BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko për emisionin “Real Story” në televizionin News 24

Data e publikimit: 19.03.2020

 

Pyetje: Përpara se të fillojmë bisedën, do doja të shikonim tabelat që tregojnë numrin e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri. Tashmë kemi arritur në 59, prej të cilave 42 raste janë në Tiranë, 5 janë në Durrës, 2 në Lushnjë, 2 në Elbasan, 6 në Fier, 2 në Rrogozhinë. Sot kemi një lajm të mirë dhe një të keq. Lajmi i keq është padyshim humbja e jetës së një 66-vjeçari nga Lushnja, i cili ishte i shtruar në sanatorium, por e mori virusin, pra i cili e shpejtoi ndarjen e tij nga jeta. Lajm i mire është që një nga të sëmurët, pacienti 1 dhe pacienti 0, kanë rezultuar negativë nga testimi i dytë. Çka do të thotë që ai është shumë pranë të konsideruarit zyrtarisht i shëruar. Pasi sic dimë shifra e shërimit është ende 0, dhe në momentin që fillojnë shërohen, në momentin që numri i të shëruarve do të jetë më i lartë se numri i të infektuarve do të flasim që kurba po shkon drejt stabilizimit. Ndërkohë shikojmë dhe grafikun tjetër, pra kjo është kurba blu, pra të gjithë ne tentojmë kurbën blu. Pra, që numri i të sëmurëve të rritet në mënyrë graduale dhe jo në mënyrë të shpejtë. Por, ndërkohë po shikojmë dhe një grafik tjetër që tregon shtimin e numrit të rasteve nga dita në ditë, që nga dita e parë kur u regjistruan dy rastet e para, ju lutem regjia na e mundësoni dhe grafikun. Rastet e testuara dhe të konfirmuara. Me të verdhë është Italia që është skenar të cilit i frikësohemi më shumë nga data 9 mars dhe datën 18 mars shikojmë Shqipërinë. Shqipëria ka një kurbë në rritje por është një kurbë stabël nuk është një kurb e rrezikshme. Sigurisht do të presim fundin e kësaj jave dhe me gjasa dhe të javës tjetër nëse kjo kurbë do të thellohet. Por sigurisht ka një kurbë tjetër e cila ka filluar të na shqetësojë që është kurba e zhvillimit ekonomik në vend. Një zhvillim ekonomik i cili mori goditje të rënda në vitin 2019, për shkak të krizës politike edhe për shkak të tërmetit. Natyrisht është ndjerë dhe efekti i COVID-19, shikoni shifrat e shkëmbimeve tregtare krahasuar me marsin e vitit 2019. 1-14 mars 2019 shkëmbimet tregtare kanë qenë në shifrën 34.708.722.150 lekë, ndërkohë 1-14 mars 2020 kjo shifër ka rënë në 33.087.898.154 lekë. Pra është një rënie e vogël, por a mendoni që ky është vetëm fillimi, z. Sejko?

Grafik 2 Njoftim statistikor BOP T1 2021 te dhenat deri ne T1 2020

Guvernatori: Po, me sa duket, ky është fillimi. Por, se sa do të zgjasë kjo situatë mbetet për t’u parë, pasi ka kaluar vetëm një javë që nga shpallja e gjendjes së pandemisë COVID-19.

Pyetje: Dhe sot jemi në luftë me të...

Guvernatori: Po, sot jemi në luftë me të. Jemi shumë afër me Italinë, e cila është epiqendra e luftës me virusin, dhe natyrisht që ai do të mbërrinte dhe te ne. Numri i njerëzve që hyjnë e dalin në Shqipëri nga Italia dhe në të kundërt është shumë i madh, për këtë arsye është bërë dhe anulimi i fluturimeve dhe izolimi me Italinë dhe më gjerë, dhe ne jemi në situatën që jemi. Të shpresojmë që numri i rasteve nuk do të rritet ose rritja do të jetë e kontrolluar dhe shërimi i rasteve aktuale do të jetë i shpejtë.

Pyetje: I cili le të themi akoma zyrtarisht nuk është konsideruar i tillë pas testit të dytë, por sigurisht në vetvete është një lajm i mire se i bie që brenda 10 ditëve të para nga rasti 0 kemi shërimin e një rasti. Dhe fakti që dhe harta nuk është mbetet akoma e izoluar kjo tregon që gjurmimi. Kjo është dhe harta e cila nuk ka ndryshuar nga java e kaluar, pra harta e shpërndarjes është e njëjtë. Pra nuk kemi qarqe të reja ku janë shfaqur të infektuar. Shumica e rasteve janë të lidhura me njëra-tjetrën, pra janë të indentifikuara, sidomos rastet e Tiranës shumica janë të tilla, edhe rastet e Durrësit, edhe rastet e Fierit. Në Tiranë kemi numër akoma më të madh për shkak se popullata është më e madhe por ndërkohë kemi dhe një numër mjekësh dhe infermierësh të cilët janë infektuar dhe janë në izolim. Ju vetë si qytetar dhe si familjar a e ndjeni rrezikun e këtij virusi z. Guvernator?

Guvernatori: Natyrisht! Duke pasur parasysh informacionin që vjen nga mjekët, jemi më shumë të shqetësuar për prindërit, pasi si moshë e tretë, janë më të rrezikuar nga ky virus, por sigurisht dhe për fëmijët dhe për veten.

Pyetje: A po punon BSH-ja me staf të reduktuar si shumë institucione të tjera?

Guvernatori: Patjetër që po, por gjithnjë duke siguruar një funksionim operacional normal.

Pyetje: Z. Sejko, le të flasim pak lidhur me masat: Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare së bashku, në mënyrë të koordinuar, morën masat e para që dje, mos gaboj. Mund të na thoni diçka më shumë?

Guvernatori: Unë do të doja të flisja diçka më shumë për masat që kemi marrë ne si Bankë Shqipërie. Ndërkohë që Kryeministri ka njoftuar që nesër do të shpallë planin e masave të Qeverisë Shqiptare. Natyrisht që përcaktimi i masave kërkon kohën, për shkak se ato duhet të mbështeten në analiza të thelluara. Fillimisht, ne si Bankë Shqipërie kemi marrë disa masa udhëzuese e parandaluese, në drejtim të ruajtjes së shëndetit të punonjësve të bankave të nivelit të dytë, të Bankës së Shqipërisë, si dhe të klientëve të bankave. Më pas jemi përqendruar tek marrja e disa masave për funksionimin operacional, i domosdoshëm për jetën e gjithë vendit. Ne si bankë qendrore jemi përgjegjës për sistemin e pagesave dhe për menaxhimin e cash-it në Republikën e Shqipërisë. Pra i gjithë cash-i në monedhë kombëtare qarkullon nëpërmjet thesarit të bankës qendrore. Kjo vlen edhe për të gjitha pagesat në monedhë kombëtare, jo në monedhë të huaj, të cilat kalojnë në një server në bankën qendrore. Duke pasur parasysh situatën e vështirë, ne jemi organizuar sipas një plani kontigjence, për të shmangur ndërprerjet, qoftë edhe momentale, të funksionimit të pagesave dhe të furnizimit me cash në Republikën e Shqipërisë. Deri tani gjithçka ka vijuar normalisht. Duke qenë se Austrian Airlines njoftoi ndërprerjen e fluturimeve, sot kemi marrë dhe një masë lidhur me cash-in që ka të bëjë me tepricat ose mungesat e cash-it që do të kenë bankat e nivelit të dytë në ditët në vijim. Menaxhimi i cash-it do të bëhet në ambientet e Bankës së Shqipërisë dhe për këtë jemi koordinuar dhe me Policinë e Shtetit.

Pyetje: Ju i referoheni faktit që përmes linjave ajrore, ndër to dhe Austrian Airlines, kishte dalje të valutës jashtë nga bankat e nivelit të dytë?

