BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Konferenca e BQE-së rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar midis bankave qendrore, 4 dhjetor 2013

Data e publikimit: 06.12.2013

 
  • Dhjetë vjet programe për bashkëpunim teknik të bashkërenduar nga BQE-ja 
  • Bankat qendrore të vendeve të ndryshme mblidhen rregullisht për të shkëmbyer informacione dhe për të mësuar nga përvoja e njëra-tjetrës
  • Bashkëpunimi ndërkombëtar e ka forcuar sistemin financiar
  • Kriza e ka thelluar bashkëpunimin

Në datat 3-4 dhjetor, Banka Qendrore Evropiane (BQE) organizoi një konferencë të nivelit të lartë mbi bashkëpunimin ndërkombëtar midis bankave qendrore. Në konferencë, e cila shënoi dhjetë vjetorin e programeve të bashkëpunimit teknik të bashkërenduar nga BQE-ja me banka qendrore jashtë Bashkimit Evropian, morën pjesë drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe guvernatorë apo zëvendësguvernatorë nga më shumë se 20 banka qendrore. Më konkretisht, bankat qendrore të Rusisë, Egjiptit dhe kandidatëve për anëtar në BE kanë punuar me BQE-në dhe banka qendrore kombëtare të eurozonës në programe bashkëpunimi teknik për të forcuar aftësitë e personelit dhe kapacitetet institucionale.

Komuniteti global i bankave qendrore, gjatë disa dekadave të shkuara, ka shkëmbyer informacion, përvojë dhe praktikat më të mira, ka transferuar ekspertizë dhe ka forcuar kapacitetet institucionale.

Konferenca analizoi mësimet e nxjerra dhe diskutoi mënyra për të forcuar më tej bashkëpunimin midis bankave qendrore. Konferenca theksoi rëndësinë e përfshirjes në politikat kombëtare të praktikave më të mira dhe standardeve ndërkombëtare të mbështetura nga institucione si Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), apo organe të BE-së, përfshirë BQE-në.

Disa folës vunë në dukje se shkëmbimi i njohurisë dhe bashkëpunimi teknik midis bankave qendrore 'nuk është rrugë me një drejtim'. Përkundrazi, asistenca teknike është shndërruar tashmë në bashkëpunim teknik.

“Ata që dikur ndihmoheshin, tashmë janë shndërruar në ndihmues”, tha Jörg Asmussen, Anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së.

Gjithashtu, u diskutua tema mbi forcimin e sistemeve financiare përmes bashkëpunimit më të fortë për mbikëqyrje makro dhe mikroprudenciale.

"Bashkëpunimi ndërkombëtar është qartazi një kusht për shmangien e efekteve zinxhir të krizës, duke pasur parasysh larminë e origjinës së pronësisë së kapitalit të bankave" komentoi Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Së fundi, konferenca trajtoi në mënyrë specifike edhe rolin e bashkëpunimit midis bankave qendrore gjatë dhe pas krizës, në veçanti për trajtimin e ndikimeve në vende të tjera të veprimarisë së bankave qendrore që zbatojnë politikën monetare brenda juridiksioneve të tyre.

Marrëveshjet e këmbimit, të ashtuquajtura "swap", të cilat kanë për qëllim lehtësimin e mungesës së likuiditetit, u përmendën si shembull i mirë i këtij bashkëpunimi.

"Bashkëpunimi midis bankave qendrore është bërë një element plotësues kyç për një politikë monetare autonome", tha Thomas Jordan, Kryetar i Bordit Drejtues të Bankës Kombëtare të Zvicrës.