BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, SH.T.Z. Marcos Alonso Alonso

Data e publikimit: 11.12.2020

 

Në datën 10 dhjetor 2020, Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, SH.T.Z. Marcos Alonso Alonso.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit për marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, duke e vlerësuar Spanjën si  një partner të rëndësishëm evropian, si dhe duke i shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Spanja ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

DSC 3091 498

Në krye të bisedës, Guvernatori bëri një ekspoze të panoramës ekonomike në Shqipëri dhe në veçanti trajtimin e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.

Guvernatori u shpreh se pandemia vuri në provë qëndrueshmërinë e ekonomisë së Shqipërisë dhe të sistemit financiar, megjithatë falë masave dhe instrumenteve të marra në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara nga Banka e Shqipërisë për të mbështetur veprimtarinë financiare dhe nga Qeveria, u arrit të mbahej në kontroll ndikimi i saj në ekonomi dhe ruajtja e stabilitetit monetar e financiar.

Më konkretisht, Banka e Shqipërisë mori masa të menjëhershme si ulja e normës bazë të interesit dhe shtimi i injektimeve të likuiditetit; lehtësimi rregullator i përkohshëm në nxitje të shtyrjes së pagesës së kësteve dhe të ristrukturimit të kredive; pezullimi i pagesave të dividentit në sektorin bankar; si dhe heqja e tarifave të transaksioneve ndërbankare në sistemet tona të pagesave.

Në vijim, Guvernatori u shpreh lidhur me sektorin financiar dhe bankar në vend, duke theksuar se ky sistem mbetet solid, i aftë për të paguar dhe likuid. Ai veçoi se tregjet tona financiare paraqiten të qeta, normat e interesit dhe kursi i këmbimit të qëndrueshëm, si dhe fluksi i kreditimit të ekonomisë pozitiv, duke ndikuar në zbutjen e efekteve dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit.

DSC 3080 498

Ambasadori Alonso vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira, të shoqëruara nga dy momente si ai i tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemia e Covid-19. Ai shtoi se falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese.

Ambasadori Alonso theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe Ambasadori Alonso ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin  e tyre për të zhvilluar bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.