Guvernatori: Jo vetëm dërgesa të cash-it, por edhe prurje.

Pyetje: Kjo masë që keni marrë është për shkak të një shqetësimi se ndoshta nuk ka valutë sa duhet në treg?

Guvernatori: Valutë ka; kjo që thoni nuk qëndron. Kjo masë është për tepricat e valutës, pra që përveç menaxhimit të cash-it në Lek, nga Banka e Shqipërisë të bëhet edhe menaxhimi i cash-it në valutë.

Pyetje: Valuta dhe cash-i do të futen tani në ambientet e Bankës së Shqipërisë?

Guvernatori: Po.

Pyetje: Në një farë mënyre ktheheni në funksionin bazë të një banke, të ruajë paranë...

Guvernatori: Patjetër.

Pyetje: Z. Sejko, dje u interpretua si shqetësim te qytetarët prania e shumtë e tyre në banka. Në fakt ka pasur shumë faktorë: pas një fundjave të zgjatur, e premtja u shpall ditë pushimi, dita e hënë ishte ditë pushimi për shkak të festës zyrtare së Ditës së Verës; pra ishin gati katër ditë pushim. Bankat punojnë me staf të reduktuar, respektojnë rregullat e reja të higjienës dhe të distancimit social, pra a ka vend për panik?

Guvernatori: Jo nuk ka vend për panik. Të gjitha këto arsye që ju dhatë z. Balla qëndrojnë, por kjo ka ndodhur më shumë për arsye se për personat fizikë dhe bizneset dje ka qenë dita e pagesës së detyrimit tatimor. Kjo dhe puna me numër të kufizuar punonjësish kanë sjellë radhë në banka. Unë pata një komunikim me publikun ditën e enjte të javës së kaluar, pikërisht për të shmangur ndonjë keqkuptim mbi gjendjen e likuiditetit në banka. E gjitha ndodh pasi tashmë bankat nuk i fusin të gjithë klientët në ambientet e tyre si zakonisht, por i fusin me radhë për të ruajtur distancën. Për fat të keq, ndodhi që këta klientë të cilët duhet të ruanin distancën brenda bankave, qëndronin të padistancuar jashtë tyre, duke rrezikuar të preken nga virusi.

Pyetje: Për arsye personale kam qenë në një bankë të nivelit të dytë dhe aty dëgjova që flitej midis drejtuesve të bankës për reduktim të mëtejshëm të stafit, për shkak se nuk kishte numër të lartë klientësh.

Guvernatori: Natyrisht që masat për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve do të ndikojnë dhe tek numri i klientëve të bankave. Është një situatë e jashtëzakonshme dhe gjërat ndryshojnë nga dita në ditë.Pavarësisht kësaj, dua ta siguroj publikun që funksionimi i sektorit bankar është normal dhe operacional.Bankat janë nga të paktat institucione në gjendje pune, duke i shërbyer klientelës me sportele dhe me ATM të furnizuara me cash. Pra funksionimi i sektorit bankar për klientët nuk është problem, megjithëse krijohen radhë dhe kjo krijon një stres momental. Mund të them se dje kam komunikuar me disa drejtorë bankash të nivelit të dytë për të shtuar numrin e degëve dhe sot më shumë degë bankash kanë qenë të hapura. Pavarësisht kësaj, nesër hyjmë në një fazë tjetër.

Pyetje: Nesër kemi vetëm gjashtë orë liri qarkullimi në qytetet tona. Në fakt, Kryeministri ka thënë me pak ironi dhe humor se bankat shqetësohen se që nga nesër nuk do të kenë klientë në sportele. Ta kuptojnë dhe bankierët se jemi në luftë dhe t’i hapin sportelet nga ora 6:00 deri në 10:00 dhe nga 16:00 në 18:00 në pasdite. A ndërhyn dot Banka e Shqipërisë në përcaktimin e një orari të tillë për bankat?

Guvernatori: Këto janë masa emergjence, “masa lufte” në një farë mënyre, dhe sigurisht që do të respektohen. Duhet kuptuar që jemi në një situatë jonormale dhe natyrisht që në një situatë të tillë jeta dhe shëndeti i njerëzve zë peshën më të madhe. Për sa kohë që kemi pasiguri se sa do të jetë numri i rasteve, do të jemi të detyruar të marrim masa shtrënguese, ashtu siç po vepron Qeveria Shqiptare. Shohim që masat janë të ngjashme në të gjitha vendet, jo vetëm në vendet fqinje.

Pyetje: Disa nga masat dhe shtetet me më shumë probleme se ne, i kanë marrë ose i marrin pasi i kemi marrë ne. Ky është fakt...

Guvernatori: Po, masat që po merren janë të ngjashme, por natyrisht vendosja e kufizimeve krijon konfuzion dhe e ndikon shumë jetën e përditshme. Dikush do të paguajë faturën e ujit të apo të energjisë elektrike, këstin e kredisë e me radhë, dhe kufizimet krijojnë pështjellime dhe frikë.

Pyetje: Lidhur me vendimin që ju keni marrë dje z. Sejko, një shikues më kërkon t’ju pyes nëse mësuesve dhe mjekëve që i marrin rrogat në një bankë të nivelit të dytë do t’u shtyhet me tre muaj pagesa e këstit të kredisë? Kjo do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për ta. Kjo është dhe një nga paqartësitë që ka hapur debate sa i përket urdhrit që ju keni lëshuar së bashku me Kryeministrin.

Guvernatori: Mësuesit dhe mjekët i marrin pagat në llogaritë e tyre në mënyrë automatike. Ato mund t’i tërheqin cash nga ATM–ja nëpërmjet kartës së debitit. Tërheqja e pagës nuk është problem nga ana operacionale. Problemi qëndron tek kreditë. Një pjesë e mirë e punonjësve të administratës publike kanë kredi nga bankat. Shumica ka kredi konsumatore, por ka dhe nga ata që kanë kredi hipotekare.

Pyetje: Ka dhe nga ata që punojnë në privat...

Guvernatori: Edhe ata që punojnë në kompani private, si mësuesit dhe mjekët, dhe administrata publike kanë trajtim shumë të ngjashëm, në varësi të pagës dhe të ardhurave të tyre. Bankat e nivelit të dytë aplikojnë kredi të caktuara, si kreditë konsumatore, të cilat janë më të vogla, por edhe kredi hipotekare, pra për pasuri të patundshme.

Normalisht, një pjesë e mirë e punonjësve, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, mund të kenë probleme të caktuara financiare, por nuk kanë probleme thelbësore të diktuara nga kjo lloj sëmundjeje. Mirë do të ishte që të kishte një shtyrje për ta, por megjithatë nuk janë të ekspozuar dhe të riskuar drejtpërdrejt, për sa kohë që vazhdon t’u kreditohet rroga në llogarinë e tyre.

Pyetje: Kjo nuk vlen për rastin që përmendëm?

Guvernatori: Jo, nuk vlen për këto raste.

Pyetje: Nuk ndryshon asgjë financiarisht për ta, pasi paga do të vazhdojë megjithëse janë në shtëpi. Për këtë arsye edhe kredia do vazhdojë të paguhet si më parë...

Guvernatori: Po, ata do të vijojnë të paguajnë dhe natyrisht do të vijojnë të shlyejnë edhe këstet e kredisë. Një pjesë e mirë e tyre nuk duan të kenë shtyrje. Pra, ka raste nga më të ndryshmet, si tek individët ashtu dhe tek bizneset.

Pyetje: Por mos harrojmë që mund të ketë raste që në një familje dikush e merr rrogën në shtet, dikush e merr në privat. Ai që është në privat sot është i detyruar të rrijë në shtëpi dhe të mos paguhet. Ndërkohë, pavarësisht se partneri paguhet rregullisht, ekonomia e shtëpisë ka pësuar një goditje. Ndoshta nuk do të ishte mirë që dhe për ta....

