BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Guvernatorit Gent Sejko për televizionin Klan

Data e publikimit: 26.03.2020

 

Pyetje: Ju falënderoj për intervistën! Ndodhemi në një situatë të vështirë, ndërkohë që një ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë një vendim për të lehtësuar fort politikën monetare. Çfarë synon kjo politikë monetare lehtësuese kaq e rrallë?

Guvernatori: Faleminderit! Ulja e normës së interesit synon uljen e kostos së huamarrjes për gjithë operatorët ekonomikë në treg, në mënyrë që të lejojë një lehtësi shtesë në drejtim të riaktivizimit dhe rigjallërimit të aktivitetit ekonomik. Kjo ulje me 0.5% ka qenë më e fortë se herët e tjera kur ne kemi ulur normën e interesit me 0.25%. Pikërisht, për shkak të situatës ekonomike që është në një ngërç më të fortë se sa ato që ne kemi parë historikisht. Ne jemi përpjekur maksimalisht që të marrim këtë masë. Natyrisht që duhet të jemi të qartë se ulja e normës së interesit nuk është “shkop magjik” për zgjidhjen e situatës ekonomike, por është vetëm një masë që ndikon në stimulimin e kreditimit në ekonomi, dhe që patjetër duhet të jetë e ndërthurur me masat të tjera që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare.

Guvernatori: Faleminderit! Ulja e normës së interesit synon uljen e kostos së huamarrjes për gjithë operatorët ekonomikënë treg, në mënyrë që të lejojë një lehtësi shtesë në drejtim të riaktivizimit dhe rigjallërimit të aktivitetit ekonomik.Kjo ulje me 0.5% ka qenë më e fortë se herët e tjera kur ne kemi ulur normën e interesit me 0.25%. Pikërisht, për shkak të situatës ekonomike që është në një ngërç më të fortë se sa ato që ne kemi parë historikisht. Ne jemi përpjekur maksimalisht që të marrim këtë masë. Natyrisht që duhet të jemi të qartë se ulja e normës së interesit nuk është “shkop magjik” për zgjidhjen e situatës ekonomike, por është vetëm një masë që ndikon në stimulimin e kreditimit në ekonomi, dhe që patjetër duhet të jetë e ndërthurur me masat të tjera që ka ndërmarrë Qeveria Shqiptare.

Pyetje: Ditët e fundit kemi parë një dobësim të monedhës kombëtare, pra një nënçmim të Lekut, ndërkohë që ulja e normës së interesit të Lekut mund të sillte një dobësim të mëtejshëm. Çfarë është duke ndodhur me tregun e këmbimit valutor?

Guvernatori: Në Republikën e Shqipërisë ne zbatojmë regjimin e lirë të kursit të këmbimit - pra ne nuk ndërhyjmë në qoftë se parametrat tanë për ndërhyrje nuk arrihen - dhe sipas një regjimi të lirë, kursit i këmbimit natyrisht që përcaktohet nga tregu, sipas kërkesës dhe ofertës. Kjo krizë i ka bllokuar të gjitha këto kanale - kryesisht turizmi është i bllokuar, investimet e huaja dhe biznesi - remitancat kanë vazhduar, por dhe ato do të kenë një efekt. Këto të gjitha janë një kufizim i prurjeve të Euros në ekonominë shqiptare. Ne ndërdyjmë kur objektivi jonë kryesor, pra inflacioni, është i rrezikuar, por në këtë situatë, ne do të vazhdojmë të ndjekim një regjim të lirë të kursit të këmbimit.

Grafik 7 RPM II 2020 fq 27 te dhënat te mbahen deri ne mars 2020

Pyetje: A është e gatshme Banka e Shqipërisë që të aktivizojë operacione shtesë për një skenar shumë të errët për ekonominë shqiptare?

