BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e Japonisë në Tiranë

Data e publikimit: 26.03.2021

 

Në datën 26 mars 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi takimin e parë zyrtar me Ambasadorin e ri të Japonisë në Tiranë, SH.T. Z. TAKADA Mitsuyuki, në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu vlerësimet e tij Ambasadorit të Japonisë në Tiranë, SH.T. Z. TAKADA Mitsuyuki, për marrëdhëniet mjaft të mira midis dy vendeve si dhe biseduan rreth perspektivave potenciale të bashkëpunimit ekonomik për të ardhmen, në fusha si shkëmbimet tregtare, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, infrastruktura, etj.

DSC 5919 498

Në krye të bisedës ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj jo vetëm në ekonomitë e të dy vendeve, por edhe në atë globale. Guvernatori u shpreh se si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë, ekonomia shqiptare gjatë vitit 2020 shënoi një rënie, por falë kontributit të Bankës së Shqipërisë dhe politikave të mirëkoordinuara makroekonomike, pritet që aktiviteti ekonomik të rikuperohet gradualisht gjatë vitit 2021.

Më konkretisht, në përgjigje të situatës së krijuar, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe, heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Në vijim, Guvernatori u shpreh lidhur me sektorin financiar dhe bankar në vend, duke theksuar se ky sistem mbetet solid, i aftë për të paguar dhe likuid. Ai veçoi se tregjet tona financiare paraqiten të qeta, normat e interesit dhe kursi i këmbimit të qëndrueshëm, si dhe fluksi i kreditimit të ekonomisë pozitiv, duke ndikuar në zbutjen e efekteve dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit.

DSC 5899 4981

Ambasadori i Japonisë në Tiranë, SH.T. Z. TAKADA Mitsuyuki, falënderoi Guvernatorin Gent Sejko për këtë takim dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, sidomos në këto kohë të vështira, me masa ekstreme dhe pasiguri të ndryshme. Ai nënvizoi se masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë synuar zbutjen e efekteve negative si dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Ndër të tjera, bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në funksion të nxitjes së investimeve të huaja në Shqipëri dhe mbështetjen e komunitetit të biznesit e lidhjeve tregtare sidomos në fushën e teknologjisë. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe krijimi i kushteve sa më të mira për investitorët japonez në Shqipëri mbetet një synim i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Në këtë drejtim, gjithashtu edhe tregu i gjerë dhe efikas i punës në vendin tonë mund të shfrytëzohet si një avantazh konkurues mjaft i rëndësishëm.

Në përfundim, ata ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit dhe ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.