BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për ABC News

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Pyetje: Është marrë një vendim sot, të cilin do ta konsideroja mjaft të rëndësishëm si për bizneset ashtu edhe për individët, duke marrë parasysh situatën e krijuar nga COVID-19. Është vendosur një pezullim i kredive për 3 muaj. A mund të na shpjegoni përse u mor një vendim i tillë dhe çfarë synoni të arrini me të?

Guvernatori: Duke filluar nga java e kaluar, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash, në përputhje me situatën e jashtëzakonshme që po kalojmë nga pandemia COVID-19, siç është shpallur dje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Këto masa i kanë orientuar bankat tregtare që të operojnë me klientët e tyre në kushte sa më optimale, në mënyrë që nga njëra anë të mos pengohen operacionet bankare dhe financiare dhe nga ana tjetër të ruhet shëndeti i punonjësve dhe klientëve të bankave.

Përpara se të shpjegoj vendimin, dua të përfitoj nga rasti për t’i dhënë një mesazh për të gjithë klientët e bankave, individë dhe biznese: masat që kemi marrë dhe udhëzimet që kemi dhënë të mos perceptohen si vështirësi financiare apo mangësi në likuiditet nga ana e bankave. Bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm; situata e tyre financiare është shumë e mirë; janë në gjendje të përballojnë gjithë aktivitetin normal. Masat e marra kanë lidhje me ruajtjen e shëndetit të klientëve dhe punonjësve të bankave. Për këtë arsye, bankat janë të detyruara të ruajnë distancat, të bëjnë dezinfektime dhe të zbatojnë të gjitha masat e nevojshme për t’u ruajtur nga virusi SARS-CoV-2. Masat janë shpërndarë në formën e një udhëzimi për bankat tregtare. Megjithatë, ndodh që për shkak të tyre të krijohen radhë dhe padashur edhe panik te klientët.

Sot, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë një vendim i cili prek gjithë individët dhe bizneset kredimarrëse në shlyerjen e kësteve të kredisë. Nëpërmjet një moratoriumi, kemi bërë një pezullim të shlyerjes së kësteve të kredisë. Kjo nuk do të thotë se këstet falen, por ato shtyhen për një periudhë tremujore. Ata klientë që kanë vështirësi në bizneset e tyre, janë prekur nga virusi apo kanë probleme të tjera si rrjedhojë e gjendjes së pandemisë, nuk do të jenë të detyruar t’i paguajnë këstet e kredisë gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, dua të theksoj se klientët që dëshirojnë të vijojnë normalisht me shlyerjen e kësteve të kredisë, mund ta bëjnë këtë lirisht.

Ne jemi duke e monitoruar situatën vazhdimisht me bankat tregtare. Edhe ne si Banka e Shqipërisë kemi marrë masa, duke punuar me staf të reduktuar, në përmbushje të direktivave të parashikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, edhe bankat tregtare po punojnë me staf të reduktuar, me kapacitetet e domosdoshme për të siguruar operacionet normale financiare ditore në shërbim të klientëve. Kemi marrë masa që pagesat online dhe cash të jenë funksionale dhe të mos bëhen pengesë për funksionimin normal dhe mbarëvajtjen e jetës të qytetarëve.

Pyetje: A do të vijojnë të funksionojnë sportelet e bankave tregtare? Ju e përmendët që ka një reduktim të personelit. A do të vijojnë këto sportele të jenë të hapura apo kjo do të varet nga situata?

Guvernatori: Sigurisht që kjo do të vendoset duke monitoruar në mënyrë të kujdesshme situatën në vijim, por bankat do të vazhdojnë të jenë të hapura. Është vendosur që aktiviteti të ndërpritet për tre ditë, dhe në vijim të vendimit të Këshillit të Ministrave për masat e emergjencës, ato do të respektohen edhe nga sistemi bankar. Kjo do të thotë që ditën e nesërme bankat dhe Banka e Shqipërisë do të jenë të mbyllura, ashtu si institucionet e tjera shtetërore. Megjithatë, janë marrë masa që sistemi i pagesave të funksionojë normalisht, online dhe cash. Bankat do të sigurojnë cash-in e nevojshëm për qytetarët, për të kryer pagesa të ndryshme. Gjithashtu, pagesat mund të kryhen edhe nëpërmjet kartave bankare të debitit ose kreditit. Kartat e debitit nuk shoqërohen me komisione dhe pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë disponojnë një kartë të tillë. Nuk parashikojmë të përballemi me ndonjë anomali në veprimtarinë financiare të kryerjes së pagesave. E rëndësishme është t’i minimizojmë sa më shumë kontaktet me njëri-tjetrin, pasi jemi ende në fillimin e një situate të jashtëzakonshme sa i përket shëndetit publik, përfundimi i të cilës është ende i panjohur. Institucionet e shëndetit publik janë duke punuar në mënyrë intensive për të identifikuar rastet. Megjithëse po përballemi me një situatë jashtë të zakonshmes, mbetet e rëndësishme të ruhemi nga paniku. Duhet të jemi të organizuar dhe praktikë; të vazhdojmë jetën normalisht duke zbatuar me përpikëri masat mbrojtëse.