Guvernatori: Këto janë raste komplekse dhe rastet ndryshojnë nga njëra-tjetra. Në vija të përgjithshme, unë do theksoja që vendimi i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe i rakorduar më pas dhe me Kryeministrin, ka të bëjë vetëm me atë kategori klientësh të cilët do jenë të prekur nga kriza financiare që vjen si pasojë e pandemisë. Këta klientë do të duhet të kontaktojnë me bankat për të argumentuar problemin e tyre.

Pyetje: Pra nuk është automatike?  

Guvernatori: Jo, nuk është automatike.

Pyetje: Kush është i interesuar ta bëjë këtë mund ta bëj...

Guvernatori: Jo, unë e theksova këtë që ditën e parë, por me sa duket klientët ishin të paqartë, dhe prandaj dolëm me një njoftim të dytë.Për ta përshpejtuar procesin e identifikimit të klientëve që u shtyhet pagesa, ne caktuam një afat treditor që nga momenti që klienti kontakton me bankën. Pra, banka duhet t’i kthejë një përgjigje klientit për tre ditë, nëse ai është i kualifikuar për të përfituar nga kjo shtyrje.

Pyetje: Këtu bëhet fjalë për shtyrjen e këstit të kredisë për tre muaj apo bëhet fjalë për anulim të interesave?

Guvernatori: Bëhet fjalë për shtyrjen për tre muaj të kësteve dhe të interesave për të, pa aplikuar penalitete apo gjoba mbi interesat. Pra, kjo vlen për klientët me vështirësi financiare.

Pyetje: Është një fazë e ngrirë tremujore?

Guvernatori: Po, është një fazë ngrirjeje tremujore; këto këste nuk do të falen.

Pyetje: Nëse ti e kërkon ama...

Guvernatori: Vetëm nëse klienti e kërkon, duke kontaktuar bankën.

Pyetje: Miratimi i fundit merret nga banka?

Guvernatori: Po, pra nuk është një urdhër automatik që të gjithë klientëve u shtyhet kredia. Ne si Bankë e Shqipërisë kemi kuadrin tonë ligjor dhe kemi bërë ndryshime rregullative për të mos i rënduar bankat me provigjone dhe për t’i krijuar atyre mundësinë që ta bëjnë këtë shtyrje. Ne i kemi këshilluar që të procedojnë sa më shpejtë, por sigurisht që situata evoluon nga dita në ditë dhe gjithmonë ka paqartësi dhe pakënaqësi. Në rast se do të merrej një vendim nga Qeveria Shqiptare, përmes një ndryshim ligjor, për të bërë një ngrirje totale të të gjitha kësteve të kredisë, kjo do të krijonte një problem për stabilitetin financiar; do të krijonte një problem për bankat. Janë mbi treqind milion euro, në vija të përgjithshme, që do të rëndonin vetëm për këste dhe interesa të këtyre kredive.

Pyetje: 340 milionë mos gaboj; kjo shifër është referuar në media për kredinë.

Guvernatori: Rreth 300 milionë euro. Ligji na bën ne si bankë qendrore përgjegjës, në radhë të parë, për stabilitetin e çmimeve, për kontrollin e inflacionit, por dhe për stabilitetin financiar. Masa u morë me urgjencë, pikërisht për t’i ardhur në ndihmë klientëve, por dhe bankave të nivelit të dytë, pasi nëse klientët nuk do të ishin në gjendje ta paguanin kredinë dhe bankat do të viheshin në vështirësi financiare.

Pyetje: Z. Guvernator ka një pyetje tjetër nga një teleshikues i cili interesohet nëse janë të sigurta depozitat dhe obligacionet që qytetarët kanë në bankat e nivelit të dytë, pasi ato i fusin në bursa dhe këto të fundit po pësojnë rënie? Kjo nuk do të thotë që ne do merrnim një vendim që do t’i rëndonte më shumë bankat, pasi ne nuk e dimë kohëzgjatjen e kësaj krize. Kjo është një situatë e paprecedentë, shumë e veçantë dhe tepër e vështirë, por po përpiqemi të organizohemi dhe të marrim të gjitha masat parandaluese. Këtu flas për ne si bankë qendrore, sa i përket sektorit financiar, pasi qeveria dhe institucionet e tjera po marrin masat e tyre. Natyrisht që stabiliteti financiar është tepër i rëndësishëm, pra stabiliteti financiar i bankave, me klientët e tyre kredimarrës dhe depozitues. Duhet të kuptojmë se pjesa dërrmuese e kredive që jepen nga bankat vijnë nga depozitat e qytetarëve dhe një pjesë shumë e vogël nga kapitalet e aksionerëve. Bankat janë ndërmjetës financiarë. Këtu nuk bëhet fjalë për të bërë avokatin e bankave, por për të qenë prudent dhe korrekt, duke trajtuar me shumë kujdes gjendjen e stabilitetit financiar, që ka të bëjë drejtpërdrejt me depozitat e qytetarëve.

Guvernatori: Jo, bankat nuk i kanë futur depozitat në bursë. Kjo pyetje kërkon një përgjigje teknike, dhe nuk dëshiroj ta lodh teleshikuesin me teknikalitete. E thënë thjeshtë, analizat tona dëshmojnë se bankat kanë një siguri optimale për investimet e tyre. Ekzistojnë kritere të caktuara për kategoritë e investimeve, të vëna nga bankat qendrore të vendeve ku bankat tona kanë bankat mëma, por dhe nga ne si Bankë e Shqipërisë. Sigurisht që bursat kanë norma të larta fitimi dhe shkallë të lartë risku, por ka kufizime të caktuara për investime të caktuara. Bankat pjesën kryesore të depozitave e japin kredi në tregun shqiptar dhe pjesën tjetër e kanë vendosur në banka të tjera, pasi natyrisht që likuiditeti do të vendoset diku. Nuk ka investime të këtij rreziku, por dhe në qoftë se ka në kompleksin e portofoleve të bankave, përmes mbikëqyrjes sonë konstatojmë dhe vërtetojmë që ka siguri të mjaftueshme për depozitat. Pra, aktualisht bankat janë në një gjendje shumë të mirë dhe të shëndetshme financiare. Ka mjaftueshmëri kapitali më të lartë se sa minimumi i kërkuar sipas kërkesave tona. Mesatarja e mjaftueshmërisë së kapitalit, që është treguesi kryesor i shëndetit të bankave, është mbi 18%, ndërkohë që kërkesa është 12% dhe për disa banka 14-15%. Pra, gjendja e likuiditetit të bankave është e mirë, por kjo nuk do të thotë që në një situatë krize dhe pasigurie për zhvillimet në të ardhëm, t’i rëndojmë bankat duke i dhënë një goditje kaq të fortë që në fillim. Duhet të jemi të kujdesshëm pasi kur të vijnë goditjet e radhës, bankat mund të përballen me vështirësi ende të panjohura për ne. Kjo krizë do kujdes dhe trajtim rast pas rasti; në situatën ku ndodhemi, jemi të detyruar të veprojmë në këtë mënyrë.

Grafik 39 RSF 6m1 2020 fq 47

Pyetje: Z. Sejko këtu ka dy kurba që ecin paralel. Kurba e shqetësimit apo frikës për shkak të virusit dhe një kurbë në rritje e shqetësimit në rritje për shkak të ekonomisë. Ndërkohë që qeveria i është përgjigjur me masa drastike kurbës së parë, ajo, por dhe ju si Banka e Shqipërisë, është vënë në ditët e fundit nën tehun e kritikave të biznesit dhe të opozitës - në fakt, i pari që ngriti alarmin ishte Presidenti i Republikës me deklaratën e tij - se po tregoheni shumë më të matur apo të kujdesshëm për të marrë masa të tilla. Këtë e bëni sepse nuk doni të trembni tregun apo sepse vërtet nuk keni një vlerësim real të situatës dhe prisni zhvillimet në ditët në vijim?