Guvernatori: E para, shpresojmë të mos kemi një skenar shumë të errët. Natyrisht, ekonomia jonë ashtu si të gjithë ekonomitë botërore do të pësojë goditje dhe ndikim negativ. Ritmet e rritjes ekonomike apo rënia ekonomike është për t’u parë dhe për t’u matur; ne kemi likuiditet dhe kartëmonedhë të mjaftueshme për të mbështetur sistemin financiar dhe nëpërmjet tij të gjithë tregun. Kjo është një nga masat që ne përdorim dhe natyrisht që do të përdoret dhe në këtë rast. Përtej normës së interesit, në rast se do të jetë e nevojshme dhe do të plotësohen kriteret ligjore, ekonomike dhe makroekonomike, ne mendojmë se mund të përdorim dhe lehtësimin sasior. Një shembull lehtësimi sasior mund të ishte blerja e bonove të thesarit dhe letrave me vlerë të Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet sistemit bankar ose në mënyrë direkte.

Pyetje: Disa ditë më parë ju dhe Kryeministri keni firmosur një urdhër ku i kërkohet bankave të nivelit të dytë që të shtyhet shlyerja e kësteve të kredisë, për personat dhe bizneset aftësia paguese e të cilëve është prekur nga pandemia. Si po zbatohet ky urdhër nga bankat e nivelit të dytë?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ka bërë ndryshimet e duhura rregulltave për t’i lehtësuar bankat për të ndihmuar klientët e tyre me një shtyrje tremujore të kësteve të kredisë dhe të interesave, pra të këstit principal dhe interes. Nëse do të duhet të bëjmë një lehtësim të mëtejshëm, këtë do ta shikojmë në bashkëpunim me sistemin bankar, por për momentin kemi parë një gatishmëri dhe një reagim shumë të mirë të të gjithë sistemit.

Pyetje: Për sa i përket fondit të garancisë sovrane, i cili do të shkojë në ndihmë të bizneseve të mëdha, për t’i kredituar ato që janë në pamundësi për të dhënë pagat e punëtoreve. A keni biseduar me bankat për të hartuar rregulloret se si do të zbatohet kjo lloj procedure?

Guvernatori: Po bashkëpunohet me bankat dhe kjo është duke u elaboruar më tej. Duhet kuptuar që duhet të tregohemi të duruar, pasi çdo masë e marrë - si në rastin e shtyrjes së këstit të kredive ashtu dhe në rastin e lëshimit të garancisë nga ana e Qeverisë Shqiptare – ka nevojë për disa ditë kohë për t’u implementuar, pasi duhet të koordinohen veprimet në mënyrë që këto instrumente të bëhen funksionale. Pra duhet pak durim, natyrisht që dhe ky instrument do të bëhet funksional.

Pyetje: A ka pasur ndryshim të skenarëve të pritshmërive të inflacionit?

Guvernator: Ne nuk kemi hasur ndonjëherë në një krizë si kjo që po kalojmë - jo vetëm ne si Bankë Shqipërie, por edhe të gjitha bankat qendrore apo ekonomitë e mëdha ose të vogla, të zhvilluara ose të pazhvilluara të globit. Në këtë kuptim, është e natyrshme që do të kërkojë një analizë më të gjatë. Sigurisht që do të kemi një ndryshim në ecurinë e inflacionit, pasi efektet dhe goditjet e krizës do të ndikojnë në ecurinë e tij.

Pyetje: Qeveria parashikon një rritje ekonomike në nivelin 2% nga 4.1% që kishte projektuar në fillim të vitit 2020, në buxhetin e shtetit. A jeni dakord me këtë lloj parashikimi apo ju duhen ende analiza dhe matje të tjera?

Guvernator: Do isha shumë i lumtur - që të jem i sinqertë me ju - në rast se do të kishim një rritje 2% këtë vit. Këtë vit, rritja mund të jetë dhe më e ulët se aq, megjithatë kjo është për t’u parë dhe analizuar në vijim.

Gazetarja: Ju falënderoj!

Guvernatori: Faleminderit juve!