BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Kartëmonedha e re e prerjes 2000 Lekë, emetim i viti 2007

Data e publikimit: 22.12.2008

 

Në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 58, datë 26.07.2006, miratoi shtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 2000 Lekë emetim i vitit 2007.

Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 29 dhjetor 2008, do të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re, të prerjes 2000 Lekë, emetim i vitit 2007.

Banka e Shqipërisë mori këtë vendim bazuar në kërkesat e tregut shqiptar si dhe në përputhje me praktikat më të mira, të zhvilluara nga bankat qendrore, në fushën e emisionit të parasë. Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe do të plotësojë hapësirën aktuale midis prerjes 1000 Lekë dhe asaj 5000 Lekë, duke i krijuar njëkohësisht publikut lehtësi në kryerjen e pagesave në të gjitha njësitë e shitjes apo të shërbimeve të ndryshme. Natyrshëm, prerja 2000 Lekë do të rradhitet në vargun e prerjeve ekzistuese të kartëmonedhës shqiptare, duke bërë që seria e kartëmonedhave shqiptare të ketë të njëjtin ndërtim logjik me serinë e kartëmonedhave euro. Njëkohësisht, hedhja në qarkullim e kësaj prerjeje, do të ndihmojë mjaft edhe në përmirësimin e cilësisë të parasë në qarkullim, pasi do të zëvendësojë kartëmonedhat e dëmtuara të të gjitha prerjeve të tjera.
Konceptimi i kartëmonedhës së re 2000 Lekë, është realizuar duke kombinuar tematikën, pamjen e jashtme, elementet e sigurisë dhe procesin e shtypjes.

Kartëmonedha ka si tematikë periudhën ilire dhe si përfaqësues është zgjedhur mbreti Gent, portreti i të cilit është vendosur në pamjen e përparme të kartëmonedhës. Në pjesën e pasme, është vendosur pamja e amfiteatrit të Butrintit dhe lulja Gentiana.

Periudha ilire nuk ka qenë e përfaqësuar deri tani në serinë e kartëmonedhave shqiptare. Nga kjo periudhë, si figurë u përzgjodh mbreti Genti, pasi ky i fundit njihet nga historia si prerësi i monedhës së përbashkët për të gjitha qytetet ilire të kohës dhe si zbuluesi i vetive kuruese të bimës Gentiana, emri i së cilës vjen pikërisht nga emri i tij.

Nga pamja, kartëmonedha e prerjes 2000 Lekë, ka ruajtur të njëjtin koncept me kartëmonedhat e serisë që janë aktualisht në qarkullim, duke u bërë në mënyrë të natyrshme pjesë përbërëse e saj.

Shtypja e kësaj kartëmonedhe i është nënshtruar një procesi bashkëkohor, duke bërë që ajo të rreshtohet përkrah kartëmonedhave të tjera, që përmbushin standardet më të mira. Në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë synon të arrijë nivelet e bankave të tjera qendrore të arritura në fushën e emisionit, duke përdorur elemente sigurie të zhvilluara kohët e fundit në këtë fushë.

Kartëmonedha përmban elemente sigurie të cilat janë lehtësisht të dallueshme nga publiku dhe që e mbrojnë atë nga falsifikimet e mundshme. Më konkretisht, kartëmonedha ka në përbërjen e saj këto elemente:

  • ngjyra e purpurt;
  • holograma;
  • filli i sigurisë;
  • filigrama;
  • elementi që ndryshon ngjyrë në varësi të këndit të shikimit;
  • elementi i qosheve të përforcuara;
  • relievi i saj është mjaft i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave;
  • është llakuar për ta mbrojtur atë nga lagështia.

Informacione të mëtejshme, mund të merren nga faqja jonë e internetit www.bankofalbania.org si dhe nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, pranë çdo banke tregtare dhe zyre të këmbimit valutor që operon në Shqipëri.

Kliko këtu; Kartëmonedha e re e prerjes 2000 Lekë, emetim i viti 2007, me elementë sigurie