Guvernatori: Ne mund të marrim masa vetëm brenda kuadrit tonë ligjor. Duhet theksuar që masat që kemi marrë dhe do të ndërmarrim në ditët në vijim kanë të bëjnë me stabilitetin e çmimeve, stabilitetin financiar. Qëndron fakti që përmendët se ne ende nuk i kemi përfunduar analizat tona për vijimësinë e situatës ekonomike. Në varësi të kësaj analize, ne si bankë qendrore përshtatim dhe politikën monetare. Jemi duke parashikuar skenarët e ndryshëm të ndikimit të krizës së shkaktuar nga pandemia në ekonomi. Në funksion të këtyre rezultateve dhe analizave, pas pak ditësh, në mbledhjen e radhës, Këshilli Mbikëqyrës do të marrë dhe vendimin e politikës monetare. Pra, thjesht po dalim në konkluzione.

Pyetje: Për çështjen e normës së interesit?

Guvernatori: Po, për çështjen e normës së interesit dhe për lehtësi të tjera, nëse do ta shikojmë të nevojshme.

Pyetje: Ju thoni se nuk e keni akoma, ndërkohë p.sh. Banka Federale e çoi pothuajse në 0 nivelin e interesit - nga 2% e çoi 0%. Pra, bëri një ulje shumë të fortë, ulje drastike.

Guvernatori: Po, bëri një ulje drastike, e cila krijoi pështjellime në tregje...

Pyetje: Ndoshta jeni të kujdesshëm që mos krijohet panik në treg, qoftë dhe pa arsye?

Guvernatori: Patjetër! Ka ndryshim shumë të madh midis tregut amerikan dhe tregut shqiptar, jo vetëm në përmasa, por dhe në shkallën e sofistikimit. Ndryshimi i normës së interesit nga banka qendrore e SHBA-së ka efekt të menjëhershëm në indekset e tregjeve dhe bursave. Ndërkohë, ne e dimë që në Shqipëri tregjet e kapitalit janë të pazhvilluara dhe transmetimi i politikës monetare ka kufizimet e veta. Nuk ka një efekt të menjëhershëm në bursë, por ka një efekt gradual dhe të shpejtë në normat e interesit.

Pyetje: Ndoshta jeni të kujdesshëm që mos krijohet panik në treg, qoftë dhe pa arsye?

Guvernatori: Patjetër! Ka ndryshim shumë të madh midis tregut amerikan dhe tregut shqiptar, jo vetëm në përmasa, por dhe në shkallën e sofistikimit. Ndryshimi i normës së interesit nga banka qendrore e SHBA-së ka efekt të menjëhershëm në indekset e tregjeve dhe bursave. Ndërkohë, ne e dimë që në Shqipëri tregjet e kapitalit janë të pazhvilluara dhe transmetimi i politikës monetare ka kufizimet e veta. Nuk ka një efekt të menjëhershëm në bursë, por ka një efekt gradual dhe të shpejtë në normat e interesit.

Pyetje: Ne jemi më shumë të varur nga euribori apo jo?

Guvernatori: Ne jemi të varur nga euribori për pjesën e Euros, e cila përcaktohet nga Banka Qendrore Evropiane, pra 50% - po flas me shifra të përafërta - e bilanceve të sistemit të pagesave në aktive, në depozita dhe kredi, janë në Euro. Kjo do të thotë se politika monetare që ndërmerr Banka e Shqipërisë aplikohet mbi 50% të kredive dhe depozitave, ndërsa pjesa tjetër ndikohet nga Banka Qendrore Evropiane. Për këtë arsye, ne këmbëngulim për një politikë deeuroizimi, pra për të rritur efektin e politikës monetare mbi tregun shqiptar, mbi sistemin financiar shqiptar.

 

Grafik 1 Raporti për deeuroizimin shkurt 2020 fq 4

Por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që transmetimi i kësaj politike monetare që bëhet në funksion të ekonomisë shqiptare të jetë më i plotë.

Pyetje: Në Shqipëri, siç thatë vetë, do pak shpjegim ulja e normave të interesit, pasi nuk ka të njëjtën natyrë si në SHBA.

Guvernatori: Natyrisht! Megjithatë ne kemi pasur një transmetim shumë të mirë të politikës monetare, duke pasur gjithnjë parasysh kufizimet si pasojë e shkallës së lartë të euroizimit. Është rritur kredia në Lek, është rritur konsumi dhe janë rritur investimet. Pra politika monetare ndikon në nxitjen e kreditimit, konsumit dhe investimeve në ekonomi. Ka një ndikim të mirë nga transmetimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Nga analizat e bëra vitet e kaluara dhe nga matjet tona, siç është raportuar dhe në Kuvendin e Shqipërisë, 0.5% e rritjes ekonomike prej 3% vjen vetëm si pasojë e ndikimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Është fakt që politika monetare ka qenë lehtësuese në mënyrë të vazhdueshme dhe norma e interesit është në minimumin e saj historik. Megjithëse e kufizuar, kemi ende hapësirë për lehtësim të mëtejshëm, por kjo është një vendimmarrje që i takon Këshillit Mbikëqyrës.

Grafik 16 RPM 2020/II fq 36

Pyetje: Dhe do ta merrni shumë shpejt ketë vendim apo jo?

Guvernatori: Po, vendimi do të merret këto ditë.

Pyetje: z. Sejko në mbyllje të kësaj pjese të parë do t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Steven Mnuchin, Sekretari i Thesarit të Amerikës, në një memo që doli në shtypin amerikan, flet që skenari më negativ mund të jetë që papunësia në Shtetet e Bashkuara mund të shkojë në 20%. Ndërkohë, shqetësim për ekonominë kanë dhe vende të tjera. Megjithëse kanë një numër të vogël të infektuarish, një sërë vendesh kanë futur shuma të mëdha parash në ekonomi si p.sh: Emiratet e Bashkuara Arabe, afërsisht 27-28 miliardë; 13 miliardë, Arabia Saudite; 25 miliardë, Italia, sistemi shëndetësor i të cilës është në krizë të plotë; Gjermania ka futur 500 miliardë. A do jetë dhe Shqipëria në krizë ekonomike për shkak të COVID-19?

Guvernatori: Patjetër që edhe Shqipëria do të ketë efekte negative në ekonomi, për shkak të pandemisë, si çdo shtet tjetër i prekur. Kjo vetëkuptohet.

Pyetje: Rrezikojmë një rritje negative, pra rrezikojmë recension?

Guvernatori: Nuk mund ta them tani nëse do të rrezikojmë recension. Varet nga definicion i recensionit, pra është një rritje negative; mund të ketë një tremujor recensioni.                                                                 

Pyetje: Pra nga 2.9% që është sot, rritja mund të shkoj në 0% ose poshtë 0?

Guvernatori: Në skenarët tanë ne e kemi parashikuar këtë.

Pyetje: Kjo do të ketë ndikim te kreditë, te vlerat e tyre, te vlera e banesave, te gjithçka...

Guvernatori: Patjetër, pasi gjithçka shkon zinxhir.

Pyetje: Pra rrezikojmë të jemi në skenarin e recensionit?

