BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani takohet me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 15.07.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani u takua sot me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që po viziton Shqipërisë të kryesuar nga z.Jan Kees Martijn, ekonomist në Departamentin Evropian të FMN-se dhe që shoqërohej nga përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së FMN-së në Shqipëri, z. Jan-Peter Olters.

Temat kryesore të diskutimit kishin të bënin me inflacionin, zhvillimet monetare, privatizimin e Bankës së Kursimeve dhe zhvillimet në tregun financiar.

Në fjalën e tij z.Martijn u shpreh se FMN mbështet politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe vendimin e fundit të Këshillit të saj Mbikëqyrës për reduktimin e normës bazë të interesit. "Me kënaqësi vërejmë se agregatët monetarë janë nën kontroll dhe se paraja jashtë bankave po kthehet me ritme të kënaqshme në sistemin bankar", u shpreh z.Martijn.

Nga ana e tij Guvernatori Cani u shpreh se Banka e Shqipërisë parashikon një normë vjetore të inflacionit brenda intervalit 2-4 për qind megjithë ndikimet e mundshme të faktorëve të ndryshëm si fluksi i turistëve, situata në prodhimin bujqësor dhe agroindustrial në vend, zgjedhjet për pushtetin vendor etj.

Lidhur me privatizimin e Bankës së Kursimeve, Guvernatori u shpreh se procesi i ristrukturimit ka shënuar zhvillime pozitive dhe Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe sidomos vetë Banka e Kursimeve tashmë kanë ngritur grupet e punës dhe po punojnë në drejtim të marketimit dhe sqarimit të publikut lidhur me procesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve.

Sa i përket zhvillimeve në sektorin financiar, z.Cani u shpreh se tashmë kemi në proces zbatimi projektin RTGS-Shlyerjes së Pagesave Bruto në Kohë Reale-- dhe nga ana tjetër së bashku me Shoqatën Shqiptare të Bankave po ndërmarrim një fushatë për reduktimin e "cash" në ekonominë shqiptare.

Fushata do të shoqërohet me ndërgjegjësimin e publikut për anët pozitive të veprimeve financiare nëpërmjet sistemit bankar dhe me reduktimin e pagesave dhe komisioneve, shtimin e degëve dhe shërbimeve nga ana e bankave të nivelit të dytë nga ana tjetër.

Misioni i FMN-së do të vazhdojë takimet me drejtuesit dhe ekspertët e bankës së Shqipërisë edhe gjatë ditëve në vazhdim.