrimi evropian kërkon vite. Ne jemi të qartë për këtë gjë.

Duke parë zhvillimin gradual dhe nivelin e euroizimit të ekonomisë, do të aplikojmë edhe masat përkatëse. Kur them gradual nënkuptoj një hark kohor 3-5 vite që të kemi efekt.

Ne nuk synojmë të shmangim euron. Termi “deeuroizim”, - kjo është fjala që përdoret, - është përkthyer sikur Banka e Shqipërisë i shpall luftë euros. Por ne nuk i kemi shpallur luftë euros, ne po shkojmë drejt Evropës. Sigurisht që një ditë ne të gjithë dëshirojmë që monedha jonë, si e shumë shteteve evropiane, të jetë monedha euro, por do të duhet që ekonomia jonë të qëndrojë krahas ekonomive më të zhvilluara të Bashkimit Evropian, të cilat kanë monedhën euro. Ne shohim që dhe shtete të zhvilluara si Hungaria, Çekia, Polonia kanë në përdorim akoma monedhën e tyre, që do të thotë se këto ekonomi nuk janë akoma në atë nivel për të futur monedhën euro në përdorim. Rekomandimi i Bashkimit Evropian është që shtetet që pranohen, të vazhdojnë të përdorin monedhën e tyre të paktën dy vjet pas pranimit. Pra edhe në momentin e pranimit, ne do të vazhdojmë të kemi monedhën tonë kombëtare.

E theksoj që përdorimi i monedhës kombëtare është një avantazh i madh, nuk po them që është luks. Është një avantazh shumë i madh për ushtrimin e politikës monetare nga banka qendrore, jo thjesht si koncept teorik, por si koncept praktik, në stimulimin e ekonomisë vendase, në stimulimin e kreditimit dhe të investimeve. Instrumenti i normës së interesit, instrumenti bazë i politikës monetare, ushtrohet pikërisht për këtë arsye, që në situata të caktuara makroekonomike të stimulojmë ekonominë për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe integrimin. Ky është synimi.

Prandaj dhe ne si bankë qendrore vlerësuam të marrim këto masa në drejtim të përdorimit të monedhës vendase. Studimet treguan që niveli i euroizimit ishte mbi 50%, dhe një nivel kaq i lartë kufizon influencën e politikës tonë monetare dhe përfaqëson një rrezik për stabilitetin financiar. Ky rrezik është parë në shtetet e tjera dhe ne duhet ta shmangim. Në rast se do të ballafaqoheshim me situata rreziku, me situata zhvlerësimi të monedhës tonë, atëherë sigurisht që ju do të ishit të parët që do të na thoshit: ku ishit ju, pse nuk morët asnjë masë, çfarë ka bërë Banka e Shqipërisë, ka fjetur gjumë?

Një ditë e tillë, uroj të mos vijë! Por në rast se do të vinte, sigurisht që do të isha përsëri këtu me ju dhe do të detyrohesha të shpjegoja pikërisht se pse nuk i morëm këto masa. Dhe ju do të na thoshit se pse shtetet e tjera i kanë marrë këto masa dhe ju ku ishit.

Pyetje: A pritet të kenë efekt këto masa, te depozitat në valutë? A pritet të kenë ndikim këto masa, në kursin e këmbimit?

Guvernatori: Lidhur me kursin e këmbimit, vlen t’ju sqaroj sepse edhe eksportuesit kanë shprehur ndjeshmërinë e tyre. Ata e kryejnë aktivitetin në monedhë të huaj. Këto janë masa që nuk ndikojnë kursin e këmbimit, por psikologjikisht mund të ndikojnë. Mund të ketë një interesim më të madh, jo vetëm nga bizneset që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në euro, eksportuesit dhe importuesit, por dhe nga individët që kanë të ardhura në euro, qoftë nga remitancat, qoftë depozita në euro.