Guvernatori: Me skenarët që ne kemi deri tani, mund të rrezikojmë recension për një tremujor, por jo për vitin. Për momentin, nuk mund të jap një mesazh për ju dhe teleshikuesit tuaj nëse rrezikojmë më shumë apo jo. Me këtë do të njiheni pas pak ditësh, në deklaratën e politikës monetare, kur llogaritjet të përfundojnë. Ajo që mund të them me dy fjalë është që në skenarin pozitiv ne parashikojmë një rënie të rritjes ekonomike me 0.5% dhe në skenarin më negativ 2 deri 2.5%. Megjithatë, kjo nuk duhet marrë si e mirëqenë, pasi analizat nuk kanë përfunduar. Ato do të prezantohen në Këshillin Mbikëqyrës dhe do të komunikohen për publikun me deklaratën e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në pak ditë.

Pyetje: Z. Sejko, muaji mars është një periudhë mbylljeje për pagesën e detyrimeve tatimore të biznesit, çka e shpjegonte dhe popullimin e bankave dje. Megjithatë, opozita, e cila ka bërë ofertat e saj konkrete për ekonominë, ngre pyetjen se ku do t’i gjejë biznesi paratë për të paguar TVSH-në?

Guvernatori: Z. Balla, kjo në fakt është një pyetje për t’u sqaruar nga Ministria e Financave.

Pyetje: Dhe nga qeveria patjetër...

Guvernatori: Po. Banka e Shqipërisë bashkëpunon vazhdimisht me Ministrinë e Financave.

Pyetje: Dhe i bëni sugjerime? A mund t’i detyroni? Se kjo mund ngrihet si pyetje...

Guvernatori: Jo, ne nuk i detyrojmë. Mënyra e bashkëpunimit ndërinstitucional është e përcaktuar me ligj. Ne kemi komitete të përbashkëta për menaxhimin e llogarive të qeverisë dhe për elemente të tjera. Megjithatë, në rastin konkret, vendimmarrja lidhur me fiskun është natyrisht atribut i Qeverisë Shqiptare.

Pyetje: A mendoni që p.sh. duhet të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për një periudhë tremujore. Megjithëse njerëzit do të jenë në shtëpi, biznesi detyrohet të paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore.

Guvernatori: Natyrisht, unë jua theksova që e mira do të ishte që gjatë një krize të pezulloheshin të gjithë pagesat. Por sa është e mundur kjo?

Pyetje: Pagesat e energjisë dhe shërbimit të konsumatorit?

Guvernatori: Besoj se është e pamundur. Është e lehtë të kritikosh dhe të parashtrosh kërkesa, por analiza bëhet me shifra dhe me mundësi konkrete të buxheteve. Ne bëjmë analizën tonë si bankë qendrore për mundësitë që ne kemi në raport me tagrin tonë ligjor. Ndërkohë që Ministria e Financave dhe Qeveria Shqiptare bëjnë analizat e tyre.

Pyetje: Prandaj po ju pyes si Guvernator. Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, pagat e punonjësve të paguhen nga buxheti i shtetit, për një periudhë dy mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin. Përjashtimi nga tatimfitimi për 6-mujorin e parë të vitit...

Guvernatori: Këto mund të jenë në planin e masave.

Pyetje: Çfarë fitimi do të tatohet në momentin që biznesi nuk ka pasur punë. Punë kanë vetëm farmacitë, firmat që bëjnë import-eksport mallrash farmaceutike dhe supermarketet.

Guvernatori: Në planin e masave të marra nga Qeveria Shqiptare që do të komunikohet nga Kryeministri jam i sigurt që do të ketë lehtësira për këto kategori, por le të presim e ta shikojmë. Për pagat, prioriteti vjen sipas shtresave të caktuara të popullsisë.

Pyetje: A do të kemi pagën në fund të muajit? SHBA-ja po paguan 1000 dollarë për çdo qytetar, pra është masë konkrete.

Guvernatori: Po, SHBA-ja po paguan 1000 dollarë për çdo qytetar dhe kjo është një masë konkrete që vjen nga buxheti.

Pyetje: A e bëjnë këtë për të mos ulur nivelin e konsumit? Pasi konsumi e mban ekonominë gjallë...

Guvernatori: Po, kjo ka të bëjë me nivelin e konsumit. Këto janë masa për të ndihmuar qytetarët në një kohë krize dhe Presidenti Tramp ka premtuar një shumë të caktuar ndihme për çdo qytetar, përmes një projektbuxheti në mënyrë që ...

Grafik 24 RPM II 2020 fq 49 pjesa majtas

Pyetje: Që shkon në trilionë dollarë.      

Guvernatori: Është e vërtetë që fatura shkon në trilionë dollarë, por duhet kuptuar që buxheti i SHBA-së e përballon këtë. Ne po flasim për buxhetin e Republikës së Shqipërisë, dhe kjo vjen sipas një analize e cila besoj është duke u bërë nga instancat përkatëse. Në funksion të kësaj, në radhë të parë, do të ndihmohen shtresat në nevojë dhe rrogëtarët - sipas Kryeministrit pagat do të paguhen - dhe më pas kategoritë e caktuara, bizneset e kështu me radhë.

Sigurisht që bizneset duhen mbështetur dhe kjo mbështetje do të vijë sipas një plani të caktuar; këtë do ta dëgjojmë nesër. Ajo që ne mund të bëjmë si Banka e Shqipërisë është masa që tashmë e kemi marrë, për një shtyrje të pagesave të këstit të kredisë, pavarësisht faktit që kjo nuk është automatike. Ne po punojmë shumë ngushtë me bankat e nivelit të dytë, përmes një task force, në mënyrë që bankat të krijojnë lehtësi. Kjo është çka ne mund të bënim për biznesin, brenda kuadrit tonë ligjor. Gjithashtu, një ndër funksionet tona si bankë qendrore është furnizimi i tregut bankar me likuiditet në funksion të vazhdimit të kreditimit të ekonomisë.

Pyetje: Pra ju do të fusni likuiditet në treg?

Guvernatori: Ne e bëjmë këtë rregullisht.

Pyetje: Por a do të ketë shtesë?              

Guvernatori: Ka pasur dhe do të ketë shtesë.

Pyetje: A keni një shifër për këtë?

Guvernatori: Ne bëjmë operacione të furnizimit të sistemit bankar me likuiditet çdo ditë. Në varësi të nevojës, do të rrisim likuiditetin dhe njëkohësisht do të marrim masa të tjera lehtësuese për sistemin bankar për të relaksuar raporte të caktuara kufizuese, në mënyrë që bankat të jenë më proaktive në kreditim. Pra, paralelisht me lehtësimin e politikës monetare që do të vendoset nga Këshilli Mbikëqyrës këto ditë, në ditët në vijim, ne do të marrim dhe masa lehtësuese për bankat, për të qenë me proaktive në kreditim, për të plotësuar nevojat që do të ketë biznesi. Pra që të jem i qartë, bizneset në vështirësi do të përfitojnë nga një shtyrje tremujore e kësteve të kredisë. Gjithashtu, ato do të përfitojnë në vazhdimësi kredi dhe overdrafte nga bankat, për të vazhduar aktivitetin e tyre deri në përfundim të kësaj krize. Por, e theksoj dhe njëherë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me bankat, pasi ky aktivitet bëhet me depozitat e qytetareve. Ne duhet ta mirëkuptojmë situatën financiare, duhet të dëgjojmë ekspertet dhe të shikojmë bilancet e bankave. Unë e kuptoj që disa biznese janë në kushte stresi dhe kërkojnë maksimumin, por dhe bankat kanë një bilanc për të menaxhuar dhe ky bilanc është i lidhur me depozitat e individëve. Ne duam që bankat të kontribuojnë në ekonomi, të kreditojnë, të manaxhojnë, të ndihmojnë, por njëkohësisht të jenë të shëndetshme.

