BANKA E SHQIPËRISË

PRENZANTIME NGA GUVERNATORI
Koment i z.Shkëlqim Cani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, botuar në Gazetën Shqiptare, "Anti-cash" në rrugë të mbarë!, 3 korrik 2004.

Data e publikimit: 05.07.2004

 

"Të qenët e hapur dhe e qartë në shpjegimin e veprimeve te veta, për një bankë qendrore të pavarur është kusht i domosdoshëm për ruajtjen e besueshmërisë së saj". Nisur nga ky postulat i Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Banka e Shqipërisë, e angazhuar në programin e përbashkët me qeverinë dhe sistemin bankar për reduktimin e trasaksioneve cash në ekonomi, e gjykon si të rëndësishme komunikimin me publikun nëpërmjet medias. Transparenca dhe ndërgjegjësimi i publikut, në këtë mënyrë mbeten faktorë të rëndësishëm të suksesit të "Programit Përtej Parasë". I menduar për tu zbatuar në një periudhë kohore rreth 2 vjeçare, Programi gësheton angazhime ligjore me nisma të sektorit privat, agresivitet të bankave me kërkesa në rritje për shërbime bankare të klientelës, përçim mediatik dhe mbështetje të shoqërisë civile.

Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, drejtoritë e sektorit publik dhe bankat e nivelit të dytë janë njëra anë e "medaljes" së programit që të gëshetuara me angazhimin e biznesit, shoqërisë civile, medias e deri te individët, garantojnë një sukses të padiskutueshëm të Programit. Shtysa për këtë program ishte niveli i "cash" në ekonomi (në formën e parasë në dorë), që megjithëse është aktualisht shënon rreth 26 për qind të parasë gjithsej dhe është niveli më i ulët i regjistruar gjatë viteve të fundit, përsëri mbetet shqetësues për Bankën e Shqipërisë. Ndërkohë që sipas sondazheve të Bankës së Shqipërisë një pjesë e vogël e individëve zotërojnë një llogari bankare. Duke patur parasysh se pasojat negative të përdorimit të parasë cash në ekonomi janë të shumta dhe në një farë mënyre të lidhura edhe me krimin ekonomik dhe financiar, Banka e Shqipërisë e ka renditur reduktimin e cash si prioritet të punës së saj në dy vitet në vazhdim. Përdorimi i lartë i parasë cash në ekonomi, në një farë mënyre ndihmon edhe aktivitetin informal në ekonomi, duke mundësuar shmangien e bizneseve nga pagimi i detyrimeve tatimore dhe doganore, ndërkohë që e bën edhe më të lehtë manipulimin e dokumentacionit financiar të aktivitetit ekonomik. Për këtë qëllim, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një draft-strategji të përbashkët, e cila nga njëra anë synon në elementin dërgjegjësues dhe sqarues të publikut dhe nga ana tjetër, në marrjen e hapave konkretë nga ana e insitucioneve publike dhe e sistemit bankar.

Pagat me cashtronik
Banka e Shqipërisë hodhi hapin e parë të projektit pilot të pagesës së pagave të punonjësve në një llogari bankare në një nga bankat e sistemit bankar, zgjedhur mbi bazën e ofertave konkuruese dhe një procesi transparent. Por, simbolika e këtij hapi nga ana e rreth 300 nënpunësve të bankës qendrore dhe pesë degëve të saj në rrethe, është shumë e rëndësishme që po ndiqet me seriozitet nga Ministria e Financave, e cila në emër të qeverisë është angazhuar në kalimin gradual të pagave të sistemit publik nëpërmjet bankave. Nga ana tjetër, vetë sistemi bankar, i "alertuar" me një nivel të paneglizhueshëm likuiditeti që do të vijë nga të punësuarit e sektorit publik, po paraqitet konkurencial dhe agresiv si në drejtim të uljes së komisioneve, hapjes së degëve të reja, investimit për makinat e tërheqjes së parave, ofertimin e produkteve interesante bankare për klientët e "rinj" etj., dukë i dhënë në këtë mënyrë vlera reale Programit.