Këto janë masa që kanë të bëjnë me gjendjen e likuiditetit në sistemin bankar. Ne kemi një regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe e ritheksoj që ndikohet nga faktorët e kërkesës dhe ofertës, por jo nga këto masa. Këto janë masa rregullative që aplikohen në sistemin bankar. Kursi i këmbimit mund të vlerësohet dhe zhvlerësohet në varësi të kërkesës, ofertës, luhatjeve, goditjeve nga brenda e jashtë. Pra këto masa nuk janë goditje, meqë dëgjova që kishte ndjeshmëri. Këto janë masa që do të shtrihen në kohë, për të orientuar sistemin bankar drejt përdorimit të monedhës vendase, por jo për ta zhdukur euron. Sigurisht euro do të jetë në qarkullim. Import-eksportet dhe ne vetë i rekomandojmë që t’i kryejnë në monedhë të huaj, pasi do të kishin ekspozim nga krahu i kundërt. Në rast se ne do t’i detyronim t’i kryenin veprimet në lekë, natyrisht ata do të ishin të pambuluar në krahun e kundërt. Pra, në drejtim të kursit të këmbimit, ne nuk shikojmë që do të ketë efekte negative.

Për pyetjen lidhur me depozitat, monedha vendase për fatin tonë të mirë ka qenë e qëndrueshme, si pasojë e politikës monetare dhe politikave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë jo vetëm së fundmi por gjatë shumë viteve. Ne kemi parë luhatje të mëdha të monedhës tonë kombëtare në vitin 1997 dhe në vitin 2008, që kanë qenë vite krizash. Përtej kësaj, ne kemi pasur një qëndrueshmëri për t’u admiruar, në luhatjet e monedhës kombëtare, kundrejt monedhave të tjera: euros, dollarit, por dhe monedhave të tjera. Madje ne vazhdimisht pyetemi se çfarë kemi bërë që monedha jonë kombëtare ka qenë kaq e qëndrueshme në raport me monedhat e huaja.

Këto masa në afat të gjatë stimulojnë rritje në kahun e depozitave dhe stimulojnë rritjen e normave të interesit për depozitat në lekë. Gjithmonë depozitat në lekë kanë pasur një përfitueshmëri më të lartë se depozitat në monedhë të huaj. Nëpërmjet këtyre masave, ne synojmë të shpërblejmë më mirë depozitat në lekë. Kjo do të bënte një orientim drejt lekut, por individët dhe bizneset janë të lirë. Pjesa dërmuese e depozitave sot është në euro, pavarësisht se përfitueshmëria në euro është më e ulët. Kjo vjen thjesht si pasojë e besimit te një monedhë më e fortë që është monedha e Bashkimit Evropian. Por jo si pasojë e përfitueshmërisë. Edhe sot individët e bëjnë llogarinë thjesht. Zgjedhin euron, sepse psikologjikisht kanë një frikë potenciale për të ardhmen, siç kemi ne “një frikë” kundrejt rreziqeve të mundshme dhe prandaj propozojmë dhe marrim masa për të shmangur rreziqet sistemike kundrejt sistemit financiar, por dhe kundrejt zhvlerësimit të monedhës kombëtare. E njëjta gjë ndodh dhe me individin. Në mënyrë instiktive zgjedh euron si monedhë pavarësisht se ka një normë më të ulët interesi. Individët janë të lirë të zgjedhin, por ne kemi për detyrë që individëve t’u tregojmë në mënyrë transparente rreziqet, t’u tregojmë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen kundrejt ekspozimeve të caktuara, kundrejt rrezikut të normës së interesit.

Pyetje: A do të ketë shtrenjtim të kredisë në euro?

Guvernatori: Unë thashë që kjo është një masë graduale që varet nga bilancet e sistemit bankar. Në momentin e parë, për vetë sistemin nuk do të ketë efekt, pasi vetë masat neutralizojnë njëra-tjetrën, çfarë rëndohet në euro lirohet në lekë.