Grafik 6 RPM 2020/II fq 26 (te dhënat deri ne shkurt 2020)

Pyetje: Vetëm se ka një nonsens që del nga kjo logjikë. Nga njëra anë nuk duhet që gjithë barrën t’ia vendosim bankave, por nga ana tjetër, sipas një lajmi të fundit, data 20 mars është shpallur ditë pushimi dhe këtë fundjavë do të aplikohet një mbyllje totale e vendit. Sigurisht, të parat që do ta pësojnë do të jenë bizneset, por ndërkohë ato do të duhet të jenë në rregull me pagesat e kredive.

Guvernatori: Z. Balla, ne vendosëm për një shtyrje tremujore për bizneset që kanë vështirësi, duke parë që kjo është një krizë që evoluon përditë. Në varësi të situatës do të shohim dhe mundësinë e lehtësirave të tjera, por nuk mund të themi ende se çfarë do të ndodhë. Kjo është një krizë e veçantë, e paprecedentë. E ardhmja është e panjohur edhe për vendet e mëdha dhe bankat e tyre qendrore. Ne shpresojmë që e gjitha të përfundojë sa më shpejt dhe efektet të jenë sa më të vogla, por në qoftë se zgjat, duhet të kuptojmë që çdo ndihmesë do të bëhet brenda kapaciteteve që kanë si bankat ashtu dhe buxheti i shtetit. Asgjë nuk mund të kërkohet jashtë kapaciteteve. 

Pyetje: Pra ne duhet të përgatitemi për falimente të bizneseve private apo jo?

Guvernatori: Këtë nuk mund ta themi, por natyrisht që nëse një biznes nuk punon për një periudhë të zgjatur do të ketë faliment.

Pyetje: Mos do ketë dhe falimente të qëllimshme, pra një biznes nuk pret të goditet plotësisht nga kriza, por e shpall falimentin përpara; këtu mund të hyjnë spekulimet me sistemin?

Guvernatori: Potencialisht çdo gjë ndodh, po nuk është ky thelbi. Thelbi është që, në vija të përgjithshme, duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të marrim masa që të mos kemi falimente në shumicën e bizneseve. Kjo lloj krize do e ketë një faturë financiare për buxhetin e shtetit, për sistemin financiar, për bizneset dhe individët. E rëndësishme është që të menaxhohet sa më mirë situata që në radhë të parë të ruhet shëndeti dhe më pas të koordinohet puna që ka filluar për të menaxhuar anën financiare që fatura të jetë sa më e ulët.

Pyetje: Z. Guvernator, në momentin që flasim, me një vendim të Këshillit të Ministrave, z. Arben Ahmetaj, ministri për Rindërtimin, ka marrë kompetenca edhe për menaxhimin e krizës nga pandemia. Ai do të menaxhojë situatën për koordinimin e institucioneve pikërisht për të hartuar masat për t’u përballur me një krizë të mundshme financiare. Këtu kam një pyetje që lidhet dhe me skemën e tërmetit. Për tërmetin u përdor një skemë shumë efikase, mendoj unë, që ishte në nivelin e suksesit të konferencës së donatorëve. Pra, atyre iu paraqit një plan i detajuar, i hartuar dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe institucione të tjera, ku u llogarit edhe fitimi i munguar. A është e mundur që të ndiqni një skemë të tillë dhe për faturën e pandemisë?

Guvernatori: Mund të ndiqet një skemë e tillë, por kjo do të shihet. Edhe në rastin e tërmetit, ditët e para të goditjes ishin ditë proaktive për të shpëtuar jetë njerëzish. Pas kësaj u mendua për pjesën e faturës financiare dhe për menaxhimin e rimëkëmbjes. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në këtë rast. Problemi është se ne jemi ende në fazën e parë dhe akoma nuk dimë se sa jetë njerëzore mund të humbasim dhe as shpejtësinë e përhapjes virusit. Çështja është ta parandalojmë shpërndarjen e mëtejshme dhe të shërohen ata që janë të prekur. Informacioni nga institucionet e shëndetit publik është shumë i rëndësishëm, ashtu siç është edhe respektim i rregullave. Në rast se do ta dinim kohëzgjatjen e kësaj situate atëherë do të dinim dhe sa do të ishte dëmi dhe do të ishim në gjendje të bënim llogaritjet, por për fat të keq, nuk e dimë këtë.

Pyetje: Megjithatë z. Guvernator, kuptojmë se biznesit i bien lehtë alarmet. Le të themi se ekonomia jonë kishte një farë stabiliteti; një makrostabilitet. Pavarësisht krizës shumë të rëndë politike, dy goditjeve nga tërmeti, ekonomia gjithsesi e ruajti trendin e saj rritës, ndërkohë që ishte një trend të themi delikat. Nga ana tjetër ka një shtim shumë të madh të presionit politik - kryesisht nga opozita, por dhe nga Presidenti i Republikës, i cili ishte i pari që e ngriti ketë alarm - që masat duhet të jenë po aq të shpejta sa masat drastike dhe shtrënguese. A mendoni se i bën mirë ky lloj presioni klimës ekonomike në vend?

Guvernatori: Ne jemi në demokraci, kemi pozitë dhe opozitë, dhe natyrisht që opozita si detyrë të saj ka presionin korrektues. Në fakt, në situata krizash, do ishte mirë që të kishte bashkëpunim dhe komunikim. Ajo që do të sugjeroja është që komunikimi dhe bashkëpunimi të ishte më i mirë në këtë situatë. Kjo natyrisht që nuk varet nga unë, por çdo lloj sugjerimi, çdo lloj pikëpamje e ngritur shërben. Megjithatë, marrja në konsideratë e tyre është funksion i institucioneve dhe qeverisë, pasi ajo është përgjegjëse dhe ka informacionin dhe mundësitë konkrete për të gjykuar dhe për të vlerësuar çka është më e dobishme.

Pyetje: E shoh që jeni i kujdesshëm. Kam një pyetje për ju nga një drejtuese në një banke të nivelit të dytë: shtyrja e kësteve për tre muaj do të konsiderohet modifikimi i kredisë, a do të ndikojë apo ndryshojë statusin e klientit në regjistrin e Bankës së Shqipërisë? E thënë ndryshe, a do të dëmtohet historia e kredisë nga kjo shtyrje?

Guvernatori: Jo, ne do ta modifikojmë të gjithë statusin.

Pyetje: Çfarë masa do të merrni ju për këtë?

Guvernatori: Në radhë të parë, klientët e bankave do të kenë një riskedulim të pagesave të kësteve dhe interesave pa interesvonesë. Për të gjithë këta klientë nuk do të ketë ndryshim në status në Regjistrin e Kredive. Ato do të konsiderohen si kredi normale. Ne kemi komunikim me bankat dhe i kemi instruktuar ato ditë pas ditë, pasi dhe vendimmarrja brenda dy-tre ditëve është e shpejtë, dhe sqarimi informacioni do një koordinim të mirë nga lart-poshtë. Këtë desha të sqaroja, jo vetëm për bankieren që ngre pyetjen, por edhe për të gjithë individët, klientët dhe bizneset, të cilët e kanë këtë problem.

Pyetje: Statusi i tyre?

Guvernatori: Statusi i tyre nuk do të preket. Absolutisht jo.

Pyetje: Z. Guvernator, në reagimet e dy-tre ditëve të fundit, kam parë grupet e interesit - bizneset, Dhoma e Tregtisë, Konfindustria, pedagogë të rëndësishëm të ekonomisë - të cilët e vlerësojnë ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë, por shprehen se nuk është mjaftueshme.

Guvernatori: Për çfarë arsyeje nuk është mjaftueshme?

Pyetje: Thonë se ka nevojë për ndërhyrje më të thella...             

Guvernatori: Në çfarë kuptimi më të thella?

Pyetje: Këto janë rekomandimet e Dhomës Amerikane të Tregtisë:

Kërkesë për shtyrje afati ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare. Bëhet fjalë për marrësin që e përmendet më herët, formularin për deklarimin dhe pagesën e tatimit mbi fitimin, njoftimin vjetor për transaksionet e kontrolluara.

