BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takohet me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të FMN-së, z. Tao Zhang

Data e publikimit: 13.02.2018

 

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Tao Zhang, vizitoi Shqipërinë në datat 12-13 shkurt 2018. Gjatë vizitës, z. Zhang zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit.

Takimi me Guvernatorin Sejko u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ku z. Tao Zhang shoqërohej nga zj. Anita Tuladhar, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, dhe z. Jens Reinke, Përfaqësues Rezident i FMN-së në Shqipëri. Të pranishëm në takim ishin dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe të FMN-së.

 dsc5142-2 - 498

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit me FMN-në, e cila, nëpërmjet ofrimit të asistencës teknike, ka ndihmuar në hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit.

Guvernatori Sejko u shpreh se vëmendja e Bankës së Shqipërisë ka qenë e fokusuar në objektivin e saj kryesor, ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ai shtoi se Banka e Shqipërisë nëpërmjet ushtrimit të rolit të saj si autoritet monetar, ka kontribuar në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit financiar e makroekonomik të vendit.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se sistemi karakterizohet nga tregues të qëndrueshëm financiarë. Disa nga çështjet në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm dhe reduktimi i kredive me probleme, raporti i të cilave në muajin dhjetor shënoi vlerën 13.2%.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të situatës makroekonomike, ku theksoi se aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të shënojë përmirësim. Pavarësisht progresit, autoritetet vendase mbeten të angazhuara të japin kontributin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, si dhe përshpejtimin dhe zgjerimin e reformave të ndërmarra deri tani, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Më tej, Guvernatori Sejko prezantoi paketën e deeuroizimit, si një iniciativë me mjaft rëndësi, e cila, nëpërmjet masave konkrete për rritjen e përdorimit të monedhës kombëtare, do të mundësojë rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe forcimin e stabilitetit financiar në vend.

 dsc5147-2 - 350

Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së z. Tao Zhang, vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri.

Z. Zhang u shpreh se Shqipëria po bën përparim në drejtim të konvergjencës, megjithatë ai shtoi se, duke qenë se ekonomia globale po rritet me ritme pozitive, është koha e duhur për Shqipërinë të vazhdojë të ndërmarrë reforma të mëtejshme.

Duke u ndalur në aktivitetin ekonomik të vendit, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së theksoi se ruajtja e ritmit të reformave, dhe forcimi i institucioneve dhe i mirëqeverisjes kanë rëndësi të veçantë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e FMN-së vizituan edhe Muzeun e Bankës së Shqipërisë, ku u njohën me historinë e monedhës shqiptare dhe programet edukative të Bankës së Shqipërisë.