BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, SH.T.Z. Álvaro Renedo Zalba

Data e publikimit: 13.07.2022

 

Në datën 13 korrik 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko priti në një takim zyrtar kortezie në Bankën e Shqipërisë, Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, SH.T.Z. Álvaro Renedo Zalba.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit për marrëdhëniet e mira midis dy vendeve, duke vlerësuar shkëmbimet tregtare me Spanjën si dhe duke i shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Spanja ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në krye të bisedës, Guvernatori Sejko bëri një ekspoze të panoramës ekonomike në Shqipëri ku theksoi se ecuria e saj në këtë periudhë paraqitet sfiduese. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, rrjedhimisht do të ndikojnë edhe në ecurinë e inflacionit dhe rritjen ekonomike të vendit tonë.

Guvernatori theksoi se rritja e shpejtë e çmimeve dhe paqartësia mbi kohëzgjatjen dhe pasojat e konfliktit të armatosur Rusi-Ukrainë, kanë shtuar pasiguritë në tregjet financiare dhe kanë krijuar pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit.

Më tej, ai shtoi se si përgjigje ndaj këtyre sfidave, fokusi i politikave ekonomike në vend po orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, dhe do të kërkojë rishikimin në vazhdimësi të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë.

Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë po monitoron dinamikën e presioneve inflacioniste dhe është e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur, për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend.

Ai shtoi se, pavarësisht sfidave, parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të shënojë rritje në horizontin afatmesëm. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit dhe shëndetit financiar. 

Ambasadori SH.T.Z. Álvaro Renedo Zalba vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira.

Ai theksoi progresin që Shqipëria ka bërë në kuadër të procesit të integrimit evropian si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Spanjës në këtë drejtim.

Ambasadori theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën dhe sidomos marrëdhëniet tregtare dhe rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko dhe Ambasadori SH.T.Z. Álvaro Renedo Zalba shprehën vullnetin për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.