BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, zhvillon leksion me studentët e gazetarisë

Data e publikimit: 25.04.2003

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, zhvilloi sot një leksion special me studentët e degës së Gazetarisë së Fakultetit të Filiologji-Historisë së Universitetit të Tiranës. Tema e leksionit ishte "Transparenca dhe pavarësia e Bankës Qendrore" ku Guvernatori u fokusua më konkretisht mbi raportet e Bankës së Shqipërisë me politikën dhe mediat.

Duke folur për Bankën Qendrore, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë u krijua gjatë procesit të tranzicionit me kalimin në sistemin bankar dynivelor dhe me krijimin e hapësirës së nevojshme ligjore për një bankë qendrore, e cila u zyrtarizua me miratimin e ligjit "Për Bankën e Shqipërisë", datë 22 prill 1992. Banka e Shqipërisë ështe bankë me kapital tërësisht shtetëror dhe përgjiget përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në cilësinë e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë gëzon të gjitha funksionet e mirëfillta të një banke qendrore klasike:

· Harton, miraton dhe zbaton politikën monetare të vendit, për realizimin e objektivave të së cilës ajo përdor instrumentat e duhura monetare;

· Ka të drejtën ekskluzive të nxjerrjes e të qarkullimit të kartmonedhës dhe monedhës kombëtare;

· Mban dhe administron rezervat valutore të Republikës së Shqipërisë;

· Harton, miraton e zbaton regjimin e këmbimit valutor si dhe politikën e kursit të këmbimit;

· Liçencon ose revokon liçencën për ushtrimin e veprimtarisë bankare si dhe mbikëqyr aktivitetin bankar me qëllim sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar;

· Shërben si bankier, këshilltar e agjent fiskal i Republikës së Shqipërisë;

· Shërben si bankë e bankave të nivelit të dytë;

· Nxit funksionimin normal të sistemit të pagesave.

Banka e Shqipërisë, vijoi më tej z.Cani, drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili kryesohet nga Guvernatori. Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, banka qendrore është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave të ngarkuara. Çdo subjekt, nënvizoi Guvernatori, është i detyruar të respektojë pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, të mos kërkojë të influencojë te ndonjë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës për të cënuar detyrimet e tij ndaj Bankës së Shqipërisë, si dhe të mos ndërhyjë në veprimtaritë e Bankës së Shqipërisë.

Duke folur për transparencën e Bankës Qendrore, Guvernatori theksoi se "publiku ka të drejtë të kërkojë dhe Banka e Shqipërisë detyrohet të publikojë, informojë, shpjegojë politikat, procedurat, objektivat, dhe opinionet e saj. Veprimtaria e Bankës së Shqipërisë është e hapur, e sinqertë dhe e paanshme".

Sipas Guvernatorit, Banka e Shqipërisë mbështetet në standardet ndërkombëtare të hartuara në fushën e transparencës.

Duke folur për përgjegjshmërinë e Bankës së Shqipërisë, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë, si banka qendrore e vendit dhe institucion ligjërisht i pavarur, është e përgjegjshme në veprimtarinë dhe vendimet e saj. Kjo përgjegjshmëri realizohet, në radhë të parë, duke rritur transparencën. Aktiviteti i BSH-së i nënshtrohet një debati publik që i krijon mundësi ballafaqimi për të kuptuar sa të drejta janë vendimet e marra apo politikat e ndjekura, a duhen korrektuar ato, ku, kur dhe si.

Duke folur për nivelin e transparencës së Bankës së Shqipërisë, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka bërë progres në drejtim të rritjes së transparencës, duke u shndërruar nga një institucion i mbyllur në një institucion nga më të hapurit për publikun. Megjithatë është ende herët të themi se Banka e Shqipërisë është plotësisht transparente por synimi, i dokumentuar në Strategjinë e Zhvillimit 2003-2005, është të rritet ndjeshëm niveli i transparencës me publikun në përgjithësi dhe me median në veçanti. Niveli i transparencës i Bankës së Shqipërisë gjykohet i mirë krahasuar me institucionet e tjera në vend, si përsa i përket botimeve ashtu edhe kontakteve me publikun në përgjithësi dhe median në veçanti.

