BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori prezanton Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Data e publikimit: 01.06.2020

 

Sot, më 1 qershor 2020, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, nëpërmjet një komunikimi online, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019.

DSC 6801 498

Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë është detyrim ligjor, nëpërmjet të cilit përmbushet procesi llogaridhënës dhe i transparencës së institucionit për punën dhe rezultatet gjatë harkut kohor të një viti, si dhe i njeh ligjvënësit me objektivat kryesorë që do të realizohen nga institucioni me qëllim garantimin e stabilitetit monetar e financiar të vendit në periudhën në vijim.

Në fillim të fjalës së tij, Guvernatori Sejko hapi një parantezë për të sqaruar se si rrjedhojë e goditjes së krijuar në ekonomi nga pandemia Covid-19, prej kohës së përgatitjes së Raportit Vjetor, vlerësimet e Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e ardhshme ekonomike në vend kanë ndryshuar.

DSC 6834 498

Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit për vitin 2019, Guvernatori Sejko theksoi se viti që lamë pas ishte një vit sfidues për ekonominë shqiptare, me një rritje ekonomike 2.2%, e cila reflekton edhe efektet negative të tërmetit të 26 nëntorit në ekonomi.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në përmirësimin e ambientit ekonomik e financiar në vend, nëpërmjet zbatimit të një politike monetare lehtësuese. Ky qëndrim lehtësues u diktua nga nivelet ende të ulëta dhe nën objektiv të inflacionit. Ai synoi të ruajë të ulëta kostot e financimit dhe të krijojë premisa për një ecuri më të qetë të kursit të këmbimit, në mbështetje të rritjes ekonomike, punësimit dhe pagave, duke ndihmuar kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv. Njëkohësisht, kjo politikë ndikoi dhe në uljen  çmimit të kredisë dhe rritjen e kreditimit në lekë (raporti i kredisë në lekë ndaj kredisë totale u rrit në 48.7%, nga 44.7% në vitin 2017). 

DSC 6797 498

Më tej, Guvernatori u ndal në punën e bërë nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2019 në drejtim të ruajtjes së stabilitetit financiar nëpërmjet forcimit të qëndrueshmërisë së sektorit bankar dhe funksionimit eficient dhe të sigurt të sistemeve të pagesave. Gjatë vitit 2019 u realizua me sukses procesi i konsolidimit të sektorit bankar. Aktualisht, numri i bankave në sistem është 12 nga 16 banka që ishin në vitin 2018. Treguesi i kredive me probleme ka pësuar rënie të ndjeshme, nga 25% në vitin 2014 në 8.4% në fund të vitit 2019.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i punës së Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2019 është përmirësimi i kuadrit rregullator që lidhet me operimin e dy sistemeve të pagesave, ai për pagesat me vlerë të vogël AECH dhe ai për pagesat me vlerë të madhe AIPS. Gjithashtu në 30 prill të këtij viti u miratua projektligji “Për shërbimet e pagesave”, i cili do të ndikojë në uljen e kostos së shërbimeve të pagesave dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

DSC 6820 498

Banka e Shqipërisë, si emetuese e monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare, në muajin shtator 2019, prezantoi serinë e re të kartëmonedhave dhe hodhi në qarkullim dy prerjet e para të kësaj serie, përkatësisht 200 dhe 5000 Lekë, ndërsa brenda vitit 2020 pritet të hidhen në qarkullim prerjet 1000 dhe 10000 Lekë. Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë zbatimit të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi, ku një prej objektivave të fushatës edukuese ishte dhe ndërgjegjësimi i publikut për të mos përdorur terminologjinë “lek i ri-lek i vjetër”.

Gjatë vitit 2019, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe përmirësimit të qeverisjes së brendshme, nëpërmjet së cilës u mundësua menaxhimi dhe vijueshmëria e aktivitetit të institucionit gjatë periudhës së pandemisë.

Në përmbyllje të ekspozesë së veprimtarisë së sektorit bankar për vitin 2019, Guvernatori nënvizoi se treguesit kryesorë financiarë tregojnë se sistemi bankar është i mirëkapitalizuar, me likuiditet të bollshëm dhe i aftë për të përballuar çdo situatë të krijuar.

Guvernatori Sejko, në fjalën e tij, i kushtoi një hapësirë të veçantë realitetit të ri të krijuar nga pandemia globale Covid-19. Masat e kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve; pritet një rënie e nivelit të punësimit dhe rritje e papunësisë në vend, duke shkaktuar rënien e të ardhurave familjare dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit, çka mund të sjellë dhe rritje të nivelit të kredive me probleme në sektorin bankar.

Për të përballuar këtë situatë të krijuar, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ndërmori në kohë masat e duhura për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonomi. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë uli me 0.5% normën bazë të interesit, hoqi kufijtë sasiorë për të garantuar furnizimin me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar dhe ekonomisë me para fizike, si dhe eliminoi kostot e operimit të sistemeve të pagesave elektronike.

Ndërkohë, aksionet me rëndësi të veçantë që veçoi Guvernatori ishin shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, ndryshimet rregullative për bankat, por jo vetëm, me qëllim sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve dhe njëkohësisht sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori Sejko u shpreh se ky realitet i ri ekonomik i krijuar nga pandemia globale Covid-19 kërkon bashkëpunimin e të gjithë aktorëve të tregut. Në këtë drejtim, një rol primar në përballimin e situatës luan politika fiskale, e cila duhet të garantojë fondet e nevojshme për sistemin shëndetësor dhe të mundësojë ndihmën financiare për punonjësit e prekur. Këto masa do të ndikojnë në rritjen e nivelit të borxhit publik, e cila është një kosto e pranueshme për përballimin e këtij realiteti të ri. Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, do të vijojë të ndjekë një politikë monetare lehtësuese, por pa ulur vigjilencën ndaj ruajtjes së treguesve të shëndetit financiar të sektorit bankar. Një rol të rëndësishëm do të luajë dhe sektori privat, i cili duhet të jetë më realist në planet e tij, por dhe më i kujdesshëm në administrimin e likuiditetit. Guvernatori Sejko nënvizoi se pavarësisht situatës së krijuar, ekonomia shqiptare do ta përballojë me sukses këtë sfidë.

Guvernatori iu përgjigj pyetjeve të drejtuara nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF).