BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Interviste e Guvernatorit Sejko për televizionin News24

Data e publikimit: 12.03.2020

 

Pyetje: Përse u detyruat të merrnit një vendim të tillë dhe cilat janë detajet shoqëruese të tij?

Guvernatori: Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për situatën e jashtëzakonshme, në të cilën gjendemi. Banka e Shqipërisë ka analizuar vazhdimisht situatën që në fillimet e epidemisë. Që nga fillimi i kësaj jave, kemi shpërndarë udhëzime në bankat e nivelit të dytë, për t’i orientuar në marrjen e masave të duhura, në mënyrë që aktiviteti operacional të vazhdojë pa krijuar problem, pra pa ndërprerje, gjithnjë duke ruajtur shëndetin e punonjësve dhe të klientëve të bankave të nivelit të dytë.

Në këtë kontekst, dua të theksoj që këto masa që kanë të bëjnë me ruajtjen e distancës, higjienizimin për shmangien e rrezikut të virusit, ndoshta do të krijojnë radhë klientësh përpara ambienteve të bankave dhe kjo mund të krijojë ide të gabuara ose pasiguri te klientët sa i përket gjendjes financiare të bankave. Unë dëshiroj t’ju siguroj se bankat janë në gjendje shumë të mirë likuiditeti.

Kriza me të cilën përballemi sot është shëndetësore dhe jo financiare, por sigurisht që pasojat në ekonomi do të maten në vijim. Për momentin, ne kemi marrë masa që sistemi bankar të vazhdojë funksionimin e tij, me kufizimet e duhura, duke respektuar me rigorozitet masat për ruajtjen e shëndetit, dhe duke mbetur operacional. Janë marrë masa për sigurimin e pagesave cash dhe atyre online, në mënyrë që tregu të funksionojë normalisht, dhe çka është më e rëndësishmja, sot Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të bëjë një shtyrje apo një riskedulim të kësteve të kredive për tre muaj, duke shpresuar që gjendja e pandemisë - siç u shpall dje nga OBSH-ja - në tre muaj kohë do të ketë kaluar.

Pyetje: Kjo periudhë tremujore nuk do të krijojë problem për bankat? A e keni studiuar situatën?

Guvernatori: Jo, nuk do të krijojë probleme për bankat dhe Këshilli Mbikëqyrës e mori këtë vendim pikërisht që ato të mos rëndohen me provigjone ose me kufizime sipas rregulloreve. Pra i kemi çliruar bankat nga kufizimet tona rregullative, në mënyrë që ato t’ia krijojnë këtë fleksibilitet dhe klientëve - individë apo biznese - për pagesat e kësteve të kredive. Kjo nuk krijon asnjë problem për bankat, por është bërë për të ndihmuar klientët, për të mos e rënduar gjendjen e tyre financiare, në këtë moment të vështirë për shëndetin publik. Ne synojmë t’i ofrojmë atyre lehtësi, në rast se do ta kenë të pamundur të bëjnë pagesat e kësteve në këto tre muaj.

Pavarësisht kësaj, ata klientë që janë në një gjendje të mirë financiare dhe kanë mundësi pagese, mund të vazhdojnë t’i paguajnë këstet sipas skedulit të tyre.

Dua të theksoj dhe se ky vendim nuk i fal këstet, por thjesht i riskedulon ato; është një shtyrje dhe një falje e interesvonesave dhe jo faljeve e kësteve të kredisë.

Pyetje: Zakonisht ndodh që kur dikujt i kalon paga mujore, automatikisht i merren paratë për kredinë. A do të vazhdojë të ndodhë normalisht kjo, pavarësisht këtij vendimi që ju keni marrë?

Guvernatori: Patjetër, edhe vetë klientët janë të interesuar të ndjekin skedulin e pagesave, pra kjo do të vazhdojë normalisht. Kjo masë është marrë kryesisht për ata klientë që kanë vështirësi dhe e kanë të pamundur të shkojnë në sportelet e bankës, për arsye shëndetësore ose për arsye financiare. Gjithashtu, edhe kjo masë është marrë në morinë e masave mbrojtëse për mospërhapjen e virusit, për të zvogëluar sa më shumë të jetë e mundur kontaktet midis njerëzve. Pra, kjo jo vetëm që krijon një lehtësi tek individët dhe bizneset, por në njëfarë mënyre, do të ulë dhe numrin e klientëve në sportelet e bankave të nivelit të dytë. Ne po përpiqemi të marrim masa që aktiviteti bankar të vijojë, por nga ana tjetër të ketë sa më pak kontakte midis njerëzve. Shpresojmë që pandemia të mos avancojë në ato përmasa sa të detyrohemi të marrim masa edhe më kufizuese.

