BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Guvernatori prezanton në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014

Data e publikimit: 29.04.2015

 

Sot në datën 29 prill 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, prezantoi përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave (KEF), Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2014.

Fillimisht, Guvernatori Sejko parashtroi drejtimet kryesore të punës gjatë vitit të kaluar, duke vënë në dukje kontributin që Banka e Shqipërisë ka dhënë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, si dhe për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të tregjeve financiare, ndonëse në një ambient ekonomik dhe financiar sfidues. Më konkretisht, vëmendja kryesore e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2014 është përqendruar në dy drejtime kryesore: adresimi i presioneve të ulëta inflacioniste, si dhe ruajtja e stabilitetit financiar, veçanërisht në drejtim të administrimit të rrezikut të kreditit.

Për sa i përket sfidave me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, Guvernatori cilësoi si të tilla: rikthimin e ritmeve të kreditimit, përmirësimin e treguesve të cilësisë së aktiveve të bankave, si dhe pastrimin e bilancit të tyre, zbutjen e ndikimeve që burojnë nga masat e marra nga grupet bankare mëma, forcimin e sistemit të administrimit dhe kontrollit të brendshëm, rritjen e kapaciteteve dhe përafrimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe rritjen e transparencës së Bankës së Shqipërisë me të gjitha grupet e interesit dhe publikun në tërësi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë është e bindur se mbështetja mbi parimet moderne të bankingut qendror dhe efektiviteti i politikave të saj në ekonomi do të forcojnë besimin e publikut në integritetin institucional të bankës qendrore dhe do të shërbejnë pozitivisht në arritjen me sukses të të gjitha objektivave që ka institucioni.

Në emër të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, deputeti Ervin Bushati relatoi mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2014, duke vlerësuar në përgjithësi punën e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit dhe duke u ndalur më në veçanti në sfidat me të cilat përballet Banka e Shqipërisë, në drejtim të përmirësimit të zhvillimit institucional, integritetit profesional dhe rolit të rëndësishëm të saj, në mbështetje të ekonomisë së vendit.

Në ditët në vijim, Guvernatori do të jetë i pranishëm në një seancë tjetër dëgjimore për t’iu përgjigjur interesit të deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave mbi çështje të ndryshme me rëndësi, lidhur me punën dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë.
 
Fjalën e plotë të Guvernatorit mund ta lexoni në faqen tonë të internetit në linkun:
http://www.bankofalbania.org/web/NJOFTIM_PER_SHTYP_7238_1.php?kc=0,26,0,0,0