BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit me 0,25 pikë përqindje

Data e publikimit: 04.11.2004

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të datës 4 nëntor 2004, vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit. Pas këtij ndryshimi, norma e interesit që do të zbatohet në ankandet njëjavore të marrëveshjeve të riblerjes (Repo) do të jetë 5.25 për qind. Ky nivel përbën një minimum të ri historik për normën bazë të interesit në Shqipëri.

Ulja e normës bazë të interesit u bë pas një analize të përgjithshme të gjendjes së ekonomisë shqiptare dhe, në veçanti, të treguesit të inflacionit. Ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të dukshme të rritjes ekonomike dhe të përmirësimit të treguesve të punësimit, pas një tremujori të parë disi të ngadaltë. Rritja ekonomike është zhvilluar në kushtet e një stabiliteti të përgjithshëm makrokonomik: deficiti buxhetor, deficiti i llogarisë korente dhe treguesit monetarë kanë qenë të qëndrueshëm gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, inflacioni ka qenë në nivele të moderuara gjatë vitit 2004, duke iu afruar nivelit të poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë gjatë tremujorit të fundit. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se inflacioni do të jetë i ulët edhe për periudhën në vazhdim.

Analiza e kushteve monetare në ekonomi tregoi se kishte hapësirë për një zbutje të mëtejshme të politikës monetare. Kjo zbutje është konsistente me politikën e deritanishme të Bankës së Shqipërisë, e cila ka synuar ruajtjen e kushteve më të favorshme monetare, të cilat janë në përputhje me respektimin e objektivit të inflacionit.
Reduktimi i mëtejshëm i kostos së huamarrjes së lekut në ekonomi do të nxisë kreditimin në lekë, do të ndikojë në uljen e kostos së shërbimit të borxhit publik dhe do të lehtësojë presionet mbiçmuese të lekut. Gjithashtu, një hap i tillë do të ketë ndikime pozitive edhe në rritjen e kërkesës së ekonomisë.