Pyetje: Sa do të ndikojë kjo situatë në ecurinë ekonomike? A do të kemi një rishikim në ulje të rritjes ekonomike për këtë vit?

Guvernatori: Patjetër që situata që po kalojmë do të ketë një efekt negativ në rritjen ekonomike të vendit dhe jo vetëm. Sot shohim që ekonomitë e mëdha kanë pësuar miliona dhe miliarda euro, paundë dhe dollarë humbje; bursat dhe tregjet ndërkombëtare janë ndikuar thellë. Shifrat janë alarmante. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël, por e hapur. Ekonomia jonë do të ketë efektet e saj - goditje të jashtme dhe të brendshme - por nuk mund të themi ende se sa do të jetë ndikimi në rritjen ekonomike. Ne si Banka e Shqipërisë po bëjmë analizat dhe skenarët tanë, të cilët do të prezantohen në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, e cila do të mbahet pas disa ditësh, ku do të merret vendimi i duhur për politikën monetare. Ajo që mund të theksoj është se politika jonë monetare do të vijojë të jetë lehtësuese dhe stimuluese për konsumin, kreditimin dhe investimet. Ne po marrim masa makroprudenciale për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, në funksion të detyrimeve tona ligjore.

Një avantazh që vlen të theksohet është fakti që bankat janë me tepricë likuiditeti, në gjendje të mirë financiare, me tepricë kapitali mbi nivelin e mjaftueshëm të kërkuar. Pra, ne nuk parashikojmë probleme e aq më pak një krizë në sistemin financiar, por një rënie të ritmit të rritjes ekonomike. Sesa do të jetë kjo rënie, do të varet nga analiza. Këto parashikime i përkasin gjashtëmujorit të parë të vitit. Parashikojmë që efektet e kësaj epidemie do të adresohen në këtë gjashtëmujor. Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës do të kemi dhe shifra më të sakta dhe do të marrim vendimet e duhura, të cilat do të bëhen publike si zakonisht nëpërmjet deklaratës për shtyp të politikës monetare. Nuk parashikojmë që ekonomia jonë të bjerë në recesion, por mund të kemi një rënie të ritmit të rritjes ekonomike.

Pyetje: A mund të kemi një rishikim tjetër të normës së interesit?

Guvernatori: Natyrisht që dhe kjo është një mundësi. Lehtësimi i politikës sonë monetare ka vazhduar dhe aktualisht kemi normën bazë të interesit më të ulët historike, në nivelin 1%. Transmetimi i politikës sonë monetare kufizohet dhe nga elemente të tjera siç është shkalla e lartë e euroizimit në ekonomi. Megjithatë, politika jonë monetare ka pasur një transmetim të mirë në të gjithë segmentet e tregut financiar. Ka ende hapësirë, megjithëse të kufizuar, për të vazhduar me lehtësimin e politikës monetare. Nuk mund të them se çfarë qëndrimi do të mbajmë pasi ky është një vendim që i përket Këshillit Mbikëqyrës. Ne jemi ende duke analizuar skenarët, të cilat po evoluojnë shumë shpejt dhe ditë pas dite kemi rezultate të reja në treguesit makroekonomikë. Në rast se do të jemi të detyruar të bëjmë një lehtësim të mëtejshëm të politikës monetare, natyrisht që do ta ndërmarrim dhe këtë hap. Megjithatë, është ende herët për të dalë në konkluzione. E rëndësishme është të ruajmë stabilitetin e çmimeve, pasi ky është dhe objektivi kryesor ligjor i Bankës së Shqipërisë. Duhet të ruajmë parametrat kryesorë makroekonomikë; të ruajmë stabilitetin financiar në vend. Siç e theksova, gjendja financiare e vendit është e qëndrueshme dhe likuide. Banka e Shqipërisë do të marrë të gjithë masat, nëpërmjet politikës monetare dhe jo vetëm, për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit, në mënyrë që kjo periudhë të ketë efekte sa më minimale tek qytetarët shqiptarë.