Pra, këto të gjitha të shtyhen;

Eliminimin e detyrimeve fiskale për të paktën tre muaj, ndërsa për bizneset dhe sektorin e turizmit gjashtë muaj - me sa kujtoj, kjo është kërkuar dhe nga opozita;

Krijimin e një fondi të emergjencës që do të mundësojë akses në kapital, me anë të kredive të buta si dhe grandeve, në mënyrë që bizneset të përballojnë efektin negativ të kësaj periudhe.

Guvernatori: Tani të gjitha këto janë kërkesa të logjikshme. Do të duhet që qeveria të reagojë, sipas mundësive, për plotësimin pjesor ose të plotë të tyre. Një nga kërkesat e bëra nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë apo nga grupi i dhomave të tregtisë, i drejtohej bankës qendrore, dhe konkretisht që kjo shtyrje e kësteve të kredisë për klientët që kanë vështirësi të jetë deri në një vit, pasi ka shtete që e kanë bërë me këtë afat.

Është e vështirë që shtyrja të bëhet deri në një vit, pasi do të kishte pasoja të mëdha financiare për bankat. Shtyrja u bë 3-mujore për të parë evoluimin e krizës. Duhet të shohim nëse bizneset do të rifillojnë veprimtaritë e tyre; sa më e shkurtër të jetë periudha e mbylljes, aq me e vogël do të jetë humbja.

Pyetje: Kjo është një arsye më tepër për të respektuar kufizimet, në mënyrë që kjo situatë të shkurtohet në kohë.

Guvernatori: Kjo është e vërtetë, por doja ta theksoja që kërkesa për shtyrje për një vit do të kishte efekt të thellë financiar. Shtyrja e kësteve të kredive për një periudhë njëvjeçare do të thotë ta godasësh sistemin bankar, pavarësisht nga situata e mirë likuiditetit. Duhet të jemi realistë... Është praktikisht e pamundur, pasi duhet ruajtur stabiliteti financiar dhe ai i bankave, të cilat jo vetëm na duhen për të ndihmuar ekonominë me kredi, por në radhë të parë mbajnë depozitat dhe kursimet e qytetarëve. Ruajtja e shëndetit të tyre çshtë shumë e rëndësishme.

Grafik 18 RPM II 2020 fq 38 pjesa djathtas

Pyetje: Megjithatë, z. Guvernator do doja t’ju pyesja dhe për efektet e menjëhershme që ka kjo krizë tek industria ajrore private në Shqipëri, e cila është e brishtë. Pra, industria ajrore është goditur; ndërtimi është i goditur, sepse duket sikur kishte marrë një farë rritjeje në 6 muajt e fundit, pavarësisht krizës politike dhe tërmetit Ajo që unë shikoj tani te tregu i banesave është se ka një stepje, një tkurrje të menjëhershme. Gjithashtu edhe turizmi, sipas Shoqatës së Turizmit, është goditur pasi ka anulime të shumta, sidomos nga jashtë.

Guvernatori: Po e filloj nga turizmi - të gjitha këto që përmendët janë industri shumë të rëndësishme, por po e filloj nga më e rëndësishmja – që është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, i cili fatkeqësisht do të preket. Pra pas tërmetit, po merr dhe goditjen nga pandemia. Turizmi është burim hyrjesh dhe të ardhurash të mëdha në ekonominë tonë. Ai ka qenë nga elementet kryesore që ka ndikuar dhe në forcimin e Lekut dhe në dobësimin e Euros, përveç të hyrave të tjera nga investimet e huaja direkte dhe remitancat...

Grafik 2 analiza BOP T1 2020 fq 7

Pyetje: Dhe remitancat besoj do të pësojnë goditje të fortë...

Guvernatori: Edhe ato mund të pësojnë goditje, pasi pandemia ka prekur një nga shtetet kryesore nga vijnë remitancat, Italinë.

Pyetje: Greqia gjithashtu, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Guvernatori: Dhe ato po preken ekonomikisht, por jemi ende të paqartë për të ardhmen. Në këto ditë, remitancat nuk janë prekur. Unë kam kontaktuar me institucionet kryesore financiare që janë ndërmjetës për sjelljen e remitancave në Shqipëri, dhe shprehen se ato vazhdojnë normalisht. Megjithatë, do të shohim se si do të shkojnë në ditët në vijim. Turizmi sigurisht që do të preket dhe lidhur me këtë duhet menduar seriozisht. Ne do të konsultohemi dhe do të bashkëpunojmë me qeverinë për të vlerësuar se cilat mund të jenë iniciativat për këtë industri kaq të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Sigurisht, ndërtimi gjithashtu është një sektor shumë i rëndësishëm, i cili dhe ai mund të ketë ndikim; të gjithë sektorët do të kenë ndikim.

Pyetje: Sipas jush, cilët do të jenë sektorët që do të goditen më shumë?

Guvernatori: Sektorët kryesorë që do të goditen janë turizmi dhe eksportet shqiptare, fasonet. Në radhë është turizmi, pasi besoj që kjo krizë ka sjellë anulim rezervimesh dhe ne nuk do të kemi këtë vit prurjet e vizitorëve si normalisht. E përsëris, nuk e dimë sa do të zgjasë mbyllja. Nëse zgjat deri në korrik, goditja do të jetë shumë e madhe, por le të shpresojmë që kriza të mos zgjasë dhe përfundimi do të jetë më i menaxhueshëm. Ndoshta me ndryshimin e stinëve ne do të kemi dhe një zbutje të virusit. Të shpresojmë!

Grafik Njoftim BOP T1 2021 fq 3 te mbahen te dhënat deri ne T1 2020

Pyetje: Shpresojmë, pasi në hemisferën jugore ku është verë, numri i të prekurve nuk ka arritur as 3000. A mund të jetë ky një indikator që, me afrimin e verës, gjërat do të ndryshojnë!

Guvernatori: Unë nuk jam mjek, por epidemitë e gripeve, përgjithësisht kanë një cikël të caktuar, pra janë sezonale. Të shpresojmë se edhe ky grip, sado specifik, të ketë ciklin e tij.

Pyetje: Te ky detaj ka një debat për krizën ekonomike që po jep shenjat që do të fillojë. A do të jetë si kriza e vitit 2008 apo ajo e pas 11 shtatorit 2001. Ajo që thotë Steven Mnuchin, Sekretari i Thesarit të SHBA-së, që papunësia mund të shkojë deri në 20%, sigurisht flet për një skenar shumë negativ apo jo?

Guvernatori: Kriza, përveç papunësisë, mund të sjellë dhe deformime të tjera të parametrave makroekonomikë, pra përkeqësime, por papunësia është një element i rëndësishëm. Ajo mund të ketë ndikime në sektorin financiar, mund të ketë ndikime në monedha të caktuara, mund të ketë papunësi dhe falimentime, pra janë të gjitha elementet që sigurojnë një krizë. Për ne si bankë qendrore, e rëndësishme është që kjo krizë të mos të cenojë stabilitetin financiar; të mos preken bankat dhe depozitat e klientëve, pavarësisht nga humbjet që duhen menaxhuar. Ne do të bëjmë maksimumin për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Norma e interesit është një instrument në funksion të kësaj.

Pyetje: Ju po paralajmëroni sonte që do ta ulni normën?

Guvernatori: Në funksion të rezultateve, këtë do ta vendosë Këshilli Mbikëqyrës me votë.

Pyetje: Ju si do të votonit?

Guvernatori: Unë do të votoj për ulje të normës. Po e deklaroj votën time, por megjithatë do të informohem dhe do të vendos në varësi të rezultateve të analizave të ekspertëve. Informacioni që kam është paraprak. Ne do të shikojmë analizat dhe do të marrim një vendim si Këshill.

