BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit në Top-Channel

Data e publikimit: 13.03.2020

 

Spikerja në studio: Për të gjithë qytetarët që këto ditë duhet të shkojnë t'i paguajnë këstet e kredive, por ndërkohë e gjithë jeta e tyre ekonomike dhe sociale është paralizuar, çfarë duhet të bëjnë?

Guvernatori: Mirëdita. Banka e Shqipërisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të kemi një vazhdimësi normale nëpërmjet sistemeve online dhe të pagesave cash. Pra, ne kemi marrë masa që të mos ketë probleme për qytetarët në rastin e tërheqjeve cash nga ATM-të por gjithashtu kemi udhëzuar bankat sesi duhet të veprojnë në vazhdimësi lidhur me operacionet e tyre ditore në mënyrë që të mos krijojnë vështirësi për klientelën.

Praktikisht, kemi udhëzuar bankat që të orientojnë klientët e tyre që të përdorin sa më shumë kartat e debitit dhe kartat e kreditit pasi kjo jo vetëm që përbën një lehtësi për klientët në pagesa, por gjithashtu është dhe një masë mbrojtëse kundrejt infeksioneve.

Sot Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka marrë një vendim, një formë moratoriumi, për të gjithë klientët, biznese dhe individë, pra ka bërë një pezullim të shlyerjes së kësteve të kredisë me një afat tremujor. Kjo do të thotë që klientët gjatë këtij afati tremujor mund të paguajnë ose mund të mos paguajnë këstet e kredisë. Ata që për arsye sëmundjesh ose vështirësi biznesi nuk do të jenë në gjendje të paguajnë gjatë kësaj periudhe mund të mos paraqiten dhe kësti i tyre shtyhet me tre muaj pa i rënduar me kamatë vonesash. Ndërkohë, do të doja ta bëja të qartë që, klientët e tjerë, të cilët do të dëshironin që të vazhdonin kryerjen e pagesave, janë të lirë që tí vazhdojnë tí kryejnë ato si normalisht, pra çdo muaj. Moratoriumi tremujor, pra pezullimi i pagesave të kësteve pa i rënduar klientët me kamatë vonese ka hyrë në fuqi me efekt të menjëhershëm, duke filluar që nga dita e nesërme. Kjo është ajo që ka vendosur Këshilli Mbikëqyrës.

Banka e Shqipërisë po e monitoron ngushtë situatën me sistemin bankar dhe sistemin financiar në vend. Nga dta e djeshme, kemi udhëzuar bankat me detaje sesi duhet të veprojnë në këtë situatë në mënyrë që të marrin dhe masat e duhura për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe të klientëve por nga ana tjetër dhe të vazhdojnë punën e tyre operacionale pa krijuar turbulenca.

Duke përfituar nga rasti që mu dha do të doja të theksoja që sistemi bankar vazhdon të mbetet me gjendje shumë të mirë dhe të mjaftueshme likuiditeti, i mirëkapitalizuar dhe në gjëndje të mirë për ti shërbyer nevojave të klientëve. Këto janë situata që duhen manaxhuar me durim, pa panik me organizim të mirë, me prakticitet dhe me devotshmëri. Ne si Bankë Shqipërie jemi në një koordinim të vazhdueshëm me bankat e nivelit të dytë, nuk shohim asnjë lloj problemi, masat janë implementuar që dje. Do të doja të theksoja gjithashtu që klientët mos të panikoseshin. Klientët e bankave, në rast se shohin që bankat i fusin klientët një nga një, duhet të jenë të qartë se kjo bëhet jo për arsye situatash financiare por bëhet për arsye të ruajtjes së shëndetit të klientëve, duke ruajtur distancat e nevojshme. Pra, në rast se këto lloj masash do të krijonin një rradhë të caktuar kjo nuk do të thotë që banka ka vështirësi për kryerjen e pagesave por të që banka po merr masa për të ruajtur shëndetin e punonjësve dhe shëndetin e klientëve.

Spikerja në studio:  Qartë, kjo përsa i përket pagesave të kredive. Zoti Guvernator koronavirusi mendohet që do të japi efekte shumë të rënda ekonomisë botërore, a ka një parashikim se cfarë mund të ndodhë me Shqipërinë?

Guvernatori: Pyetje me vend. Ne jemi duke marrë në analizë të gjithë skenarët e mundshëm të ndikimit të koronavirusit në ekonomi. Mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të jetë në pak ditë dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Mbikëqyrës ne do të prezantojmë rezultatet e këtyre analizave dhe do të marrim vendimet e duhura. Jemi të përgatitur me instrumentet e nevojshme që ne na jep ligji për Bankën e Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar të vendit. Politika jonë monetare do të vazhdojë të mbetet lehtësuese në drejtim të stimulimit të konsumit dhe investimeve. Gjithashtu me masa makro dhe mikro prudenciale ne do të manaxhojmë situatën në sistemin bankar. Natyrisht që mund të kemi përkeqësim të disa treguesve si  në rastin e kredive të këqija dhe po ashtu edhe në tendencat e kreditimit. Natyrisht që këto janë situata të jashtëzakonshme të cilat do të ndikonin patjetër negativisht në ekonomi. Ne shohim që janë miliarda dhe triliona euro humbje në ekonomitë botërore dhe natyrisht që kjo do të ketë një efekt edhe në ekonominë shqipëtare por nuk duhet të krijojmë panik. Duhet të jemi të qetë, të organizuar dhe të reagojmë me instrumentat e duhura.

Momentalisht unë nuk kam shifra të sakta për t’ju thënë sesa do të ndikojë në ekonominë shqipëtare pasi jemi ende duke analizuar. Ajo që mund të them është që pritet të ketë patjetër një efekt negativ, sikundër ka ndodhur në të gjithë ekonomitë.

Natyrisht që do të kemi nje ulje të ritmeve të rritjes ekonomike dhe kjo patjetë që do të ndodhë megjithatë, ne nuk parashikojmë të biem në recesion. Parashikimi aktual është për 6 mujorin e parë të vitit dhe ne parashikojmë që situata e virusit do të ndikojë vetëm gjashtë mujorin e parë. Skenarët dhe analizati kemi të papërfunduara dhe nuk mund t’ju them ekzaktësisht se ku jemi por në mbledhjen e rradhës së Këshillit Mbikëqyrës i cili është në javët në vijim, do të marrim vendime dhe do ti bëjmë publike.

Spikerja ne studio: Qartë, sigurisht dhe ne jemi pjesë e kësaj ekonomie globale zoti Guvernator dhe sigurisht do të kemi dhe ne penalizimet tona. Unë të falënderoj për intevistën.