BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko takohet me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza

Data e publikimit: 24.02.2016

 

Në datë 24 shkurt 2016, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një vizitë pune pranë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Kjo është vizita e parë e Guvernatorit Sejko, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që prej marrjes së detyrës si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

24 02 2016 vizita e guvernatorit ne bqk 8040 0

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Bedri Hamza. Biseda u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të dy vendeve si dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy bankave qendrore.

Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare si dhe me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend. Ai u shpreh se, aktiviteti ekonomik në vend po ndjek një trajektore pozitive, dhe për këtë vit Banka e Shqipërisë parashikon një rritje ekonomike më të lartë. Kjo rritje do të mbështetet nga rritja e kërkesës dhe e konsumit të brendshëm, por edhe nga rritja e nivelit të investimeve të huaja. Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të japë të gjithë stimulin e duhur monetar për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme të vendit.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në ecurinë e sektorit bankar shqiptar, ku theksoi se bankat që operojnë në vend gëzojnë tregues të shëndetshëm financiarë. Ndër të tjera, Guvernatori Sejko e njohu Guvernatorin Hamza edhe me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera përkatëse për forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Guvernatori Sejko vlerësoi si të domosdoshme rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e tregut të përbashkët financiar mes dy vendeve, mbështetur jo vetëm në pozicionin gjeografik, por dhe në bashkëpunimin vëllazëror.

24 02 2016 vizita e guvernatorit ne bqk1 8041 0

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Hamza prezantoi zhvillimet kryesore ekonomike në Kosovë, ecurinë e sektorit bankar dhe atë të sigurimeve, si dhe rolin që ka pasur banka qendrore në mbështetje të qëndrueshmërisë financiare të vendit.

24 02 2016 vizita e guvernatorit ne bqk2 8042 0

Në përfundim, Guvernatori Hamza shprehu vlerësimet për zhvillimet institucionale dhe hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përsosjes së ekspertizës së saj dhe aktivitetit të përditshëm, duke çmuar rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë luan në ruajtjen e parametrave makroekonomikë të vendit.

Në emër të stafit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Guvernatori Hamza i shprehu Guvernatorit Sejko falënderimet më të përzemërta për asistencën teknike të ofruar nga Banka e Shqipërisë në fusha kryesore të bankingut qendror, si: mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave, stabiliteti financiar, etj.

Në përfundim të këtij takimi, të dy homologët ndanë të njëjtin mendim për domosdoshmërinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella midis dy institucioneve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Guvernatori Sejko, i shoqëruar nga Guvernatori Hamza zhvilloi një vizitë homazh në Memorialin e familjes Jashari. Të dy guvernatorët nderuan kujtimin e heroizmit dhe sakrificës sublime të kësaj familjeje, duke vendosur buqeta me lule. Gjithashtu, të dy Guvernatorët zhvilluan edhe një vizitë në shtëpinë historike të Lidhjes së Prizrenit.  

 

.24.02.2016_vizita ne memorialin e adem jasharit.

 

.24.02.2016_vizita ne shtepine e lidhjes se prizrenit.