Pyetje: Nëse situata përkeqësohet, a mund të shkohet deri në mbylljen e bankave?

Guvernatori: Kjo varet nga vendimet që do të marrë Komiteti i Emergjencës i Qeverisë Shqiptare. Nuk mendoj se do të arrijmë deri në mbylljen e bankave, megjithatë kjo nuk mund të thuhet me siguri. Të gjithë ne duhet të përpiqemi të shmangim panikun dhe të marrim masa parandaluese në mënyrë që ta izolojmë sa më shumë virusin, të mbrojmë sa më shumë njerëzit, pa ndalur plotësisht aktivitetin e përditshëm.

Pyetje: Ju thatë pak më parë se punonjësit e bankave gjithsesi po kujdesen për të mos e përhapur virusin. Po kujdesen për veten si dhe për të tjerët, duke marrë masat mbrojtëse të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo vetëm. A keni ju informacion nëse ka nëpunës bankash të prekur me COVID-19 apo në vetëkarantinim?

Guvernatori: Deri tani nuk kemi asnjë punonjës të prekur nga CIVIDI-19 në Bankën e Shqipërisë. Ndërsa informacioni lidhur me punonjësit e bankave të nivelit të dytë më mungon. Nëse do të kishte raste të tilla, këtë informacion do të kishit dhe ju, pasi rastet janë të gjitha të identifikuara. Megjithatë, nuk dimë nëse do të vijojë të jetë kështu edhe në ditët në vijim. Vlen të theksojmë rëndësinë e respektimit rigoroz të masave parandaluese për të shmangur përhapjen e virusit, të cilat nuk është e nevojshme t’i përsëris pasi janë vazhdimisht në ekranet e televizionit – dhe gjej rastin t’i falënderoj mediat për këtë shërbim që po i bëjnë publikut.

Pyetje: Të gjithë bashkë, siç thotë dhe Kryeministri, jemi duke luftuar armikun e padukshëm për të mbrojtur shëndetin e popullatës. 23 njerëz gjithsesi janë prekur deri tani nga COVID-19 dhe mund të ketë edhe prekje në një numër më të madh.

E kuptoj që nuk është momenti për të bërë këtë lloj analize, por për hir të së vërtetës ne e kemi bërë këtë përpara se virusi të mbërrinte në vendin tonë, pasi kemi parë historitë e vendeve fqinje, ku është thënë se ky problem që godet shëndetin e popullatës, herët a vonë reflektohet në ekonominë e vendit dhe gati-gati e gjunjëzon atë.

Ju u shprehët se nuk është momenti, por gjithsesi ju do ta bëni këtë lloj analize. Unë jam e bindur që ju, në njëfarë forme, e keni bërë këtë. A mund të më tregoni se sa goditet ekonomia shqiptare nga pandemia COVID-19?

Guvernatori: Është e vërtetë që ne kemi filluar të analizojmë. Detyra jonë është të analizojmë ndikimin e kësaj situate në ekonominë shqiptare, ndikim i cili natyrisht do të jetë negativ.

Po shohim që ekonomi të tjera, bursat dhe tregjet ndërkombëtare, kanë pësuar humbje në miliarda dhe trilionë euro, pra është e qartë se edhe ekonomia jonë do të preket nga efektet e kësaj situate. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme që do të ndikojë konsumin, dhe nëse kjo ndodh edhe prodhimi do të ketë ndikimet e veta.

Shohim që ndërmarrjet fasone po hasin vështirësi serioze, si pasojë e kontratave të porosive. Gjithashtu, presim një ndikim negativ në sezonin turistik, e kështu me radhë. Natyrisht që efektet janë ciklike. Ekonomia do të ketë pasoja, megjithatë nuk parashikojmë që të bjerë në recesion, por të kemi rënie të ritmit të rritjes ekonomike. Për momentin nuk kam shifra të sakta, pasi po analizojmë skenarët.

Në ditët e ardhshme do të zhvillojmë mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës në të cilën do të merren dhe vendimet reaguese nga Banka e Shqipërisë, në funksion të detyrimeve tona ligjore.

etyrimi jonë kryesor është stabiliteti i çmimeve. Nëpërmjet politikës sonë monetare lehtësuese, ne do të vazhdojmë të stimulojmë konsumin, investimet, kreditimin. Do ta gjykojmë nëse do të kemi nevojë për të vazhduar lehtësimin e politikës monetare, në varësi të analizave dhe rezultateve.