Sa i përket vitit 2003, konkludoi z.Cani, synimi i Bankës së Shqipërisë është të përmirësojë në mënyrë cilësore dhe sasiore raportin me median duke tentuar notat maksimale të vlerësimit të transparencës së bankës qendrore. Banka e Shqipërisë do të jetë më shumë e pranishme në media nëpërmjet konferencave të shtypit, intervistave, publikimeve, fjalimeve, shkrimeve dhe debatit të hapur, për të dhënë mesazhe të qarta, të thjeshta dhe të kuptueshme për publikun, lidhur me arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, me zhvillimin dhe funksionimin normal të tregut të brendshëm bankar, me hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikës monetare, të regjimit të këmbimit valutor, të licencimit ose të revokimit të licensës së bankave për të konsoliduar sistemin bankar.

Banka e Shqipërisë do të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të zgjerimit të auditorit që njihet me botimet e BSH-së, shtimin e numrit të njoftimeve, deklaratave dhe sqarimeve, për shtyp, intensifikimin e daljeve në Kuvend ose në Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Buxhetit, mbajtjen e konferencave të rregullta për shtyp, intensifikimi i daljes në median elektronike, organizimin e konferenca, takimeve dhe seminare për aspekte të ndryshme të ekonomisë dhe të financave, rritjen e transparencës në veprimtarinë e Këshillit Mbikëqyrës, hapjen e dhomës "Informacion për Europën" për të gjithë publikun, etj.
Një çështje tjetër e referuar nga Guvernatori ishte edhe pavarësia e Bankës së Shqipërisë. Duke patur parasysh nivelin jo shumë të kënaqshëm të respektimit dhe zbatimit të ligjit në Shqipëri, edhe Banka Qendrore nuk mund t'i shpëtojë sulmeve nga kahe të ndryshme kundër pavarësisë reale të saj. Duke iu referuar klasifikimit të pavarësisë ligjore të Bankës Qendrore, rezulton që në kuadrin kushtetues dhe ligjor nuk ka probleme. Banka e Shqipërisë, (nënkupto edhe Këshilli Mbikëqyrës dhe Guvernatori si kryetar i tij) brenda kompetencave të ligjit "Për Bankën e Shqipërisë", është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj si dhe në ushtrimin e detyrave.

Por, shpjegoi z.Cani, në muajt mars-prill të vitit të kaluar sistemi bankar u përball me panikun e depozitave, i cili filloi dhe u zgjerua kryesisht në Bankën e Kursimeve e cila ndodhej në prag të privatizimit dhe zinte pjesën më të madhe të sistemit bankar dhe më pak në Bankën Kombëtare Tregtare si banka e dytë e vendit për nga madhësia.

Rrjedhjet e depozitave nga këto dy banka arritën në 12 miliardë lekë, në mars dhe 9.4 miliardë lekë në prill, ndërkohë që Banka e Kursimeve zinte 96.3% të tyre, e cila solli edhe uljen e peshës së kësaj banke në sistemin bankar nga 59.2 % në fund të vitit 2001, në 56.6% në prill 2002.

Përtej historisë së shifrave dhe të ambjentit pozitiv të sistemit bankar, u shpreh Guvernatori, paniku u bë fakt dhe si i tillë ai ka shkaqet e veta, të cilat duhen kërkuar në rrethana të tjera të kësaj periudhe dhe në faktorët që formojnë pritjet e publikut dhe besimin e tij ndaj sistemit bankar.

Sipas z.Cani, mungesa e informacionit dhe asimetria e tij kanë një ndikim të konsiderueshëm në formimin e pritjeve jo të sakta të publikut. Nuk është rastësi që tërheqja e depozitave filloi dhe u zgjerua së pari në zonat rurale ku njohuritë për sistemin bankar dhe vlerësimin e tij si dhe informacioni për to është i kufizuar.

Në këtë kontekst, vijoi ai, gërshetimi i dy ngjarjeve siç ishte ofrimi i Bankës Kursimeve për privatizim dhe miratimi i ligjit të sigurimit të depozitave në këtë kohë, të mpleksura dhe me faktorë politikë tronditën besimin e publikut ndaj bankave duke çuar në tërheqje masive depozitash.

Më pas Guvernatori renditi një sërë argumentash për domosdoshmërinë e pavarësisë së Bankës Qëndrore, të përkrahuara edhe nga organizmat financiarë ndërkombëtarë. Pavarësia, sipas z.Cani, do t'i jepte mundësinë Bankës së Shqipërisë të kishte ndikimin e duhur në politikën ekonomike të vendit në periudha afatshkurtra dhe afatgjata.

Cikli i leksioneve speciale të Guvernatorit i parashikuar, pjesë e komunikimit me publikun në strategjinë trevjeçare të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë, do të vazhdojë edhe në Universitetet e Vlorës dhe Gjirokastërës gjatë ditëve të ardhshme.