Pyetje: Çfarë ndikimi mund të ketë tek konsumi e gjithë kjo situatë?

Guvernatori: Ne jemi të ndërgjegjshëm se masat për mbrojtjen e popullatës do ta ndikojnë domosdoshmërisht konsumin; konsumi preket i pari. Në rast se do të mbyllen dyqanet, aktivitetet tregtare, bizneset – mbyllje e pashmangshme kjo pasi jeta e qytetarit është gjithnjë në plan të parë - sigurisht që dhe konsumi do të ndikohet. Konsumi ndikon prodhimin, pasi këto janë elemente zinxhir. Kjo situatë krize do të godasë shumë dhe turizmin, in cili lidhet gjithashtu me konsumin. Jemi para sezonit turistik dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë. Të gjitha janë parashikime, por përsëris se do të kemi një rënie të ritmit të rritjes ekonomike dhe ne si bankë qendrore do të reagojmë në varësi të rezultateve të analizave tona.

Pyetje: Do të jetë ndikimi i vetë krizës që do të krijojë në Shqipëri apo duke pasur parasysh që kjo mund të jetë dhe një krizë globale a do t’i mbivendoset kriza e tregjeve dhe kostove tona reale?

Guvernatori: Në analizat tona, ne gjithmonë marrim parasysh skenarët e rrezikut, të cilët përfshijnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Faktorët e brendshëm mund të jenë rënia e konsumit, rënia e turizmit dhe faktorë të tjerë që ndikohen nga kjo situatë. Faktorët e jashtëm mund të jenë situata e vështirë në Eurozonë dhe në veçanti në Itali, e cila është një nga partnerët tanë kryesorë. Të rëndësishme gjithashtu janë prurjet nga remitancat dhe ne do të vëzhgojmë me kujdes se si do të ndikohen ato nga pandemia. Mund të kemi dhe një rënie të remitancave, pasi situata do të jetë e vështirë dhe për emigrantët shqiptarë; do të thosha se ekonomia shqiptare do të ketë skenarë rreziku, duke marrë parasysh situatën në vendet partnere, sidomos në Eurozonë. Të gjitha këto do të merren në konsideratë në analizën që Banka e Shqipërisë po bën dhe do të ndikojnë në vendimmarrjen e politikës monetare, për një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit - ndoshta për të shtuar likuiditetin në treg - ose masa të tjera konvencionale ose jokonvencionale që bankat qendrore i përdorin në këto raste.

Grafik 4 analiza BOP T1 2020 pjesa majtas e grafikut

E rëndësishme është të shmangim panikun. Duhet të jemi të organizuar mirë dhe të respektojmë masat e mbrojtjes së shëndetit publik.

Pyetje: Sot biznesi shqiptar - më saktë kreu i Dhomës së Tregtisë - ka kërkuar nga qeveria lehtësira për biznesin. Çfarë mendimi keni për këtë?

Guvernatori: Kërkesa kryesore që unë kam parë nga biznesi është ajo për të cilën ne kemi reaguar në mënyrë të menjëhershme, pra për një shtyrje të shlyerjes së kredive në një afat tremujor. Në dijeninë time, nuk ka pasur kërkesa të tjera për tregun monetar, e sidomos për Bankën e Shqipërisë. Ndërsa sa i përket kërkesave të tjera, ato janë në juridiksionin e Ministrisë së Financave dhe besoj se ky institucion ka reaguar dhe i ka adresuar ato. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi qenë të fokusuar tek detyrimet tona ligjore dhe masat që janë brenda fushës sonë të veprimit, në koordinim dhe me Qeverinë Shqiptare. Sot kam komunikuar me Ministren e Financave dhe ajo më informoi se janë duke punuar që t’i përgjigjen sa më mirë kërkesave të biznesit.