Nga krahu tjetër, lajmi i mirë dhe pozitiv është që sistemi bankar dhe sistemi financiar është me tepricë likuiditeti, me gjendje mjaft e shëndetshme, me kapital të mjaftueshëm. Pra nuk kemi probleme likuiditeti dhe kapitalesh.

Në këtë situatë, do të shikojmë ndikimin që do të ketë në ritmin e rritjes ekonomike, në konsum, në turizëm. Natyrisht që do të marrim masat e duhura - masat kundër ciklike - për ta neutralizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë ndikim.

Duhet të jemi të përgatitur për një rënie të ritmit të rritjes ekonomike; sa do të jetë rënia, nuk mund ta them tani, por gjithsesi nuk parashikojmë recesion.

Disa vende p.sh. Italia – pasojat e pandemisë në ekonominë e të cilës po i shohim të gjithë – do të përjetojnë recesion.

Në këtë fazë të hershme, parësore për ne mbetet parandalimi i përhapjes së virusit. Pas analizave natyrisht që do të ndërmarrim edhe reagimet e duhura, por sa më rigorozë të jemi në respektimin e masave parandaluese, aq më të vogla do të jenë dhe efektet në ekonomi në të ardhmen. Kjo është gjithçka që mund të themi për momentin.

Pyetje: Ju thoni se ekonomia shqiptare nuk do të shkojë në recesion. Megjithatë, nëse marrim skenarin më të keq dhe ne shkojmë në recesion, pasi askush nuk e di se sa do të zgjasë situata me COVID-19, a i kemi ne mekanizmat për t’u rimëkëmbur?

Guvernatori: Sigurisht që po, por nuk kemi ende shifra të sakta. Kjo lidhet me parashikimet konkrete të institucioneve të shëndetit publik për përhapjen e virusit. Megjithatë, nuk parashikojmë që të arrijmë në nivele ku mund të kishim nevojë për mekanizma të tjerë. Mekanizmat që ne kemi janë të mjaftueshëm për të ndikuar në masat kundërciklike për stimulimin e rritjes ekonomike dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Dëshiroj të theksoj që ne i kemi këta mekanizma, pra të mos krijojmë panik. Është shumë e rëndësishme që të kemi një situatë të qetë, të mos krijomë panik dhe të tregohemi të kujdesshëm që të veprojmë në mënyrë të organizuar.

Për momentin, ne kemi marrë parasysh dhe po studiojmë disa skenarë pozitivë dhe negativë. Sipas analizave tona dhe skenarëve negativë, ne disponojmë të gjithë instrumentet e duhur për të reaguar në rast përkeqësimi ekonomik, megjithëse skenarët negativë kanë pak gjasa të kthehen në realitet.

Pyetje: Punonjësit e bankave të nivelit të dytë u thonë klientëve të tyre se bankat shumë shpejt do të mbyllen, madje disa thonë se do të mbyllen dhe që nesër.

Guvernatori: Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave për të mbyllur gjithë institucionet e administratës publike, edhe bankat do të mbyllen ditën e nesërme. Siç e dimë, jemi në momentin e përhapjes së një pandemie, dhe ne si bankë qendrore kemi marrë masa që pagesat e cash-it dhe ato online të jenë funksionale. Pra, mbyllja e bankave nuk do të sjellë probleme. Ato po mbyllen për të shmangur kontaktet midis njerëzve dhe pagesat nëpërmjet kartave dhe cash-it të tërhequr nga ATM-të do të vijojnë pas asnjë lloj problemi. Ditën e martë aktiviteti do të vijojë dhe sigurisht që bankat do të jenë funksionale.

Situata nuk duhet të keqkuptohet, pra masat po merren për çështje që lidhen me shëndetin publik.

Pyetje: Ju jeni takuar me Presidentin e Republikës, a mund të më thoni se çfarë është diskutuar midis jush?

Guvernatori: Po, sot në mëngjes pata një takim me Presidentin e Republikës, me kërkesë të tij. E kam informuar Presidentin lidhur me analizat që po bëhen nga Banka e Shqipërisë mbi ndikimet që do të ketë situata e pandemisë COVID-19, në ekonomi dhe në sistemin financiar.

Kam theksuar të njëjtat gjëra që po theksoj dhe në këtë intervistë. Pra që: situata është nën kontroll; Banka e Shqipërisë disponon instrumentet e nevojshme; sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar; po merren të gjitha masat për të parandaluar çdo lloj problematike.

Presidenti vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë. Ishte një bisedë informative dhe raportuese, për të cilën dhe vetë Presidenca ka bërë një deklaratë për shtyp, duke bërë publike konkluzionet e takimit.