Pyetje: Besoj do të prisni dhe daljen e paketës nga ana e Qeverisë Shqiptare, për ta pasur pak më të qartë dhe vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës?

Guvernatori: Po dhe kjo ndikon në vendimmarrje.

Pyetje: Nga qeveria u tha se tërmeti do të kthehet në një moment të artë, për shkak të donacioneve dhe grandeve, edhe për rriten e mëtejshme të ekonomisë së vendit. Kjo besoj është pak e pamundur të pohohet sot apo jo? Unë e dyshoj që këto grande, kredi të buta apo donacione, të jenë përsëri në të njëjtin nivel që na u premtua; e dyshoj me thënë të vërtetën.

Guvernatori: Për tërmetin e keni fjalën?

Pyetje: Janë 1 miliard e 140 milionë që duhet të futeshin. Mendoni se do të ndodhë?

Guvernatori: Kreditë janë të dedikuara për Shqipërinë dhe duke abstraguar nga kriza e momentit, ato do të aplikoheshin në varësi të kapaciteteve thithëse që ne do të kishim, pra do të menaxhoheshin nga Qeveria Shqiptare në varësi të projekteve. Edhe grandet janë sipas projekteve. Kreditë do të duhet të tërhiqeshin me një kontroll të rreptë siç është thënë deri tani qoftë nga Kryeministri qoftë nga Qeveria Shqiptare. Për shembull, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillimin, institucionet ndërkombëtare, Banka Botërore e etj. e kontrollojnë shumë mirë destinacionin e fondeve të tyre; nuk mund t’i kalosh fondet nga bujqësia në turizëm.

Pyetje: Ose mund të blesh makina për administratë?

Guvernatori: Nuk mund të ndërrohet destinacioni. Për këtë ka projekte konkrete.

Pyetje: Pra, këto fonde nuk mund t’ia kthejmë? Pyes pasi në këtë krizë çdo vend ka shqetësimet e veta.

Guvernatori: Jo, nuk besoj. Qeveritë janë korrekte; ato qeveri të cilat kanë alokuar fonde për menaxhimin e krizës së tërmetit, nuk do tërhiqeshin. Sfida kryesore është procesimi me eficiencë, në mënyrë që ne t’i tërheqim këto fonde. Nga një vlerësim i përgjithshëm, ne kemi parashikuar që vetëm 70% e fondeve do të tërhiqeshin. Do të ishte shumë mirë nëse ne do të ishim në gjendje të administronim 70% të këtyre fondeve, pra 700 – 800 milion; do të jepnin një impakt shumë të mirë, jo vetëm për lehtësimin e jetës së qytetarëve të dëmtuar, por edhe për ekonominë.

Pyetje: Në momentin që niveli i importeve do të bjerë për shkak të masave kufizuese, edhe të BE-së, nuk do të kemi prurje të mallrave të konsumit. Kjo nuk do të thotë që në Shqipëri nuk ka prodhim të produkteve të konsumit. Pra, dhe nga pijet alkoolike - për shembull sektori i birrës që është dhe sektor i rëndësishëm dhe i zhvilluar - por dhe bujqësia e produktet vendase, a mund të kthehet ky në një moment të artë për biznesin vendas, pasi kriza shëndetësore të kalojë?

Guvernatori: Për momentin është moment i artë për supermarketet dhe farmacitë. Pavarësisht se për disa është një moment i keq, natyrisht që mund të jetë një moment i artë për disa biznese të tjera si prodhuesit vendas dhe mund të furnizojnë tregun vendas. Megjithatë, është pak e vështirë që të kthehet në një moment të artë për të gjithë ekonominë shqiptare.

Pyetje: Flas për sektorin e prodhimit.

Guvernatori: Edhe për sektorin e prodhimit. Natyrisht që do të ketë riorientime; do të ketë ndryshime.

Pyetje: A mund të stimulohet kjo gjë? Se ndonjëherë, siç është në PR, ajo që është pika më e dobët mund të kthehet në pikën më të fortë.

Guvernatori: Natyrisht që mund të stimulohet. Ka politika proteksioniste për prodhimet vendase dhe mund të stimulohet prodhimi vendas.

Pyetje: Tani politika proteksioniste është në fuqi, pasi të gjitha vendet i kanë mbyllur kufijtë.

Guvernatori: Sigurisht që për shkak të nevojave, për shembull bujqësia, këto ditë, mund të ketë dhe rritje – megjithëse edhe kjo mbetet për t’u parë nga shifrat që do të vijnë – kjo edhe sepse fshati nuk është prekur nga COVID-19.

Pyetje: Për momentin harta tregon që nuk kemi një shtrirje.

Guvernatori: Po, dhe fshati po vazhdon aktivitetin për prodhimin bujqësor. Kërkesa për produkte bujqësore, për sa kohë që s’ka import, do të plotësohet nga prodhimin vendas. Kjo është diçka shumë e mirë për prodhuesit vendas që kanë pasur problemin e pikave të grumbullimit ...

Pyetje: Edhe për sektorin prodhues, që ndeshet me çmime shumë konkurruese nga produktet e importit.

Guvernatori: Po, dhe sektorë të tjerë, por bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm që mund të përfitonte. Megjithatë, e përsëris, se të gjitha këto janë për t’u parë në vijim. 

Pyetje: Kjo mund të vlejë edhe për turizmin e brendshëm. Në vend të Turqisë apo Greqisë, pushuesi shqiptar mund t’i kalojë pushimet në Vlorë, në Durrës...

Guvernatori: Pasi të tejkalohet kriza, pushuesit shqiptarë do të shkonin përsëri në Turqi dhe Greqi. Kjo gjendje do të harrohej shpejt...        

Pyetje: Do harrohej gjithçka thoni ju?

Guvernatori: Pastaj do ngelej fatura financiare, por sigurisht jeta vazhdon. Njerëzit do të vazhdojnë jetën e tyre dhe është krejt normale. Shpresojmë që gjithçka të mbarojë sa më shpejt. Mund të ketë një riorientim të ekonomive prodhuese, të brendshme, por në rang ekonomie do të ketë pasoja negative - këtë duhet ta pranojmë - dhe se sa do të jetë kjo goditje mbetet për t’u parë.

Ne duhet të menaxhojmë situatën në mënyrë që goditja të jetë sa më e ulët, por në vija të përgjithshme, do të kemi një rënie të ritmeve ekonomike. Nuk vlerësojmë se do të kemi recension ose të paktën jo në nivel viti; për këtë tremujor mund të kemi recension, por ai do të kompensohet. Një parashikim i përgjithshëm, me të dhënat e mëparshme, është që rënia ekonomike e këtij viti do të kompesohet konsiderueshëm vitin që vjen. Ne si bankë qendrore kishim bërë një korrektim të rritjes ekonomike, pas ndikimit të tërmetit, i cili ishte 3% në këtë vit dhe 4% vitin tjetër. Në ketë rast mund të kemi një rritje më të ulët këtë vit, e cila mund të shkojë afër zeros, por kjo do të kompensohej nga një rritje shumë më e lartë vitin që vjen; një rritje e menjëhershme që mund të shkonte 5.9%. Këto natyrisht janë parashikime që duhet t’i përfundojmë. Ato do t’i komunikojmë për publikun në Deklaratën e Politikës Monetare, shoqëruar dhe me vendimmarrjen e politikës monetare. E rëndësishme është të menaxhojmë krizën dhe të ulim numrin e të prekurve. Sa më shpejt që të ulet numri i të infektuarve dhe të menaxhohet kriza, aq më e ulët do të jetë fatura financiare.

Pyetje: Z. Guvernator, faleminderit që ishit me mua sonte!

Guvernatori: Faleminderit juve!