Natyrisht që në afat të gjatë, ne synojmë që kredia në lekë të jetë më e lirë se sa kredia në euro, por nuk besoj dhe nuk gjykoj që nëpërmjet këtyre masave do të ketë një impakt të hershëm ose të shpejtë. Mund të ketë një ndikim, siç thoni ju, për një shtrenjtim të kredisë në euro, në raport me kredinë në lekë në afat më të gjatë, por kjo nuk varet vetëm nga këto masa. Kjo varet kryesisht nga norma e interesit të euros që caktohet nga Banka Qendrore Evropiane. Në rast se do të shtrenjtohet ose do të ulet norma e interesit të kredisë, kjo varet nga norma bazë e euros. Norma e interesit të kredisë në euro është euribor plus marzhin që i vendos banka. Po kështu dhe norma e interesit të kredisë në lekë është bono thesari plus një marzh.

Në rast se Banka Qendrore Evropiane do të vazhdojë të ndjekë politikën e saj lehtësuese, norma e interesit në euro do të vazhdojë të jetë e ulët. Në rast se norma e vendosur nga Banka Qendrore Evropiane do të rritet - dhe parashikohet në fakt që me kalimin e krizës të kemi një rritje të normave të interesit, pasi ekonomia po gjallërohet në Bashkimin Evropian - mund të kemi një shtrenjtim të kredisë në euro. Por mund të kemi dhe një shtrenjtim të kredisë në lekë, kur ne të kalojmë nga një politikë monetare lehtësuese në një politikë monetare shtrënguese.

Kur rriten normat e interesit, ndikohen të dy krahët. Me një politikë monetare shtrënguese kemi kosto më të lartë për kreditimin, por dhe një përfitueshmëri më të lartë për depozituesit. Ky është një fenomen standard që ndodh në të gjitha ekonomitë. Ne po synojmë të arrijmë objektivin tonë kryesor si bankë qendrore që është stabiliteti i çmimeve, inflacioni i shënjestruar në nivelin 3%. Sot inflacioni është rreth 2%. Më herët, objektivin e kemi pasur 3+/‑1% (2-4%), tani e kemi 3%. Ne synojmë që me rritjen ekonomike të rritet dhe niveli i inflacionit. Pra në një kohë të caktuar, me zhvillimet ciklike ekonomike të Bashkimit Evropian dhe të rajonit tonë do të kalohet nga një politikë monetare lehtësuese në një politikë monetare shtrënguese. Kjo do të thotë që normat e interesit gradualisht të vijnë në rritje dhe këto ndikojnë direkt te çmimi i kredisë dhe i depozitave.

Masat tona janë kryesisht graduale, të shtrira në kohë dhe nuk kanë efekte të menjëhershme. Nuk kanë pse të shqetësohen as individët as bizneset, nuk kanë pse të shqetësohen jo për momentin, por as dhe në kohë.

Ne synojmë të shmangim pjesën e panevojshme të euroizimit, t’i sqarojmë individët dhe t’i orientojmë që nuk kanë pse ekspozohen ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kur të ardhurat i ke në lekë, edhe blerjet mund t’i bësh në lekë, dhe kredinë duhet ta marrësh në lekë. Kështu je i mbrojtur, nuk ke asnjë lloj ekspozimi në të ardhmen, je i qartë dhe në afat të gjatë se çfarë mund të ndodhë me kursimet dhe investimet e tua.

Ne synojmë që sistemi bankar të ketë një menaxhim më të mirë të likuiditetit. Është bërë një vlerësim që niveli i euroizimit është 10% mbi nivelin optimal dhe pikërisht duke shmangur këtë pjesë të panevojshme, ne do të menaxhojmë uljen e këtij niveli.

Euro do të vazhdojë të jetë monedhë në përdorim, për aq kohë sa partnerët tanë tregtarë janë në Eurozonë. Importet, eksportet, investimet e huaja që do të vijnë në Shqipëri do të jenë në euro. Shtete të tjera si Polonia, Hungaria, janë treguar më shumë shtrënguese, pasi kanë pësuar goditje nga kriza. Ne synojmë të parandalojmë goditjet që do të vijnë në të ardhmen. Për fat nuk kemi pasur goditje kaq të forta sa këto shtete. Në të kundërt do të kishim qenë të detyruar të merrnim masa më drastike për përdorimin e monedhës vendase. Për momentin jemi te këto masa që thashë.