Aktorët dhe protagonizmi
Që kur ideuam para rreth një viti fazën e parë të fushatës "Përtej parasë", isha i vetëdijshëm për përfitueshmërinë dhe suksesin e saj. Tashmë, megjithëse është shpejt të vlerësojmë rezultatet, mund të themi se programi është në rrugë të mbarë. Bankat e nvelit të dytë, herë të organizuara e herë të veçuara për arsyen llogjike të konkurencës, kanë rritur marketingun e shërbimeve dhe produkteve bankare duke tërhequr jo pak klientë. Bankingu për 24 orë, shtrirja e kënaqshme e degëve të bankave, dhe bankingu nëpërmjet internetit kanë qenë disa nga veprimet e sistemit bankar. Sektori publik, pavarësisht burokracisë normale që e karakterizon, duke se po e përqafon idenë e bashkëpunimit me sistemin bankar duke e zhvlerësuar lëvizjen e "parave me thasë" nga bankat në institucione ditët e "rrogave" dhe zëvendësuar me tërheqjen e pagave me cashtronik dhe hapjen e llogarive bankare për çdo nënpunës. Ky është një hap i rëndësishëm në nivelin actual të ulët të kulturës bankare në Shqipëri pasi thyen "ndrojtjen" për t'ju afruar bankave dhe për të përfituar shërbimet dhe produktet bankare. Jam I bindur që shqiptarët do ta "përqafojnë" veprimin me bankat po aq sa shërbimin e telefonisë celulare. Biznesi, në mënyrë të veçantë ajo pjesë që ka arritur standarte ndërkombëtare të punës me bankat, duket se ka qenë edhe më i avancuar në këtë nismë. Kështu, disa nga kompanitë e huaja që janë në Shqipëri kishin kohë që nuk paguanin cash ndërsa nga dita në ditë edhe shoqëritë tregtare serioze shqiptare po i drejtohen bankave qoftë edhe për transaksione në vlerë të vogël. Media, më rezulton se plotësisht është e vendosur kah mbështetja e kësaj nisme madje disa nga shoqëritë mediatike kanë kryer ose janë në proces të veprimeve konkrete të punës me bankat e në mënyrë të veçantë të pagesës së pagave në bankë.

Pra, gjykoj se gërshetimi veprimeve të të gjithë aktorëve, marrja dhe realizimi i angazhimeve të gjithësecilit prej tyre dhe jo protagonizmi mbi autorësinë e Programit i vënë re tek-tuk kohët e fundit, është "çelësi" i suksesit të programit me përfitime për të gjithë, përjashtuar spekulantët dhe mashtruesit.

Vazhdimi i programit
Kalimi i pagave nëpërmjet sistemit bankar është edhe hapi i parë i programit "Përtej parasë" që pritet të ketë një efekt të konsiderueshëm në kalimin e likuiditetit nëpërmjet bankave. Si hap i dytë, ështe menduar që edhe kalimi I pensioneve dhe likuidimi i detyrimeve mujore të telefonisë, energjisë, ujit etj., të bëhen nëpërmjet bankave. Ministria e Financave nga ana e saj ka liberalizuar shërbimin e buxhetit duke e konkretizuar me nënshkrimin e marrëveshjes me bankat e nivelit të dytë dhe si hap të rradhës pritet të studiojë mundësinë e pagesave të biznesit në favor të buxhetit nëpërmjet sistemit bankar. Efektet do të jenë positive si në drejtim të uljes së parasë cash në qarkullim ashtu edhe të rritjes së të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Në një etapë të dytë, programi parashikon edhe përmirësimin e aspekteve ligjore dhe legjislative të pagesave elektronike dhe internet banking, që ende do përmirësime. Banka e Shqipërisë është në proces të zbatimit të projektit të kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël(AIPS) me financimin e Bankës Botërore, i cili pas realizimit me sukses të projektit të pagesave të mëdha në kohë reale(RTGS), do të kompletojë llogjistikën e nevojshme të një sistemi modern pageash ndërbankare. Bankat e nivelit të dytë, duken të angazhuara në procesin e marketingut të shërbimeve bankare, në mënyrë të veçantë të kartave të debitit dhe kreditit, nëpërmjet një pakete edukuese dhe ndërgjegjësuese. Ndërkohë që për asnjë moment nuk është harruar roli i medias në përçimin te publiku të avantazheve të programit duke rritur në këtë mënyrë shanset për sukses të tij në drejtim të zëvendësimit të veprimeve me para në dorë me transaksione bankare.