BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Shqipëri Sh.T.Z. Lóránt Balla

Data e publikimit: 27.09.2018

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Lóránt Balla.

Në fillim të takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira historike, duke u ndalur gjithashtu në bashkëpunimet mjaft të frytshme dypalëshe midis dy vendeve.

#498 DSC0903 2

Më tej, Guvernatori Sejko u ndal në zhvillimet ekonomike të vendit, ku u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar të ecë me një trend pozitiv zhvillimi, e mbështetur nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Ai theksoi se shifrat e fundit tregojnë një drejtim mjaft pozitiv, e megjithatë ambienti mbetet ende mjaft sfidues dhe nevoja për progres të mëtejshëm do të vazhdojë të jetë në vëmendjen e institucioneve shqiptare.

Në vijim, Guvernatori u ndal edhe tek procesi mjaft i rëndësishëm i anëtarësimit evropian të Shqipërisë. Në këtë kontekst, z. Sejko theksoi se mbështetja e një vendi anëtar në Bashkimin Evropian, si Hungaria, mbetet e një rëndësie të veçantë për hapjen e negociatave dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Lidhur me zhvillimet financiare, Guvernatori nënvizoi se sistemi bankar shqiptar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm, dhe Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të ushtrojë me profesionalizëm rolin e saj rregullator, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të tij.

Nga ana e tij, Ambasadori i Hungarisë theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike, strukturore e sektoriale, si dhe vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria vitet e fundit. Ai theksoi se falë këtij progresi, Shqipëria ka tërhequr tashmë vëmendjen e mjaft vendeve, e veçanërisht në fushën e turizmit.

Ambasadori shtoi se investitorë hungarezë kanë shfaqur interes për të investuar në sektorë të ndryshëm në Shqipëri. Ai vuri në dukje se ky interes i shfaqur deri tani prej tyre mund të shërbejë për të rritur besueshmërinë dhe për të tërhequr më shumë investitorë edhe nga vende të tjera në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Ambasadori u shpreh se vazhdimi i reformave është një element mjaft i rëndësishëm, frytet pozitive të të cilave do të ndikojnë pozitivisht në krijimin e një ambienti edhe më atraktiv për investitorët e huaj.

Në përfundim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.