BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Kartëmonedha e re e prerjes 200 Lekë, emetim i vitit 2007

Data e publikimit: 17.07.2009

 

Në mbështetje të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr.59, datë 26.07.2006, miratoi rishtypjen e kartëmonedhës shqiptare të prerjes 200 Lekë, emetim i vitit  2001.

Në zbatim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë njofton publikun shqiptar se në datën 20 korrik 2009 do të hidhet në qarkullim kartëmonedha e prerjes 200 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2007.

Vendimi i vitit 2006 për rishtypjen e kësaj kartëmonedhe është në përputhje me programet e mëhershme të Bankës së Shqipërisë dhe ka si qëllim modernizimin kartëmonedhës së prerjes 200 Lekë, sipas standardeve më të mira të arritura në fushën e emisionit të parasë. Kartëmonedha e re ka në përbërjen e saj të gjitha elementet bashkëkohore të sigurisë, që përdoren sot në këtë fushë.

Hedhja në qarkullim e kësaj kartëmonedhe i shërben përmirësimit të cilësisë së parasë në qarkullim. Gradualisht, do të tërhiqen nga qarkullimi kartëmonedhat e dëmtuara duke u zëvendësuar me kartëmonedha të reja.

Kartëmonedha e re, e prerjes 200 Lekë, emetim i vitit 2007, ka të njëjtat pamje dhe përmasa me kartëmonedhën e prerjes 200 Lekë, emetim i vitit 2001. Por, ndryshe nga emetimi i mëparshëm, ajo do të ketë përforcime të disa elementeve të sigurisë si dhe përmirësime të qëndrueshmërisë ndaj   dëmtimit.

Më konkretisht, në kartëmonedhën e re ndryshojnë elementet e mëposhtme:

  • firma e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe e Drejtorit të Emisionit;
  • viti në trupin e saj do të jetë 2007;
  • rritet gjerësia e   fillit të sigurisë;
  • relievi i kartëmonedhës është më i ndjeshëm në prekje, sidomos tek pjesa e teksteve dhe numrave;

si dhe kartëmonedha është llakuar për ta mbrojtur   nga lagështia dhe do të ketë elementin e qosheve të përforcuara.

Duke filluar nga data 20 korrik 2009, kartëmonedha e prerjes 200 Lekë, emetim i vitit 2007, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha kartëmonedhat ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, të emisioneve të mëparshme.

Informacione të mëtejshme, mund të merren nga publikimet e Bankës së Shqipërisë, pranë çdo banke tregtare dhe zyre të këmbimit valutor që operon në Shqipëri.